Vendimi qeveritar i 23 majit të këtij viti për funksionalizimin e
komunës veriore të Mitrovicës ka mundësuar edhe plotësimin e një prej
kritereve të Pakos së Ahtisaarit, e cila parasheh administrimin e
Mitrovicës përmes dy komunave.
Kështu Mitrovica përfundimisht është bërë me dy komuna, ajo e vjetra
që gjendet në pjesën jugore dhe e reja..Objekti i komunës së re është në
Lagjen e Boshnjakeve. Aty tashmë është kryer e tërë puna logjistike,
pra janë vendosur kompjuterët dhe çdo gjë që iu duhet atyre të cilët
kanë për të punuar në komunën e Mitrovicës veriore. Të gjitha kontratat
janë të gatshme për stafin i cili është në rekrutim e sipër. Qeveria e
Kosovës në mbledhjen e saj të datës 23 maj ka miratuar hapjen e “Zyrës
Administrative në Mitrovicën Veriore”, pa thënë asnjë fjalë se me këtë
në fakt po krijohet komuna e re e qytetit të ndarë.
Ndërkaq, edhe Zyra Civile Ndërkombëtare e udhëhequr nga Pieter Feith
në komunikatën për media të njëjtën ditë, diplomati holandez është
cituar duke thënë: “Ky është hapi tjetër teknik drejt krijimit të një
komune të veçantë në Mitrovicën e Veriut, siç parashihet nga PGJS-ja”,
duke mos thënë se zyra e sapo hapur është në fakt vetë Komuna e
Mitrovicës Veriore./mesazhi/