Në Katar është duke u përgatitur xhirimi i filmit për jetën e Pejgamberit Muhamed a.s., i cili do të ndahet në tri pjesë
Drejtor i kompanisë "Nur" nga Katari, Ahmed Hasimi, ka deklaruar se pas filmit kontrovers të xhiruar në Amerikë, ku fyhet fytyra e ndritur e Pejgamberit Muhamed a.s., dhe që ka shkaktuar trazira në botë, kjo shtëpi ka ndarë një buxhet prej 450 milionë dollarë për xhirimin e filmit për jetën e tij.
Hasimi tha se skenari i këtij filmi ka filluar në vitin 2009 dhe tashmë gjendet në fazën përfundimtare. Ai, gjithashtu ka thënë se ky film përçon mesazhet pozitive të Pejgamberit a.s. për të gjithë njerëzimin. Ky do të jetë një lloj reagimi ndaj filmit provokues që ka shkaktuar trazira dhe gjakderdhje në botë.
"Gjatë përgatitjeve për skenarin e filmit, jemi konsultuar me shumë dijetarë islamë si Jusuf el-Kardavi. Kontributi i tyre ka qenë në kuadër të respektimit të ligjit dhe rregullave islame. Ne duam që botës t’ia dërgojmë mesazhin rreth jetës dhe veprës së Pejgamberit a.s., i cili është krejt ndryshe nga filmi i xhiruar në Amerikë, që fyen veprën dhe karakterin e tij", tha ai në një intervistë për agjencinë Anatolia.
Duke vënë në dukje se një nga qëllimet e kompanisë "Nur" është promovimi i jetës dhe veprës së Pejgamberit, Muhamed a.s., Hasimi tha se kjo kompani deri më sot ka publikuar një libër për jetën e Pejgamberit a.s., i cili është shtypur në gjashtë gjuhë dhe është shpërndarë në 250 mijë kopje, dhe vepra tjera me përmbajtje të njëjtë.