Kurani, libri ynë i shenjtë flet rreth muajve, me përjashtim të muajit Ramazan, duke përdorur shprehjen e përgjithshme “erbeat-ı hurum” dhe “eshhuru’l-hurum”. Për këtë shkak, nëpër veprat fetare, megjithëse flitet rreth vlerave të këtyre muajve, në traditën popullore fetare osmane dhe ballkanase muajt Rexhep, Shaban dhe Ramazan kanë pasur një vlerësim të veçantë, duke u quajtur kësisoj edhe tre muajt e shenjtë. Kjo mund të ketë arsyet e veta të drejta përgjatë rrjedhës së kohës.
Një prej këtyre arsyeve mund të jetë fakti se këta muaj i paraprijnë muajit të Ramazanit, duke u bërë kështu lajmëtarët e tij. Një tjetër arsye është edhe fakti se të gjitha netët e mira sipas besimit islam, me përjashtim të datës së ditëlindjes së profetit, i bie të jenë në këto muaj.
Një tjetër arsye është fakti që profeti Muhamed ka folur rreth këtyre tri muajve, duke i përmendur njërin pas tjetrit.
Hadithi dhe duaja që Profeti (a.s.) ka thënë në lidhje me këto tri muaj, jepet më poshtë:
“Muaji Rexhep është i Allahut, muaji Shaban është muaji im, ndërsa muaji Ramazan është i ymetit tim.” ‘’Zoti im bëji të begatë për ne muajt Rexhep e Shaban dhe bëj që ta mbërrijmë edhe muajin Ramazan. “ (Axhluni, Keshfu’l-hafa,423)MUAJI REXHEB, NETËT E REGAIBIT DHE TË ISRASËKëtu po paraqesim dy hadithe që lidhen me jetën fetare të profetit Muhamed (a.s.) gjatë muajit Rexheb:
“Në muajin Rexheb, profeti një ditë agjëronte, një ditë nuk agjëronte. Nganjëherë e zgjaste agjërimin, ndërsa herë të tjera bënte iftar me të hyrë koha e tij.” (Taxh,II,91)“Profeti nuk pëlqente që ta kalonte të gjithë muajin Rexheb duke agjëruar”. (Muslim Sijam,179, Ibn Maxhe,Sijam,43)Në muajin Rexheb i bie të jenë dy netë të mira, siç janë nata e Regaibit dhe nata e Israsë.
Nata e Regaibit i takon të jetë nata e parë e xhuma e këtij muaji. Thuhet se kjo natë është quajtur Regaib sepse nënkupton gjëra të vyera të dëshiruara, dhurim të bollshëm dhe frymëzim të pamasë, e sepse në këtë natë Allahu i dhuron bamirësi e dhurata të shumta njerëzve të Tij të dalluar. Për këtë arsye, myslimanët i patën kushtuar rëndësi kësaj nate, duke u përpjekur të përfitojnë nga frymëzimi dhe begatia e saj.
Nata e Israsë apo nata e Miraxhit, i bie të jetë nata e 27 e muajit Rexheb. Teksa përpiqej ta kryente detyrën e tij të shpalljes hyjnore pa i lënë asgjë mangët kësaj detyre, Profeti qe sulmuar pa mëshirë nga mushrikët duke u përballur kështu me dhunë e tortura të shprehura me fjalë dhe me vepra, nga më të pabesueshmet. Përveç këtyre, në vitin e dhjetë të shpalljes hyjnore ai pati humbur dy nga njerëzit e tij më të dashur, xhaxhanë Ebu Talib dhe bashkëshorten e tij besnike Hatixhe. Në një kohë të
tillë kur kishte aq shumë nevojë për besim dhe ngushëllim, Profetit (a.s.) iu blatua nga Zoti një dhuratë e rrallë: udhëtimi brenda një nate nga Mekeja në Jerusalem dhe së andejmi për në shtatë qiejt. Pjesa e parë e këtij udhëtimi u quajt Isra, ndërsa pjesa e dytë e saj Miraxh.
