- Në qoftë se nuk dëshironi të hyni në gjendjen poshtëruese të skllavërisë, ejani në vete dhe hyni e kërkoni mbrojtjen në kështjellen e ,"Padyshim që besimtarë janë vëllezër" me qëllim që ta mbroni veten tuaj prej atyre shtypësve të cilët shfrytëzojnë mosmarrëveshjet tuaja të brendshme.
"S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj.
Largoje të keqen me atë që është më e mirë!. Pastaj ja, ai mes të cilit dhe mes teje pati armiqësi (do të bëhet) si të ishte mik i ngushtë.(Të shpëtuar janë) edhe ata të cilët e falin njëri-tjetrin, vërtet All-llahu i do shumë bamirësit. "
Ndër shkaqet më kryesore për ndasitë dhe përçarjet mes besimtarëve janë:
inati, xhelozia, urrejtja dhe ambiciet ndjellakeqe të cilat çojnë deri në hipokrizi.
Të gjitha këto janë të papranuara dhe të dënuara. Ato në tërësi i gjykon realiteti, urtësia dhe shpirtgjerësia Islame.
Po ashtu duhet ditur se armiqësia është dëm i rrezikshëm, shkatërron jetën shpirtërore të njeriut, atë personale dhe shoqërore.
Madje, është helm që helmon jetën njerëzore.
- Me të vërtetë armiqësia e njeriut ndaj vëllait të tij realisht është një krim.
O ti që zemrën tënde e ke mbushur me urrejtje dhe armiqësi ndaj vëllait tënd besimtar dhe që të mungon urtësia!
Merr një shembull: sikur ti ndodhesh në një anije (barkë) ose në një shtëpi ku së bashku me ty janë edhe nëntë persona të mirë dhe një kriminel. Ti vëren se dikush po orvatet të fundosë anijen ose të rrënojë shtëpinë mbi ju. S'ka dyshim se në atë çast ti do të thërrasësh me zë të lartë duke kundërshtuar atë që orvatet të bëjë zullum mbi ju, pasiqë nuk ka ligj që lejon fundosjen e anijes në të cilën gjenden nëntë kriminelë por në atë është një i pafajshëm.
Pasi ajo është një zullum i pashoq dhe një akt i turpshëm, po ashtu armiqësia dhe urrejtja jote ndaj besimtarit i cili është ndërtesë dhe anije e Zotit. Pse në të gjendet një ves i keq ti e urren atë dhe e sheh të rrezikshëm, edhe pse ai posedon nëntë cilësi të mira madje mund të ketë njëzet sosh: Siç është imani i tij, Islami i tij, fqinjësia etj.
Armiqësia dhe xhelozia ndaj tij të nxisin padyshim në fundosjen e anijes së ekzistimit ose zhdukjes së qenies së tij, për një gjest të tij që ty stë pëlqen e kjo nuk është asgjë tjetër përpos se një krim dhe armiqësi e turpshme.
- Armiqësia sipas vështrimit të urtësisë është krim, ngase armiqësia dhe dashuria në esencë janë dy gjëra të kundërta që nuk mund të bashkohen dhe kjo është shumë e qartë, siç nuk mund të bashkohen drita dhe errësira në kuptimin e vërtetë.
Kur në një zemër mbizotëron dashuria dhe arsyet për të janë të bollshme, ajo ngulitet në zemër, atëherë armiqësia mbetet artificiale bile ajo shndërrohet në ngrohtësi dhe dhimbje (ndaj tjetrit) ngase besimtari e do vëllanë e tij dhe i takon që ta dojë, ndërsa çdo sjellje të papëlqyeshme që ai e sheh tek vëllai i tij ai brengoset për të dhe i dhimbset.
Ai duhet të përpiqet dhe të kontribuojë për përmirësimin e tij me urtësi dhe mençuri e jo me fuqi e presion.
Transmetohet në hadithin e Muhammedit s.a.v.s. ku thuhet:
"Nuk i lejohet besimtarit hidhërimi me vëllain e tij më shumë se tri ditë, (kur) ata takohen dhe njëri tjetrit ia kthejnë fytyrën, më i miri nga ata është ai që i pari i jep selam vëllait të vet"
Kur mbizotrojnë hidhërimi dhe armiqësia, në atë rast dashuria shndërrohet në formalitet dhe njeriu mundohet në mënyrë artificiale të paraqitet si dashamir i të tjerëve. Andaj kije parasysh o zullumqar, se sa zullum i madh është kur besimtari urrenë dhe e armiqëson vëllain e vet (musliman).
Kjo i ngjan sikur t'i konsiderosh disa guralecë të thjeshtë më të çmuar se Qabeja e bekuar dhe më të mëdhenj se kodra e Uhudit. Me këtë vlerësim ti dëshmon një çmenduri të hatashme.
Çmenduri e njëjtë është kur i zmadhon rrëshqitjet dhe gabimet e vëllait tënd të cilat janë të vogla dhe të thjeshta sa guralecat ndërsa ti ato i konsideron më të rëndësishme se imani i vëllait tënd dhe më të mëdhenj se Islami i tij. Ai me imanin që posedon është i bekuar sikur Qabeja dhe me Islamin është më i madh se kodra e Uhudit, zmadhimi i gabimeve të vëllait tënd nga ana yte mbi vlerën e imanit dhe Islamit të tij është një zullum që e kupton çdonjëri që sadopak ka mend.
Pa dyshim, besimi (në Zotin Një dhe në Pejgamberin s.a.v.s.) kërkon bashkimin e domosdoshëm të zemrave të muslimanëve dhe ato të bëhen si një zemër. Besimi Islam kërkon bashkimin e shoqërisë (Islame).
