Arrestime në Luginë të Preshevës
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, u ka thënë gazetarëve në Vranjë se “policia ka arrestuar në jug të Serbisë tetë persona, pesë nga të cilët nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve”.
Në një takim me gazetarët, Daçiq ka thënë se aksioni i xhandarmërisë serbe realizohet me urdhëresën e Prokurorisë për krime lufte.
Dy nga tetë personat janë arrestuar se kanë rezistuar gjatë bastisjeve, kurse i treti për posedim armësh, ka thënë ministri serb.
Sipas tij, nën dyshimet për krime lufte janë arrestuar Elhami Salihi, Mustafa limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emurllahi.
Prokurori i Serbisë, për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, ka thënë se pesë shqiptarët e arrestuar, dyshohen për krime lufte, gjatë luftës së vitit 2001, në Luginën e Preshevës.
Gazetarëve në Beograd, Vukçeviq u ka thënë se arrestimet ende po vazhdojnë, por nuk ka pranuar të saktësojë se për çfarë krime luftesh bëhet saktësisht fjalë.
Të gjitha arrestimet njoftohet se janë kryer në komunën e Bujanocit.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i tha Radios Evropa e Lirë, se tetë shqiptarë, nga Bujanoci, Tërnoci dhe Breznica janë arrestuar nga policia serbe.
Ai tha se autoritetet fillimisht kanë thënë se ata akuzohen për krime lufte, por më vonë, Kamberi citon ministrin serb të rendit, Ivica Daçiq, të ketë thënë se disa nga ta akuzohen për “krijimin e një formacioni ushtarak për shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia”.
Kamberi i cilësoi këto arrestime si tërësisht politike.
“Këto janë akuza politike, dhe koha kur kanë zgjedhur që të frikësojnë popullatën në prag të zgjedhjeve, flet për motive politike”, ka thënë Kamberi, duke shtuar e gjatë bastisjes së familjeve shqiptare, policia nuk e ka treguar urdhëresën e gjykatës. (a.i.)