Autoritetet ushtarake iraniane, të cilat realizuan testimin e 4 raketave të prodhuara për t'u përdorur kundër anijeve luftarake, deklaruan se industria e tyre e mbrojtjes ka perfeksionuar edhe një avion të ri të telekomanduar me reze të gjatë fluturimi.
Tensioni në Grykën e Hormuzit rezulton ende i lartë për shkak të programit bërthamor të Teheranit dhe deklaratave kërcënuese të Izraelit se mund të vihet në veprim i vetëm kundër Iranit.
Analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare tërheqin vëmendjen se testimi i raketave iraniane është realizuar në të njëjtën kohë me stërvitjen e përbashkët, që flota amerikane filloi në Gjirin Persik bashkë me të paktën 20 vende të tjera.
Ali Fadavi, një prej komandantëve të Gardës së Revolucionit të Iranit, njoftoi se po përgatiten për të bërë në një të ardhme të afërt një stërvitje detare tërësore në rajon.
Nga ana tjetër, Irani bëri të ditur se ka prodhuar edhe një avion të ri të telekomanduar me reze të gjatë fluturimi, që do të përdoret për zbulim.
Mjeti ajror pa pilot në fjalë është quajtur "Shahid-129" dhe mund të fluturojë deri në 24 orë pa ndërprerje.
Komandanti i njësisë përgjegjëse për hapësirën ajrore të Iranit, Gjeneralarmate Emir Ali Haxhizade, i cili dha informacione lidhur me avionin e telekomanduar "Shahid-129", theksoi se rrezja e fluturimit të këtij mjeti, prodhuar dhe përsosur plotësisht nga inxhinierë iranianë, është 2.000 kilometra.
Rrezja e lartpërmendur korrespondon me dyfishin e distancës së fluturimit, që mund të përshkonin mjetet ajrore të telekomanduara iraniane deri më sot. Kjo distancë është e mjaftueshme për të bërë zbulim në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme, përfshi këtu edhe Izraelin./trt/