Mësuesja me origjinë turke, Fatmagul Bilge, kandidate e Partisë Socialiste për këshillin e komunës Aalst në Belgjikë, ka tërhequr kandidaturën për shkak të presionit për ta hequr shaminë
Mësuesi e Islamit, biologjisë dhe informatikës, Fatmagul Bilge tha se në fillim e kishin pranuar me shami, por më vonë e ndryshuan qëndrimin, duke i thënë se nëse i fiton zgjedhjet lokale, duhet ta heqë shaminë.
"Ata kërkuan garanci prej meje, nëse fitoj në zgjedhje duhet ta heq shaminë në takime", tha Bilge.
Pasi refuzoi kërkesën, filluan presionet për tërheqje nga kandidatura.
"Kur na është kërkuar të fotografohemi për fushatën zgjedhore, një anëtar i partisë më tha ta heq shaminë. Unë e ftova kryetarin e partisë, dhe i thash se edhe para edhe pas zgjedhjeve nuk dua që shamia ime të jetë problem. Ai më tha se kanë biseduar për këtë, dhe janë dakorduar që t’më pranojnë me shami", tha Bilge.
"Ndoshta janë frikësuar nga lajmet në media. Më pyetën nëse do ta përziej fenë me politikën. Unë u thash që s’kanë pse të shqetësohen. Pyetja e tyre e dytë kishte të bëj me shaminë. Ata më thanë se duhet ta heq shaminë në mbledhjet e Kuvendit. Unë ua kujtova edhe një herë se për këtë kishim biseduar dhe nuk ekziston asnjë ligj i cili më detyron ta bëjë këtë. Kemi biseduar shumë gjatë, por nuk u pajtuam. Në fund më thanë se do të më thërrasin dhe shkuan", tha Bilge.
Ajo tha se politikanët e Partisë socialiste kanë filluar të bëjnë presion që ajo të heqë dorë nga kandidatura. Bilge shtoi se pas largimit të saj disa politikanë nga Partia socialiste kishin deklaruar se ajo është besimtari ekstreme.
Në qytetin Aalast, që ndodhet 30 kilometra larg Brukselit, jetojnë rreth 8.000 banorë, shumica prej tyre janë turq.
Kryetari i Partisë Socialiste në Aalst ka thënë se ata duan të punojnë me njerëz që e pranojnë vizionin e tyre, duke shtuar se në këtë rast shamia ishte vetëm simbol.