Duke u përballur me ankesa të shumta të muslimanëve norvegjez, Agjencia norvegjeze për sigurinë ushqimore, njoftoi se do të paraqesë një ankesë kundër kompanisë ushqimore, pasi zbuloi se në produktet që janë emërtuar si hallall janë gjetur sasi të mëdha të mishit të derrit
'Do ta padisim prodhuesin, grupin norvegjez Kuraas", tha Catherine Signe Svindland, këshilltare për sigurinë e ushqimit për agjencinë AFP.
'Në produktet hallall në përgjithësi nuk duhet të ketë mish derri, e kur gjeni sasi të madhe të mishit të derrit në këto produkte, atëherë kjo nuk është rastësi, por mashtrim", shtoi ajo.
Qebapet, që janë shitur në restorante nga grupi norvegjez Kuraas përmbajnë mes 5 dhe 30 për qind të mishit të derrit, edhe pse janë etiketuar si hallall, njofton Agjencia.
Ata thonë se kanë gjetur më shumë se 60 për qind mish derri në pizza që janë shitur nga një kompani tjetër norvegjeze.
Zbulimi i mishit të derrit në ushqimin hallall ka tronditur muslimanët evropian në javët e fundit.
Të enjten, janë zbuluar sasi të mishit të derrit në pulë dhe salqiqe që i janë shërbyer nxënësve në shkolla dhe kopshtore të Londrës qendrore.
Në muajin shkurt janë gjetur gjurmë të mishit të derrit në byrek me mish të një prodhues britanik me certifikim hallall, i cili i ka furnizuar burgjet lokale. Kompania që furnizon burgjet me ushqim hallall ka pezulluar kontratën me të cilën ajo punon, ndërsa Ministria e Drejtësisë në Britaninë e Madhe ka deklaruar se produktet kontroverse janë tërhiqur menjëherë.
Megjithatë prodhuesi norvegjez Kuraas i ka mohuar të gjitha.
"Ne kemi blerë sasira të mëdha të mishit hallall dhe mund t’i tregojmë llogaritë e mallit të blerë dhe të shitur", tha kreu i shërbimit të marketingut Kenneth Kuraas.
"Mish i derrit është shfaqur në këto produkte për një arsye të thjeshtë, për shkak të mosrrespektimit të rregullave", shtoi ai.
Në Norvegji jetojnë rreth 150.000 muslimanë, dhe janë kryesisht nga Pakistani, Somalia, Iraku dhe Maroku.
Në këtë vend, gjithashtu veprojn rreth 90 organizata dhe qendra islame.