Vlerat dhe begatitë e Shamit:
Vlerat dhe begatitë e vendeve të Shamit janë të shumta.
1- Prania e Xhamisë Aksa në Palestinë, e cila është një ndër vendet e Shamit. Vlerat dhe begatitë e kësaj xhamie i kemi përmendur më sipër.
2- I Dërguari i Allahut a.s. ka bërë lutje që Allahu ta bëjë Shamin të begatë.
Buhariu transmeton në Sahihun e tij nga Ibn Omeri, se i Dërguari i Allahut a.s ka thënë: “O Allah, bëje të begatë Shamin tonë! O Allah, bëje të begatë Jemenin tonë!”
3- Në tokën e Shamit ndodhet edhe mali Tur , ku Allahu e thirri Musain a.s, profetin e Tij. Ai xh.sh thotë: “Dhe Ne e thirrëm nga ana e djathtë e kodrës Tur, e afruam për t'i folur.” Ai xh.sh gjithashtu thotë: “Dhe kur arriti tek ai (zjarr) nga ana e djathtë e luginës së atij vendi të begatë me pemë, u thirr: “O Musa, s’ka dyshim se Unë jam Allahu, Zoti i botëve!”
Imam Begauiu thotë: “Allahu e ka bërë këtë vend të begatë, sepse Ai xh.sh i foli aty Musait dhe e bëri atë profet.”
Allahu është betuar për Turin në suren Et Tur dhe në suren Et Tin.
4- Vlerat e Shamit na janë treguar në shumë hadithe.
Transmetohet nga Zejd ibn Thabiti, se ka thënë: “Ne ishim duke ndenjur me të Dërguarin e Allahut a.s., kur tha: “Oh çfarë mirësie për Shamin!” Ne e pyetëm: “Ç’është kjo mirësi?” Ai a.s u përgjigj: “Melaiket e Mëshiruesit rrinë krahëhapur mbi të.”
Abdullah ibn Hauale r.a. transmeton nga i Dërguari i Allahut a.s, se ka thënë: “Do të vijë një ditë kur do të ketë ushtri të armatosura, ushtri në Sham, ushtri në Jemen dhe ushtri në Irak.” Ibn Hauale tha: “O i Dërguar i Allahut! Zgjidh njërën për mua që të shkoj me të nëse unë e arrij atë ditë!” Ai tha: “Unë të këshilloj të shkosh në Sham, sepse ai është më e miri i tokës së Allahut dhe atje do të shkojnë robërit më të mirë të Tij. Mirëpo nëse nuk shkoni atje, atëherë shkoni në Jemenin tuaj dhe pini nga burimet tuaja, se mua Allahu më ka besuar mbrojtjen e Shamit dhe mbrojtjen e banorëve të tij.”
Ky hadith dhe hadithe të tjera që flasin rreth mirësisë së Shamit dhe mirësisë së banimit në të, duken sikur bien në kundërshtim me atë që kemi thënë, në lidhje me vlerat e Medines dhe pëlqyeshmërisë së banimit në të. Mirëpo, duke ditur se vlera dhe mirësia e Medines është për çdo kohë dhe se mirësia e banimit në Sham është e kufizuar vetëm për kohën e fundit, kjo lloj mospërputhje në dukje bie poshtë.
Disa dijetarë kanë transmetuar se të gjithë dijetarët janë të një mendimi, se Shami është vendi më i mirë pas Mekes dhe Medines.