Administrata e Obamas po rishqyrton kundërshtimin e saj ndaj armatosjes së opozitës siriane të cilët po zhvillojnë luftë me regjimin sirian për më shumë se dy vjet. Këtë njoftim e bëri Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel, duke u bërë i pari zyrtar i lartë i SHBA –ve që publikisht pranojnë rivlerësimin e situatës. Gjatë një konference shtypi në Pentagon me Sekretarin britanik të Mbrojtjes Philip Hammond, Hagel tha se armatosja e kryengritësve ishte një opsion për të cilin administrata ishte konsultuar me aleatët e saj. Por ai tha se personalisht nuk kishte vendosur nëse ky do të jetë një veprim i mençur apo i përshtatshëm. Hagel dhe Hammond gjithashtu thanë se duhen prova të forta për të siguruar një bazë ligjore për çdo veprim ushtarak amerikan. Zyrtarët kanë thënë se vlerësimet e zbulimit të përdorimit të gazit sarin në Siri janë të bazuara pjesërisht në "mostra fiziologjike", të cilat mund të përfshijnë indet njerëzore, gjakun ose materiale të tjera të trupit, përveç mostrave të dheut. I pyetur nëse SHBA-të dhe Britania kanë mostra të veçanta ose kanë shqyrtuar të njëjtin material, Hammond nuk pranoi të specifikojë, por tha se të dy vendet ishin duke punuar ngushtë në analizën. Hagel tha se secili vend përdor agjencitë e veta të zbulimit, por punon për të ndarë informacion me aleatët. Administrata njoftoi javën e kaluar se ajo besonte që Asad ka përdorur armë kimike, por tha se zbulimi nuk ishte definitiv. Damasku ka mohuar se ka përdorur armë kimike, duke thënë se rebelët sirianë janë duke u përpjekur për të kornizuar regjimin. I pyetur në lidhje me depot e armëve kimike të Sirisë, Hammond tha se Britania beson se regjimi i Assad mbetet në kontroll të vendeve kryesore të armëve kimike. Lufta dyvjeçare civile ka lënë rreth 70,000 njerëz të vdekur dhe miliona refugjatë. /mesazhi/[justify]