(Një tregim fantastik që meriton të lexohet nga të gjithë)
Milingona, bretkosa dhe Sulejmani alejhi selam
Kjo është një ndër rrëfenjat e shumta që tregohen rreth profetit të Zotit, Sulejmanit alejhi selam. Siç dihet, ai gëzonte aftësinë për të komunikuar me gjallesat e tjera.
Thuhet se një ditë Sulejmani a.s qëndronte ulur në breg t liqenit. Në një moment ai sheh një milingonë me një kokër gruri duke e transportuar drejt liqenit. Me të mbërritur në breg, del një bretkosë e cila hap gojën ku hyn milingona. Mandej, bretkosa zhytet në ujë, ndërkohë që Sulejmani zhytet në mendime i çuditur nga ajo që i panë sytë. Më vonë, bretkosa doli sërish në breg, hapi gojën dhe milingona kërceu jashtë, por pa kokrrën e grurit.
Sulejmani a.s i thirri dhe e pyeti kush ishte, ku kishte vajtur dhe çfarë kishte bërë. Milingona iu kthye:”O profet i Zotit! Në thellësitë e këtij liqeni që të shohin sytë, gjendet një shkëmb, e brenda tij një zgavër boshe. Në këtë zgavër, jeton një krimb i verbër të cilin Zoti e ka krijuar në atë vend. Ai e ka të pamundur të dalë jashtë e të kërkojë ushqim. Prandaj, Zoti më ka ngarkuar mua ta furnizoj me ushqim. Është bretkosa ajo që më mban në gojën e saj, ku nuk më prek uji. Ajo më çon tek shkëmbi, hap gojën tek zgavra dhe unë i çoj krimbit kokrrën e grurit. Mandej, hyj sërish në gojën e bretkosës dhe ajo më nxjerr në breg.”
Sulejmani alejhi selam e pyeti:”A ke dëgjuar prej tij ndonjë lutje të veçantë?”
Milingona i tha:”Po. E kam dëgjuar të thotë:”O Ti që nuk më harron me rizkun Tënd në zgavrën e këtij shkëmbi, brenda ujit të liqenit! Mos i privo as robërit e Tu besimtarë nga mirësitë e Tua të pafund!”
Prandaj njeriu duhet ta kërkojë rizkun dhe të mos demoralizohet nëse vonohet. Zoti që e ka krijuar njeriun, e di më mirë se çfarë është më e dobishme për të.