Falenderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
أَفَمَن شَرَحَ اللَّهُ صَدْرَهُ لِلْإِسْلَامِ فَهُوَ عَلَى نُورٍ مِّن رَّبِّهِ فَوَيْلٌ لِّلْقَاسِيَةِ قُلُوبُهُم مِّن ذِكْرِ اللَّهِ أُوْلَئِكَ فِي ضَلَالٍ مُبِينٍ
“Atij që Allahu ia ka zgjeruar kraharorin (zemrën) në Islam, ai është në një dritë të sigurtë prej Zotit të vet. Të mjerët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin Allahun, të tillët janë në humbje të qartë.” (39:22)
Të nderuar vëllezër!
Qëndrueshmëria e zemrave është nevojë e domosdoshme për t’i sfiduar shqetësimet dhe turbullirat e kohës. Zemra i nënshtrohen ndryshimeve dhe shumë shpesh ndërron drejtimin zaten ajo përjeton variacione dhe luhatje serioze, duke përjetuar atentate nga më të ndryshmeve. Sprovat e shfaqura nga më të ndryshmet duke filluar prej dyshimeve dhe dëshirave, kanë kontestuar stabilitetin e gjymtyrës bazë e cila është zemra. Për të pasur mundësi që ta ruajmë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e zemrës duhet t’i referohemi këshillave dhe udhëzimeve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Në vazhdim po ofrojmë dy rekomandime bazë:
1.Besimi në Allahun e Lartësuar dhe lutja për stabilitet.
Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:
يُثَبِّتُ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الآخِرَةِ وَيُضِلُّ اللَّهُ الظَّالِمِينَ وَيَفْعَلُ اللَّهُ مَا يَشَاءُ.
“Allahu forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët Allahu i bën të humbur. Allahu punon çka të dojë.”(14:27)
Besimtari me besim të thellë duke e dëshmuar në format praktike e gjithë kjo sistemon jetën në këtë botë dhe botën tjetër. Ky është shkaku më kryesor për një stabilitet të qëndrueshëm. Nëse besimtari është besnik në fjalën e Allahut, duke pranuar udhëzimet, ai do ta rrisë nivelin e sigurisë edhe më tepër, Allahu i Lartësuar thotë:
وَلَوْ أَنَّهُمْ فَعَلُوا مَا يُوعَظُونَ بِهِ لَكَانَ خَيْرًا لَهُمْ وَأَشَدَّ تَثْبِيتًا…
“Po sikur të zbatonin atë që këshilloheshin do të ishte më mirë për ta dhe do t’i stabilizonte më shumë.”(4:66)
Po ashtu, nuk duhet harruar edhe nevojën e lutjes, sepse zemrat janë të dobëta, shejtani shumë lehtë mund të manipuloj. Insistimi në lutje duke kërkuar ndihmën e Allahut të Lartësuar për drejtim dhe përforcim të sigurtë është nevojë jetësore.
رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِنْ لَدُنْكَ رَحْمَةً إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ
“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, sepse vetëm Ti je dhuruesi i madh”.
Gjithashtu edhe lutjen e shpeshtë që praktikonte Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte:
يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ
‘’O Shëndrues i zemrave, përqëndroje zemrën time në fenë tënde!’’(Transmeton Termidhiu)
Ndjenja e nevojës për stabilitet duhet të jetë prezente çdo herë tek besimtari, të kujtojmë fjalën e Allahut të Lartësuar ku i thotë Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) :
وَلَوْلَا أَنْ ثَبَّتْنَاكَ لَقَدْ كِدْتَ تَرْكَنُ إِلَيْهِمْ شَيْئًا قَلِيلًا
“Dhe po të mos të kishim bërë Ne ty (Muhamed) të qëndrueshëm, ti gati do t’u ishe dhënë pak atyre (me qëllim udhëzimi).” (17:74)
2. Largimi nga mëkatet.
Mëkatet e përmbysin zemrën e njeriut dhe e fundosin në humnerat e errëta. Largimi nga të gjitha kategoritë dhe llojet e mëkateve është çështje parësore. Duke u tërhequr nga mëkatet bëjmë pastrimin e zemrës nga ndyrësitë dhe poshtërsitë e ateizmit dhe politeizmit në njërën anë dhe në anën tjetër nga papastërtitë dhe qelbësirat e imoralitetit. Allahu i Lartësuar porosit të Dërguarin e Tij duke i thënë:
يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ . قُمْ فَأَنذِرْ . وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ . وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ . وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ .
