Në një spital në Falluxha nuk mund të jepen kurrfarë statistikash për fëmijët e lindur me deformime, por numri thuhet se është i madh. Siç shkruan gazetari Karlos Zurutuza për ipsnews.net, prindërit nuk duan të flasin për këtë problem.
E premte 20 Prill 2012 18:26
"Familjet i varrosnin fëmijët e tyre të porsalindur pasi ju vdesin, pa i thënë askujt asgjë. Për ta kjo është shumë e turpshme", ka thënë zëdhënësi i spitalit, Nadim al-Hadid.
"Kemi regjistruar 672 raste në janar, por e dimë se ka shumë më tepër", vazhdon Hadid duke projektuar në murin e zyrës së tij fëmijët e lindur pa tru, pa sy, apo me zorrë të dala jashtë trupit. Sipas tij, prindërit e ballafaquar me këto imazhe ndjejnë diçka mes turpit dhe fajit.
"Ata mendojnë se është faji i tyre dhe se diçka me ta është gabim", thotë ai.
Imazhet janë të vështira për t’u shikuar. Ata që janë përgjegjës për këtë, i mbyllin sytë.
"Gjatë vitit 2004, amerikanët kanë testuar të gjitha llojet e kimikateve dhe eksplozivëve në ne: armët termobarike, fosforin e bardhë, uraniumin e varfëruar... ne ishim minjtë e tyre laboratorikë”, thotë Hadidi dhe e ndal projektorin.
Gazetari shkruan se në muajt e parë pas sulmit në Irak, në vitin 2003, ka pasur demonstrata të vazhdueshme kundër forcave okupatore. Por, në vitin 2004 ky qytet përjeton më të keqen. Më 31 mars të atij viti botën e përshkojnë fotografitë e trupave të copëtuar të katër mercenarëve amerikanë nga grupi Blackwatern, që vareshin nga një urë. Përgjegjësinë për këtë e ka marrë al-Kaida, ndërsa popullata lokale ka paguar çmimin me operacionin “Phantom Fury”.
Gazetari shkruan se sulmi i parë ka ndodhur në prill 2004, e më i keqi në nëntor të atij viti. Bastisjet nga shtëpia në shtëpi janë zëvendësuar me bombardimet e natës, ndërsa - siç thonë amerikanët - është përdorur fosfori për të ndriçuar objektivat në natë. Fosfori i bardhë, sipas deklaratës së gazetarit italian, ishte një nga armët e ndaluara të cilat amerikanët i kanë përdorur kundër civilëve.
Numri total i viktimave nuk dihet, sepse shumë prej tyre ende nuk kanë lindur. Gazetari gjithashtu përshkruan rastin e vajzave të lindura me sindromën “Dandy Walker”. Truri i tyre është i ndarë në dysh, dhe sipas deklaratave të mjekëve, ato e kanë të vështirë të mbijetojnë.
Një studim të cilin në korrik 2010 e ka publikuar një revistë zvicerane për hulumtime ekologjike dhe shëndet publik, ka treguar se numri i rasteve me kancer, leukemi, si dhe numri i lindjeve të foshnjave të vdekura, është më i madh në Falluxha nga ai që është regjistruar nga të mbijetuarit e bombardimit atomik në Hiroshima dhe Nagasaki më 1945. Është zbuluar se rritja e të sëmurëve nga leukemia është 38 herë më i madh, derisa në Japoni ishte 17 herë më i lartë.
Në studim ka marrë pjesë edhe Samira Alaani, mjeke nga Falluxha, ndërsa testet që janë ndërmarrë për këtë qëllim janë dërguar në Londër, ku është dëshmuar doza e lartë e uraniumit dhe e merkurit në rrënjët e flokëve të të sëmurëve. Pikërisht, kjo mund të jetë një dëshmi për përdorimin e armëve të ndaluara.
Ministria irakiane e Shëndetësisë do të hulumtojë deformimet në Bagdad, Anbar, thi Qar, Suleimani, Dial dhe Basra. Gazetari shkruan se spitalet në këto vende nuk kanë kushtet themelore për trajtimin e deformimeve, ndërsa sëmundjet e fëmijëve po varfërojnë edhe më shumë familjet e tyre. /Telegrafi/