Babai nuk më do, ai më rreh, më gjuan me rrip dhe nuk më lejon të shkoj në shkollë. Kështu e fillon rrëfimin e saj 13-vjeçarja S., e cila jeton në një fshat të Shqipërisë së veriut.
E pashpresë dhe e dëshpëruar, ajo ka mundur të gjejë mbështetje tek Linja e Këshillimit për Fëmijë, atje ku jemi njohur me rastin e saj. Fillimisht telefononte, por nuk gjente guximin për të folur.
Ashtu si tregon edhe këshilluesja e telefonatës, në fillim dëgjohej vetëm një frymëmarrje e rëndë e pak më vonë, aty-këtu, një zë i humbur. Dëshira për të shprehur ato që ndiente, transmetohej që prej telefonit, ndërsa frika e ndrojtja nuk e linin të vazhdonte.
Asnjëherë nuk kishte folur copëza nga jeta e saj me njerëz të tjerë, ndërsa mbante në shpirt “urrejtjen” e të atit.
Me telefonata të njëpasnjëshme, ndërsa koha kalonte, afeksioni e dëshira për të folur shtohej dita- ditës. Fillimisht, 13–vjeçarja arriti të artikulonte të dhënat e saj kryesore: ku jetonte, me kë ndante gjërat e përditshme e më pas “tragjedinë” e jetës së saj.
Prindërit e saj kanë një diferencë prej 22 vitesh me njëri–tjetrin, shkruan “Gazeta Shqiptare”, ndërkohë që vetë vogëlushja ka dy vëllezër më të vegjël, për të cilët kujdeset gjatë gjithë kohës.
“Babai nuk më ka dashur asnjëherë. Qysh e vogël mbaj mend që më mbante larg. Ai do vetëm vëllezërit e mi dhe me mua nuk është kurrë i kënaqur. Bëj gjithë punët e shtëpisë, sepse mami punon gjatë gjithë ditës. Babai ka qenë tre herë i martuar dhe ai nuk do askënd. Edhe nënën e tij e ka rrahur. Me mamin dhe me mua bën të njëjtën gjë. Më rreh kur mami nuk është në shtëpi, më gjuan me çdo gjë që ka në dorë: me këpucë, rrip dhe me sende të tjera. Kam njolla të zeza në trup, dhe për këtë arsye kemi shkuar edhe në polici. Por, ata e kanë mbajtur disa ditë dhe ai sërish është kthyer në shtëpi”, shpjegon vogëlushja.
S. rrëfen edhe përpjekjet që ka bërë për të qenë e dashur dhe e mbështetur nga babai, por sipas saj, këto përpjekje janë të kota. Andaj, ka vite që ndjen vetëm urrejtje dhe largësi për babanë e saj. Ndonjëherë ndihet fajtore, por nuk di çfarë duhet të bëjë që këto gjëra të mos ndodhin në familjen e saj. Do donte dhe ka menduar t’i japë fund jetës (veprim të cilin vetëm e ka menduar, por asnjëherë nuk ka tentuar ta kryejë). Ka momente kur mendon që është bukur të jetosh dhe ka momente që e mbyt trishtimi dhe mendon të kundërtën...
Ndodh që babai të mos ketë kontakt fare me të dhe kjo e bën të ndihet më mirë sesa kur ai është në shtëpi. Për vëllezërit e saj ka rol prindi: i ushqen, i vesh, pastron shtëpinë dhe punon gjatë gjithë ditës. 13 vjeçarja S. ka edhe shoqe, por nuk ka kohë pothuajse asnjëherë të luajë dhe të shijojë fëmijërinë.
Shpreh dashuri shumë të madhe për vëllezërit dhe për nënën, e ndoshta kjo është ajo që i jep shpresë e që e çon përpara në jetë. /Telegrafi/