“Bashkimi Evropian do të jetë ai që do të humbë më shumë nëse Turqisë nuk do t’i jepet anëtarësia brenda dhjetë viteve të ardhshme”.
Kjo ishte deklarata e fortë e bërë nga kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një vizite zyrtare në Bruksel.
“Kjo është një çështje që nuk mund të zgjasë përjetësisht. Nëse anëtarësimi do të vazhdojë të zgjatet dhe të zvarritet në këtë mënyrë, në fund BE do të përfundojë duke e humbur Turqinë dhe kjo do të jetë e dëmshme në radhë të parë dhe mbi të gjitha vetëm për Bashkimin Europian”, vazhdoi deklaratën e tij të ashpër kreu i qeverisë turke.
“Një vend me shumicë muslimane, ndonëse laik, me 74 milionë banorë, vetëm sa mund ta forcojë Bashkimin Europian. Gjashtë milionë turq jetojnë tashmë në BE, me më shumë se tre milionë të tillë në Gjermani”, shtoi kryeministri.
Turqia do të festojë 100-vjetorin e themelimit të saj nga rënojat e Perandorisë Osmane në vitin 2023 dhe deklarata e Erdogan përbën kufirin e parë të vendosur nga një politikan turk, për përfundimin e bisedimeve të anëtarësimin ose tërheqjen nga ky proces.
Turqia aplikoi zyrtarisht për anëtarësimin në vitin 2005, por ka arritur të përmbushë vetëm një prej 35 kritereve të kërkuara deri tani. Mosplotësimi i standarteve për të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe problemet me një vend anëtar si Qipro, pas luftës së vitit 1974 që ndau ishullin, janë pengesat kryesore që parashtrohen përpara Turqisë.
Megjithatë, në disa raste në të shkuarën, Ankaraja ka bërë të qartë se nuk është e gatshme të presë pafundësisht dhe se mund të tërhiqet nga procesi nëse nuk do të shihet një vullnet konkret edhe nga ana e Brukselit për të pritur në gjirin e bashkësisë evropiane vendin e ndarë midis kontinentit evropian dhe atij aziatik./Indeksonline/