Autobusi me të cilin kthehesha nga puna, si zakonisht, ishte i stërmbushur me njerëz, të cilët më shtynin andej këndej, e kjo ma shtonte më tepër nervozizmin që e kisha.
Papritmas dëgjova një zë të thellë nga pjesa e përparme e autobusit:
"Sot është një ditë e bukur!"
Kush mund të jetë ky njeri që kjo ditë e vranët e me shi, dhe në këtë autobus me plot njerëz t’i duket e bukur. U mundova ta shoh, por turma e madhe ma pamundësonte këtë.
Mezi prisja të mbërrija në stacionin tim, të zbres nga autobusi dhe të ikja nga kjo rrëmujë e krijuar.
Ja arrita në stacionin tim. Fillova të “përpihem” përmes turmës dhe të arrij deri te dalja. Dola nga autobusi..., dhe në vend se të eci, u ndala. Kureshtja më shtynte ta shoh njeriun të cilit kjo ditë i dukej e bukur. Ktheva kokën dhe pash një njeri me mjekër të zezë, me syze të zeza dhe me një shkop të bardhë në dorë.
Ishte i verbër!
Në atë moment ndjeva një keqardhje ..., jo për njeriun, por për veten time.
Krijuesi më takoi me njeriun e verbër që unë të shoh. Të shoh, se ndonjëherë edhe pse gjërat shkojnë keq... edhe pse unë mendoj se çdo gjë është e zezë dhe e mjerueshme, bota vazhdon të jetë e bukur.
Me hapa të shpejtë vazhdova rrugën për në shtëpi, dhe mezi prisja t’i takoj të dashurit e mi e t’ju them se “sot është një ditë e bukur!"