Kurani e krahason imanin me një pemë frutore që i ka rrënjët e thella, degët të përhapura dhe që prodhon fruta në të gjitha stinët.
E shtune 16 Mars 2013 16:32 Një nga keqkuptimet më të zakonshme të kohëve të sotme është supozimi, se mjafton pohimi i besimeve të caktuara të një njeriu, që ai të shpëtojë. Kjo bëhet duke mohuar dhe duke mos marrë parasysh veprat e mira dhe parimet morale. Fillimisht ky keqkuptim u kufizua në sekte të caktuara. Megjithatë, tani ka hyrë në gjithë trupin e besimtarëve, kështu që është e vështirë të dënohet. Pavarësisht nga popullariteti i tij, duhet të pohojmë, se ky keqkuptim është në kundërshtim me mësimet e Kuranit dhe Sunetit të profetit. Pothuajse në çdo rast kur Kurani e këshillon njeriun të besojë, ai kërkon në të njëjtën kohë, që njeriu të bëjë vepra të mira. Prandaj është e qartë, që këto dyja ndërthuren me njëra -tjetrën. Nga çdo besimtar pritet, që ai të bëjë vepra të mira. Për shembull: “E besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrënqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. Dhe të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam, ata japin. Të tillët janë besimtarë të vërtetë”. (El-Enfalë: 2-4) Kurani e krahason imanin me një pemë frutore që i ka rrënjët e thella, degët të përhapura dhe që prodhon fruta në të gjitha stinët: “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart. E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet çdo kohë”. (Ibrahim: 24 –25) “Pema e mirë” në ajetin e mësipërm nënkupton imanin. Rrënjët e saj të thella nënkuptojnë besimin, që depërton thellë në natyrën njerëzore. Me fjalë të tjera, nuk është diçka sipërfaqësore pa rrënjë, apo diçka që mund të nxirret në sipërfaqe me lehtësi. Në një kontrast të madh me të është mosbesimi që nuk ka baza të sigurta (Ibrahim: 26). Besimi është si një pemë e fortë, që nuk shembet nga stuhitë. Për më tepër ai jep fruta në çdo stinë. Degët e tij të përhapura krijojnë hije dhe strehim për të gjithë. Këtu aluzioni u referohet bekimeve, që rriten nga jeta fetare e një besimtari. Ata që janë në kontakt me të, marrin shumë përfitime prej tij. Këto përfitime tregohen në jetën praktike dhe pohojnë besimin e tij. Ai e ndihmon besimtarin të arrijë lartësimin dhe madhështinë, ashtu si deklarohet nga Allahu: “...te Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon” (Fatir: 10). Nga ky ajet mësojmë, se fjalët e mira ngrihen, por kanë nevojë për mbështetje, që sigurohet nga veprat e mira. Duke e marrë me këtë kuptim, besimi mund të krahasohet me hardhinë, që lulëzon sapo të mbështetet – pa mbështetje nuk mund të rritet mirë, ndoshta fare. Duke u kthyer tek analogjia e mësipërme, mund të themi se besimi i vërtetë është pjesë e bindjes së plotë ndaj profetit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të). Sjellja e një njeriu duhet të japë fakte të shumta për besimin e tij. Nëse pohimi i besimit të një njeriu nuk provohet nga emulacioni i modelit të profetit, ai njeri nuk ka besim. Nuk mund të themi se ai, që nuk mund ta provojë besimin e tij nga këto fakte, nuk mund të konsiderohet një besimtar. Kurani thekson: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty, as të asaj para teje) derisa të të zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të binden sinqerisht”. (En - Nisa: 65) Ajeti i cituar u drejtohet hipokritëve, të cilët bënë një shfaqje të përqafimit të Islamit, sepse u frikësuan nga fuqia e tij që po rritej shpejt. Megjithatë ata ruajtën marrëdhënie të afërta me hebrenjtë brenda dhe rreth Medinës dhe kishin akoma pushtet të kufizuar politik, sepse akoma nuk ishte shpallur plotësisht shteti islam. Këta hipokritë i çuan çështjet e tyre në gjykatat hebreje dhe jo tek profeti (paqja dhe bekimet qofshin mbi të), duke shpresuar se me anë të rryshfetit dhe mjeteve të tjera të padrejta, do të kishin mundësi të ndikonin tek gjykata dhe vendimi do të ishte në favorin e tyre. Besimi kërkon, që ata ta marrin profetin (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) si sunduesin më të lartë dhe t’i binden urdhrit të tij. Nëse ata nuk veprojnë kështu, pretendimi i tyre për besimin nuk mund të pranohet. Kurani e përmend këtë pikë diku tjetër: “Besimtarë janë vetëm ata që i besuan Allahut, të dërguarit të Tij, e pastaj nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit”. (El Huxhuratë: 15) *Amin Ahsan Islahi (1904-1997) ishte një nga dijetarët kryesorë të nënkontinetit indian. Ai përpiloi një koment me nëntë volume të Kuranit dhe është autor i shumë librave. Ligjëratat e tij shprehëse dhe shkrimet për dauan (thirrjen islame), shtetin islam dhe për tema të tjera, kanë frymëzuar breza të tërë muslimanësh të rinj.[justify]