Profeti u takua drejtpërdrejt me Allahun në këtë natë, natyrën, cilësinë dhe mundësinë e së cilës nuk mund ta shpjegojmë thjesht me shqisat tona, dhe u kthye në tokë po atë natë duke sjellë për besimtarët lajmin e mirë se do të falet çdo besimtar që nuk i bën shirk Zotit, dy ajetet e fundit të sures Bekare dhe dhuratën e pesë namazeve në ditë. (Elmalili, V, 3142)
MUAJI SHABAN DHE NATA E MIRË E BERAETITBurimet na rrëfejnë se Profeti ynë nuk ka agjëruar ndonjëherë dy muaj njëri pas tjetrit, me përjashtim të muajit shaban, gjatë të cilit tregonte kujdes t’i kalonte ditët agjërueshëm, si dhe dhe gjatë muajit Ramazan. (Tirmidhi, Savm 36; Ebu Davud, Savm, 57)
Kur e patën pyetur se cili agjërim është më i vlefshmi pas agjërimit të muajit Ramazan, Profeti (a.s.), i cili ndodhte që e kalonte gjithë muajin e Shabanit me agjërim (Buhari, Savm, 52) qe përgjigjur: “Shabani”. Madje pat shtuar edhe këto fjalë: Muaji Shaban është për të pritur muajin e Ramazanit. (Tirmidhi, Zekat,28) Po qe se është e nevojshme, numërojeni 30 ditësh”. (Buhari, Savm,11)
Në muajin e Shabanit i bie edhe nata e Beraetit, e cila i takon të jetë e pesëmbëdhjeta e këtij muaji.
Sahabet e njohur si myfesir, ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me natën e bekuar që përmendet në ajetin e sures Duhan, ku thuhet:
“Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar”. (Duhan,44/3) Kështu, Ibn Abasi e ka cilësuar këtë natë të bekuar si nata e Beraetit, ndërsa Ikrime dhe shumë myfesirë të tjerë e kanë cilësuar nata e Kadrit. (Elmalili, IV, 2523)
Disa dijetarë janë përpjekur të gjejnë të mesmen mes këtyre dy mendimeve, duke u shprehur se bëhet fjalë për dy lloj zbritjesh të Kuranit, si një tekst i plotë nga levhu’l-mahfudhi në qiellin e tokës, gjë që ngjau natën e Beraetit, e kjo lloj zbritjeje quhet ‘’inzal”; pastaj prej qiellit të tokës tek Profeti Muhamed (a.s.), pjesë-pjesë, gjë që ndodhi në natën e Kadrit, shpallje e cila quhet “tenzil”. (Cerrahoglu Ismail,Usul s. 43)
Në lidhje me këtë natë Profeti Muhamed ka thënë kështu:
“Kur të ketë kaluar gjysma e muajit Shaban, atëherë filloni t’i kaloni netët duke bërë adhurime, ndërsa ditët duke agjëruar.” (Tirmidhi, Savm,38; Ahmed Hanbel, VI. 238)Në disa hadithe thuhet se në këtë natë do të falen të gjithë robërit e kësaj bote, me përjashtim të mushrikëve, atyre që mbajnë armiqësi me të tjerët, atyre që nuk u binden prindërve të tyre, atyre që janë të dyshuarve për shkelje nderi, si dhe atyre që janë të dhënë pas pijeve. (Taxh II, 93; Elmalili, IV, 2492)
MUAJI I RAMAZANIT DHE NATA E KADRITMuaji Ramazan është muaji i nëntë i muajve hënorë. Ai është i vetmi muaj që përmendet në Kuran duke u thirrur me emrin që ka. (Bakara, 2/185)Veçoritë që e dallojnë këtë muaj nga muajt e tjerë janë këto: Kurani ka filluar të shpallet në këtë muaj (Bakara,2/185), nata e Kadrit që është më e mirë se një mijë muaj, gjendet në këtë muaj (Kadir, 97/1-5),
agjërimi është bërë farz dhe mbahet në këtë muaj (Bakara, 2/184), sunetet si namazi i teravisë dhe itikafi në xhami kryhen gjatë këtij muaji (Bilmen Nasuhi, Ilmihal 173-325), ndërsa sadakaja e fitrit është një adhurim financiar që është i veçantë për këtë muaj.
Ramazani, muaji gjatë të cilit mëshira hyjnore derdhet lumë mbi këtë botë dhe ndërgjegjja e adhurimit
arrin në piedestal, është muaji i adhurimit dhe koha kur besimtarët arrijnë majat e tyre në planin shpirtëror dhe material.
Nata e Kadrit, emrin e së cilës e mban edhe sureja e 97 e Kuranit, gjendet pikërisht në këtë muaj të bekuar.
Fjalët e kësaj sureje janë:
“Me të vërtetë ne e kemi shpallur Kuranin në natën e Kadrit. Nga e kupton ti se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj, gjatë së cilës në tokë zbresin melekët dhe Shpirti (Xhebraili), pasi kanë marr leje nga Zoti i tyre për të zgjidhur çdo lloj çështjeje.
Paqja do të mbretërojë në këtë natë deri sa të zbardhë agimi”.