Një familje shqiptare është dëbuar nga qyteti i Velesit, nga presionet dhe dhuna e qytetarëve maqedonas.
Familja e Musli Ahmedov u largua javën e kaluar duke u vendosur në Shkup, pas shumë presioneve që ajo të braktisë shtëpinë e tyre dhe të largohet nga ky qytet, ku shqiptarët sic thuhet janë të padëshirueshëm.
Familja Ahmedov bëri të ditur se qytetarë maqedonas, kryesisht ish-pjesëtarë të forcave paramilitare gjatë konfliktit të vitit 2001 kishin kërcënuar familjen që të braktisin shtëpinë e tyre dhe të largohen nga qyteti i Velesit.
Familja Ahmedov para dy viteve përmes agjencisë së lajmeve INA kishte apeluar për terrorin dhe kërcënimet e ushtruara, mirëpo deri atëherë nuk kishte reaguar as organet e rendit, por edhe përfaqësuesit politik shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sidomos OSBE.
Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (FNDLNJ - IGFM), seksioni në Maqedoni, reagon fuqishëm ndaj akteve terroriste që po ndodhin në qytetin e Velesit ku grupe mafiozesh të drejtuar nga terroristët sllavo-maqedonase, me qëllime të errëta kanë ushtruar terror kundër familjes shqiptare të Musli Ahmedov për ta përzënë nga ky qytet.
"Ne, si organizatë ndaj këtyre akteve terroriste – mafioze i tërheqim vëmendje qeverisë maqedonase, qeverisë së Shqipërisë, trupit Diplomatik të huaj, partive politike shqiptare që të reagojnë dhe të izolojnë këto grupe terroristësh të cilët me mjete shpërthyese si bomba molotov, po tmerrojnë popullatën shqiptare myslimane. Këto lloj veprimesh po na dërgojnë sinjale se Maqedonia po kthehet në një vend i pasigurt, në një vend ku mund të shpërthejnë konfliktet me karaktere fetare dhe kombëtare. Organizata jonë habitet me heshtjen e partive politike shqiptare të cilat janë strukur në këto çaste ku familja shqiptare Ahmedov po kërcënohet me shfarosje", thekson IGFM.
Gjithashtu dënohet edhe mos veprimi në kohë i ambasadës së Shqipërisë e cila në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 8 e ka për detyrë që të mbrojë çdo shqiptar në çdo vend të botës që ndodhet.
"Na vjen keq që diplomacia shqiptare vetëm dëgjon dhe nuk reagon për të mbrojtur shqiptarët jetim të Maqedonisë të cilët janë të pa mbrojtur përball dhunës shtetërore dhe të grupeve terroriste mafioze të udhëhequra nga ish-ushtarakë të armatës sllavo-maqedonase. I tërheqim vëmendje BE, OKB, diplomatëve të huaj që rasti i familjes së Musli Ahmedovit nuk është i rastësishëm, por i planifikuar, prandaj kërkojmë kapjen e autorëve dhe dënimin e tyre me qëllim që në të ardhmen të mos na shpërthejë dhuna terroriste edhe nëpër qytete të tjera të Maqedonisë në këto çaste të krizës ekonomike dhe politike që po kalon vendi", thekson IGFM. Në qytetin e Velesit jeton një numër simbolik i shqiptarëve, ndërsa shumica prej tyre janë përqëndruar në zonat rurale. (INA)