Universiteti më i vjetër islam në botë Al-Azhar është shqetësuar nga lajmi që vjen nga Irani, se në atë vend po përgatitet incizimi i filmit për Pejgamberin e Zotit, ku pritet të shfaqet figura e Muhammedit a.s.
Al-Azhar kundërshton fuqishëm paraqitjen e figurës së Pejgamberit të Zotit, duke konsideruar se në këtë botë nuk ekziston asnjë njeri që mund të interpretojë saktësisht karakterin dhe veprat e tij.
Prandaj, kryemami dhe rektori i këtij universiteti ftojnë dijetarët iranian të ngrihen kundër synimeve të producentit për paraqitjen e figurës së Muhamedit a.s.
Këshilltari i lartë në Al-Azhar, Sheikh Shafi’i ka thënë se shfaqja e figurës së Pejgamberit të Zotit nuk është mëkat më i vogël se karikaturat, në të cilat Pejgamberi a.s. paraqitet si terroristë i fshehur.
Është e njohur se fetvatë e lëshuara nga Akademia për hulumtime islame dhe Universiteti Al-Azhar shfaqjen e figurave të Pejgamberëve të Zotit, ashabeve dhe dhjetë personave që u është premtuar Xhenneti e kanë karakterizuar si mëkat të madh.
Regjisori i filmit me titull "Muhammedi, alejhis-selam", ka bërë të ditur se njëri nga aktorët do të interpretoj figurën e Pejgamberit të Zotit. Filmi fillon me sulmin e udhëheqësit jemenas Ebrehasë me ushtrinë e tij në Mekë, që në Kur’an njihet si Ashabul-fil (ushtria e elefantit).