“O ti (Muhamed) i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i këshilluar)! Dhe Zotin tënd (Allahun) madhëro! Dhe rrobat e tua pastroi (ndyrësitë)! Dhe të keqes së ndyrë (idhujt) largohu!(74: 1-5)
Pjesa dërmuese e komentuesve të Kuranit për fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe rrobat e tua pastroi (ndyrësitë)!”, qëllime me rroba është zemra, kurse fjala pastro është për qëllim përmirësimi dhe korigjimi i veprave dhe i sjelljeve.
Zemra me mëkate që nuk pranon dëlirësinë përjeton poshtërimin, Allahu i Lartësuar na tërheq vëmendjen për kategoritë hipokrite dhe gënjeshtare duke thënë:
أُوْلَئِكَ الَّذِينَ لَمْ يُرِدْ اللَّهُ أَنْ يُطَهِّرَ قُلُوبَهُمْ لَهُمْ فِي الدُّنْيَا خِزْيٌ وَلَهُمْ فِي الآخِرَةِ عَذَابٌ عَظِيمٌ
“..Ata (hipokritët dhe jehudët) janë të cilëve Allahu nuk deshi t’iu pastrojë zemrat (prej mosbesimit dhe hipokrizisë) për ta ka poshtërim në këtë botë, kurse në botën tjetër ndëshkim.” (5:41)
Përmirësimi dhe spastrimi i zemrave po të bëhet duke u larguar nga mëkatet krijon klimën e stabilitetit ku më pas lehtësohet pranimi i të vërtetës. Othmani r.a. thotë:
“Po të pastrohen zemrat tona, kur nuk do të ngopen (kënaqen) nga fjalët e Allahut.”
Zemra e pastër përjeton jetën, dritën dhe shpëtimin duke u kënaqur me fjalët e Allahut, Kuranin, duke u ushqyer me faktet dhe të dhënat e Tij dhe duke u mjekuar me udhëzimet e Tij.
Të nderuar vëllezër!
Allahu i Lartësuar nuk e krijoi njeriun pa qëllim dhe pa vlerë, por e bëri vendburim për t’i pranuar urdhërat dhe ndalesat nëpërmjet lëndës si diturisë dhe punës. Pa dyshim që përgjegjësi parësore mbajnë organet e përmendura në fjalën e Allahut të Lartësuar:
إِنَّ السَّمْعَ وَالْبَصَرَ وَالْفُؤَادَ كُلُّ أُوْلَئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْئُولاً
“..S’ka dyshim që të ndëgjuarit, të shikuarit dhe zemra , secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në Ditën e Llogarisë).” (17:36)
Pasi që zemra është organi kryesor në mesin e organeve tjera, kështu i përngjet presidentit që menaxhon me strukturën shtetërore, atëherë edhe zemra mban përgjegjësinë më të madhe. Kemi të bëjmë me një zemër të shëndoshë dhe të qëndrueshme, duke kërkuar vetëm kënaqësinë e Allahut të Lartësuar në fjalët e Tij.
اللَّهُ نَزَّلَ أَحْسَنَ الْحَدِيثِ كِتَاباً مُّتَشَابِهاً مَّثَانِيَ تَقْشَعِرُّ مِنْهُ جُلُودُ الَّذِينَ يَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ ثُمَّ تَلِينُ جُلُودُهُمْ وَقُلُوبُهُمْ إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ ذَلِكَ هُدَى اللَّهِ يَهْدِي بِهِ مَنْ يَشَاءُ وَمَن يُضْلِلْ اللَّهُ فَمَا لَهُ مِنْ هَادٍ [الزمر : 23]
“Allahu e zbriti fjalën më të mirë, një libër (Kuranin), pjesët e të cilës përngjasin njëra tjetrës në vërtetësi, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurat dhe zemrat e tyre që kanë frikë Zotin e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e le të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” (39:23)
Të gjithë të angazhohemi për qetësi dhe rahati shpirtërore, duke pranuar udhëzimet e lartpërmendura, vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi të jemi të qëndrueshëm dhe stabil.
Allahu im! Çliroji zemrat tona nga prangat e ateizmit dhe imoralitetit! Vendosi ato nën dritën e udhëzimit, frikës dhe respektit ndaj Teje!
Allahu im! Ty të takon falënderimi dhe vetëm nga Ty kërkojmë faljen dhe mbështetjen!
Përgatiti: Ulvi Fejzullahu – Bujanoc