I pa të meta je Ti o Zot që na e sjell ndihmën andej nga se presim!
Anija me vela lundronte drejt destinacionit përfundimtar, ndërkohë që tregtarët dhe udhëtarët e tjerë ishin zhytur në biseda të ndryshme. Kishin ditë që udhëtonin dhe gjer atëherë u kishte prirë një mot shumë i mirë. Veçse atë natë, shpërtheu një stuhi e madhe. Dallgët e detit u egërsuan aq shumë, saqë e përmbysën anijen me gjithë njerëz e mallra. Të gjithë u mbytën, përveç njërit, i cili mbijetoi falë një dërrase të madhe. Pas disa ditësh, dallgët e nxorën në bregun e një ishulli të shkretë dhe të braktisur. Me tu përmendur, udhëtari ngriti duart nga qielli dhe falënderoi Zotin që e kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes. Mandej, filloi ti përgjërohej që ta nxirrte edhe nga ai qorrsokak ku ndodhej tashmë. Ditët kalonin dhe burri në fjalë ushqehej me frutat e pemëve, por edhe me ndonjë peshk, apo lepur të cilin e zinte me zor të madh. Kishte ndërtuar dhe një kasolle të vogël me kashtë e dega pemësh, e cila e mbronte nga rrezet e diellit ditën dhe nga i ftohti natën. Atë ditë, po shëtiste rreth e rrotull, në kërkim të ushqimit, ndërkohë që kishte lënë zjarrin të ndezur prush. Në një moment, vëren tym në drejtim të kasolles së tij dhe turret me vrap drejt saj. Po, kasollja dhe streha e vetme e tij ishte përfshirë nga flakët. Meqë nuk mund të bënte asgjë tashmë, gjunjët iu këputën, koka iu var mbi kraharor dhe lotët i shpërthyen si të ishte një fëmijë. “Përse o Zot mi hedh mbi kokë gjithë këto telashe?! Përse o Zot u dashka të vuaj kaq shumë?!” tha me ngashërime dhe u shtri përtokë si i vdekur. Në atë gjendje e kishte zënë gjumi. Nuk e kuptoi sa kishte fjetur, por kur u zgjua u gjet përballë një surprize tjetër. Sytë i panë një anije e cila po afrohej në drejtim të ishullit. Disa qindra metra larg bregut, anija qëndroi dhe prej saj zbriti një varkë me disa njerëz, të cilët ia behën pranë tij shumë shpejt. Ata e morën dhe e ngjitën në bordin e anijes. Si i hutuar, ai i pyeti:”Më falni, por kush u tha se ndodhem në ishull?!” Njëri prej tyre iu përgjigj:”Dalluam tymin e zjarrit që kishe ndezur, i cili na bëri të besojmë se dikush po kërkon ndihmë. “ I pa të meta je Ti o Zot që e di gjendjen dhe hallin tonë më mirë se askush tjetër! I pa të meta je Ti o Zot që na gjendesh pranë në çdo çast! I pa të meta je Ti o Zot që na e sjell ndihmën andej nga se presim! Faleminderit o Zot!/AO/[justify]