Falënderimi i qoftë Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Paqja dhe lavdërimi qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin sal-lallahu alejhu ue selem, familjen dhe shokët e tij.
Në këtë shkrim do të qëndrojmë me fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe, ua ktheu shpinën dhe tha: “O dëshpërimi i im për Jusufin!”, dhe nga pikëllimi iu zbardhën të dy sytë, po i përmbajtur (nga pikëllimi).”[1]
Ky ajet kuranor e portretizon me saktësi gjendjen e këtij babai, Jakubit alejhi selam, që ka jetuar me vite në pritjen e birit të tij të dashur, Jusufit alejhi selam, kur papritmas i vjen lajmi edhe për birin tjetër, i cili ishte një pjesë e veçantë e dashurisë së tij që kishte për të. Allahu i Madhëruar e tregon këtë kur thotë: “Jusufi dhe vëllai i tij janë më të dashur te babai ynë sesa ne.”[2]
Atij nuk i mbeti rrugë tjetër përveçse të qëndronte larg tyre, pasi nuk dëshironte ta tregonte pikëllimin dhe dhimbjen e tij para askujt, nga frika se do të mendojnë se ai është i dobët. Por megjithatë sytë iu verbuan nga mërzia për të birin, sepse kjo është natyra e qenieve njerëzore. Pejgamberët e Zotit dhe të Dërguarit e Tij ndikohen në qoftë se ata i godet ndonjë fatkeqësi, por ata nuk e shfaqin dhe nuk e kundërshtojnë caktimin e Allahut. Të ndikuarit nga fatkeqësia nuk e mohon durimin.
Pejgamberi ynë, paqja qoftë mbi të, derdhi lot pikëllimi për Ibrahimin, djalin e tij, dhe kur disa nga shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur me ta, u habitën nga kjo që panë. Profeti, paqja qoftë mbi të, u tha atyre: “Syri le të lotojë, zemra le të pikëllohet, nuk themi përveç asaj që dëshiron Zoti ynë Fuqiplotë.”
Në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe ua ktheu shpinën e tha: “O dëshpërimi i im për Jusufin.”[3]
Vetëm për Jusufin të dëshpërohej? Thuhet se ai donte të përqendrohej në më të rëndësishmen, e kjo nuk do të thotë se kishte pakujdesi ndaj të tjerëve, me argument se ai kishte thënë para kësaj në ajetin 83: “...ka shpresë se Allahu do të m’i sjellë të gjithë…”[4]
Por ai nuk e dinte se ku ishte Jusufi , ndërsa Benjamini dhe vëllai i madh i tyre ai e dinte se ishin në Egjipt. Dëshpërimi më i madh është për atë që nuk i dihet vendi dhe ka kohë që është larguar.
Allahu i Madhëruar jep në Kuran fjalët e Jakubit alejhi selam: “O dëshpërimi i im për Jusufin”, dhe nga pikëllimi iu zbardhën të dy sytë, po i përmbajtur (nga pikëllimi).”[5]
Kur iu zbardhën të dy sytë Jakubit alejhi selam, disa mendojnë se ata iu zbardhën pasi tha këto fjalë. Ky është mendimi i disa komentuesve. E vërteta është se në këtë kontekst nuk aludon për një gjë të tillë. Unë jam menduar për këto fjalë dhe kam arritur ta kuptoj – dija i takon Allahut të Madhëruar – kjo mund t’i ketë ndodhur edhe më parë sepse shkronja “vav ” në ajetin 84 të lartpërmendur nuk tregon se pas dëshpërimit atij iu zbardhën sytë, megjithatë mendimi i parë është i drejtë.
Në fjalën e Allahut të Madhëruar thuhet: “…po i përmbajtur (nga pikëllimi).”[6], I pikëlluar, i brengosur për shkak të sprovave që përjetoi. Së pari humbi Jusufin, pastaj dy vëllezërit e tij dhe në fund të dy sytë, por sa herë që sprovat i shtoheshin, afrohej ndihma . Jakupi alejhi selam nuk e humbi shpresën nga mëshira e Allahut dhe fitoi në të dy botët. Allahu i Madhëruar ia solli të gjithë, ashtu siç ishte lutur. Ai fitoi me shpërblimin e durimtarëve dhe Zoti e la të përjetshëm rrëfimin mbi të në Kuran dhe e bëri shëmbëlltyrë deri në Ditën e Gjykimit.
Fjala e Allahut është më e vërteta: “Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi!”
Zoti ynë, bëna prej atyre që i pasojmë gjurmët e Pejgamberëve dhe shijojmë kënaqësinë me shoqërimin e tyre në Ditën e Gjykimit!
Shkroi: Prof.dr. Naser Omer
Përshtati: Rashit Zylfiu