- Cito :
- Kjo botë është tre ditë; dje, sot dhe nesër. Dita e djeshme kaloi, e nesërmja nuk dihet se a do të vijë apo jo?! Pra vlerësoje ditën e sotme!
O njeri! S’të pret koha të mendosh për të djeshmen që të kaloi e as për të nesërmen që akoma s’ka ardhur.
Të mendosh rreth të kaluarës dhe të dëshpërohesh nga të këqijat e saja është çmenduri dhe vrasje e dëshirës për jetën e tashme. Tek të mençurit fletët e së kaluarës shuhen dhe nuk transmetohen, ato mbyllen njëherë e përgjithmonë në burgun e harresës, duke u lidhur e shtrënguar fort që mos të dalin kurrë. Mos! Mos jeto në ëndrrën e kaluar, e as mos rri nën hijen tradhtare që humbet shpejt, zgjoje veten nga gjumi që të lodh.
Vallë, a dëshiron dhe a mund ta kthesh lumin në rrjedhën që doli e rrodhi?! Po diellin pasi lindi?! Po a mund ta rikthesh fëmijën në shtratin e barkut të nënës së vet?! Po qumështin, a mund ta futni e ta ktheni aty në gjoks ku ishte?! Po lotin a e kthen në sy pasi të derdhet?!
Jo kurrë…! Ajo që doli u bë dhe shkoi, kaloi, nuk kthehet më. Për këtë shkak, mos jeto me të kaluarën që të verbohesh e të humbësh, të digjesh me zjarrin e saj që s’shuhet. Ai që e do të kaluarën dhe i kthehet asaj është si ai i cili e bluan miellin që në esencë është i bluar.
Era që fryn gjërat i merr përpara, e nuk i lë pas! Gjithashtu, edhe uji që rrjedh shkon përpara e nuk kthehet pas! Nëse thellohemi, kuptojmë se të gjithë ecin përpara e nuk shkojnë pas. Ndaj, as ti mos shko kundër rregullit të jetës, e të prishësh zakonet e saj…!
Kur të zgjohesh në mëngjes, mos e prit mbrëmjen, se ndoshta kjo ditë është e fundit për ty. E gjithë jeta jote është një ditë e vetme, në mëngjes ngjallesh e në mbrëmje vdes, dhe nuk kthehesh më. Pra, mos e humb këtë ditë që peshon sa jeta.
Mos vepro para kohe, a dëshiron të nxjerrësh foshnjën para plotësimit të muajve, e ta këpusësh frytin para se të piqet?! Është marrëzi ta tresësh mendjen atje ku s’ke punë, e nesërmja është e humbur dhe e fshehur, ti s’e di si të vjen, e ç’të sjell me vete. Përse pra, ta lodhim trurin me imagjinata që s’do të ndodhin.
Ndoshta largohesh nga kjo botë që sot, para se të vijë e nesërmja, a mos kujton se e kalove urën pa shkelur mbi të – kush e di?!
Ta lodhësh trurin me mendime për të ardhmen dhe të orvatesh ta çelësh librin e së panjohurës e të të tregohen ndodhitë është diçka e papëlqyer që sjell shqetësime.
Ndalo dhe thuaj: Vetëm për ty oj e sotme jetoj, e nuk të kujtoj ty oj ditë e djeshme e të humbi të sotmen, se ti shkove dhe përfundove, rrezet tua perënduan si ato të diellit. Nuk lotoj, e as nuk të ëndërroj, se ti na braktise dhe ike prej nesh, e s’do të kthehesh më kurrë. Ty oj ditë e nesërme që gjendesh në botën e panjohur nuk të jetoj në ëndrra, sepse ti s’je asgjë, pasi ende nuk ke arritur!
O njeri! Ngjyrosi sekondat tua, orët tua, ditën tënde, me ngjyrat më të bukura! Mos jeto bardhë e zi me të kaluarën dhe të ardhmen. Mëso ta vlerësosh atë që ke, përpara se koha të të mësojë ta vlerësosh atë që kishe. E kuptoj se të kanë mpirë hallet!
Por ka ardhur koha t’i shërosh mendimet e tua të shtrembra me udhëzimin. Duhet ta heqësh shtresën e errësirës që të mbulon për ta parë ndriçimin e diellit të vërtetë; duhet ta zëvendësosh hidhëtinë e pikëllimit tënd me ëmbëlsinë e gëzimit, sepse nuk ka njeri që s’përjeton brenga. Jeta është e tillë.
Këpucët që i përshtaten një personi e lëndojnë tjetrin, nuk ekziston recetë për jetën e cila i përshtatet gjitha rasteve. Ti sot, e shënon librin me veprat tua ndërsa nesër do ta lexosh atë, andaj, zbukuroje me shënime që të gëzohesh me lexim!
Për ditën tënde o njeri, rezervo vepra në librin e lumturisë!
Mevlan Kurtishi II-A