Ti s'mund të mohosh se ndien një afërsi shpirtërore ndaj atij që je me të në një batalion dhe ndien një shoqëri me të kur keni një komandant të përbashkët. Bile ndien një lidhje vëllazërore me atë që jeton në një qytet.
E pse të mos kesh lidhje vllazërore me atë që të bashkon besimi, i cili të jep dritë dhe ndjenja për një vëllazërim të ngushtë në shumë aspekte, madje kur arsyet për lidhshmërinë vëllazërore (ndër besimtarët) janë aq sa janë emrat e bukur të Zotit.
P.sh.
· Krijuesi i juaj është Një,
· Pronari i juaj është Një,
· Të adhuruarin e keni Një,
· Furnizuesin e keni Një.
Po ashtu gjërat e përbashkëta një pas një mund të arrijnë deri në një mijë.
· I Dërguari i All-llahut tek ju është Një,
· Feja juaj është një,
· Kibleja një.
Po ashtu një pas një mund të arrinë në njëqind.
· Ju jetoni së bashku në një fshat (ose lagje),
· Në një shtet ose qytet.
Po ashtu një pas një deri në dhjetë.
Pasiqë të gjitha këto arsye të ftojnë në një bashkim, bashkëpunim, pajtim, dashuri dhe vëllazërim, këto janë zinxhirët shpirtëror, me të cilët qëndrojnë qiejt dhe toka.
Kur ti je bindur se e vërteta është në anën tënde dhe se mendimi dhe sjelljet e tua janë më të qëlluara, në atë rrast ke të drejtë të pohosh se:
Mendimi im është i vërtetë ose më i miri.
Por nuk të lejohet të thuash:
Se e vërteta është ajo që them unë dhe s'ka tjetër të vërtetë pos asaj.
Që moti një poet ka thënë:
"Syri i pëlqimit para çdo të met është i verbëruar, por syri i zemërimit i publikon mangësitë", me këtë përfundojmë se pikpamjet e tua me egoizëm dhe mendimi yt i vetpëlqyer nuk mund të jenë bazë e as që mund të jenë gjykim ndaj të tjerëve dhe ato ti t'i shpallësh të pavlefshme.
Ti ke të drejtë që çdo herë kur të flasësh ta thuash të vërtetën.
Por nuk ke të drejtë që t'i paraqitësh të gjitha të vërtetat.
Ti ke për obligim çdoherë ta thuash të vërtetën por jo t'i thuash të gjitha të vërtetat, ngase ai që nuk është i sinqertë, sikurse ti, ka gjasa që këshilla jote ndaj tij të sjellë tek ai pasoja negative.
Nëse dëshiron të armiqësosh dikë, armiqëso (egon) që ke në zemrën tënde dhe përpiqu që ta shuash zjarrin e saj dhe ta çrrënjosësh atë. Mundohu ta armiqësosh armikun më të rrezikshëm që prej tij të kanoset rreziku më i madh. Ai është (nefsi emmare) egoja të cilin e bart me vete. Luftoje ate, mundohu ta përmirësosh dhe për hir të tij mos u armiqëso me (vëllezërit) muslimanë.
Po ashtu nëse dëshiron të armiqësohesh, armiqësoi të pabesët dhe të pafetë, të cilët janë shumë.
Duhet ta keshë parasysh se cilësitë e dashurisë vetvetiu janë të dashura dhe është e natyrshme që të duhen. Kurse veset e urrejtura para së gjithash duhet të armiqësohen.
Po që se dëshiron të ngadhënjesh mbi armikun tënd, të keqen e tij ktheja me të mirë. Me atë do ta shuash zjarrin e armiqësisë. Po që se të keqes së tij i përgjigjesh me të keqe, armiqësin do ta shtosh. Po edhe nëse ti atë e mund, zemra e tij do të mbushet me hidhërim ndaj teje.
Armiqësia mbetet dhe hidhërimi do të vazhdojë. Ndërsa, kur ti të keqen e kthen me të mirë ai pendohet dhe ka gjasa të të bëhet mik i afërt, ngase natyra e besimtarit është që ai të jetë fisnik. Andaj nëse ti e nderon (dhe e respekton) e përfiton dhe të bëhet vëllai yt.
Po edhe sikur të mos jetë fisnik në pamjen e rëndomtë, por ai në mbrendi është fisnik me imanin e tij.
Lidhje me këtë imam Shafiu thotë:
- Kur ti fisnikun e nderon, zemrën e tij e përfiton.
- Kur të marrin e nderon, ai në të keqe e tepron.
Praktika na dëshmon se të këqiut kur i thua ti je i mirë, në shumë raste e nxit kah e mira. Po ashtu nëse të mirit i thua i keq e i prishur, ka gjasa që të bëhet i keq. Andaj me zemër dëgjo fjalën e Zotit të lartmadhëruar në të cilën është shpëtimi dhe rehatia, ku Ai thotë:
"Dhe kur kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.
Nëse nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe All-llahu është Mëkatfalës, Mëshirues"
Një njeri i urtë, pra Sa'adi Shirazi thotë:
E gjithë dunjaja nuk kushton e as që vlenë që për të njerëzit të zihen mes vete.
Pasi që dunjaja është kalimtare dhe është e pavlefshme, atëherë a ka logjikë që për punë të vogla të pavlefshme të bëhen ngatërresa.
Sa'adi Shirazi pohon se rehatia dhe shpëtimi në të dy botërat është në dy gjëra:
- Me miqtë të sillesh me dashuri dhe respekt.
- Ndërsa me armiqtë me mirëkuptim dhe me tolerancë.
------------------------------------
Përgaditi : Bujamin SALIJA