Pse shkurorëzimi është bërë dukuri?
Dr. Shefqet Krasniqi
Se Kosova nuk është duke degraduar vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, ndër tjera, flet edhe fenomeni i shkurorëzimeve, i cili, nga viti në vit, sa vjen e bëhet më shqetësues. Ditë më parë, mediet tona raportonin për shifra alarmante të shkurorëzimit në vendin tonë. Vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar mbi 100 shkurorëzime, që përkthyer në gjuhën e realitetit tonë nënkupton se janë prishur dhe shkatërruar 100 familje të reja. Është për keqardhje se si nuk i kushtojmë rëndësi edukimit të mirëfilltë shoqëror, kur sot, ekspertë të ndryshëm, rënien ekonomike, kolapset dhe falimentimet e shumë shteteve ia faturojnë pikërisht ngecjes së tyre në zhvillimin shoqëror. Ne shqiptarët nuk kemi patur mundësi të mburremi para botës me diç më shumë se me nderin tonë familjar dhe shtimin e madh – natalitetin. Këto dy asete, siç duket, janë në shkatërrim e sipër. Një vëzhgim i vazhdueshëm i gjendjes sonë politike dhe shoqërore do të na sillte imazhet e një të fundosuri hap pas hapi.
Sot nderi dhe morali është dobësuar shumë, për të mos thënë se ka humbur fare. Sot prindi nuk e di ku e ka bijën, sikur që as bashkëshorti nuk e ka di e nganjëherë nuk e ka dert se ku e ka gruan e tij, kur del, me kë del e me kë shoqërohet dhe kur kthehet. Jo vetëm kaq, por femra sot nxitet dhe stimulohet për zhveshje, lakuriqësi. Të gjitha këto dhe të tjera ndikojnë në tradhtinë bashkëshortore, e devijimin moral. E, siç është shpjeguar, ndër shkaqet kryesore të shkurorëzimit është tradhtia bashkëshortore.
Në të vërtetë, shkurorëzimi, si pasojë, adresohet një mori shkaqesh të përbashkëta dhe të veçanta. Ndër shkaqet e përbashkëta do të veçoja:
1)Zgjedhja jo e duhur e partnerit/partneres. Kjo për faktin se jo rrallë herë nuk zgjedhin, nuk vërtetohen e nuk sigurohen mirë për çiftin e jetës se çfarë cilësish e vetish ka, çfarë familje e rrethi janë, çfarë mentaliteti e edukimi kanë etj., por motivi kryesor për martesë është një shikim, një takim, një moment, pas të cilit pasojnë male problemesh, mospajtimesh, mos harmonish, gjë që e bënë të pamundur vazhdimin e jetës bashkëshortore.
2)Ndërhyrja e familjes. Jeta bashkëshortore shpesh është viktimë edhe e ndërhyrjes së prindërve në jetët e tyre. Dhe nuk janë vetëm prindërit e djalit, por edhe të nuses, bile ndërhyrja e nënës së vajzës në punët e vajzës dhe dhëndrit të tyre është edhe më e theksuar, për shkak të tendencës për tua imponuar atyre zgjidhjet dhe dëshirat e saj. Ajo është që ankohet padrejtësisht për kinse dhunën që i bëhet vajzës së saj dhe trajtimin jo adekuat, çka, jo rrallë nxit vajzën edhe të shkurorëzohet nga burri i saj.
3)Devijimi i njërit apo partnerit tjetër. Ndonjëherë jeta bashkëshortore, e cila në rrethanat normale prodhon vetëm stabilitet shpirtëror dhe emocional, tek disa njerëz shkakton të kundërtën. Disa njerëz, për ‘x’ shkaqe, pas martesës ndryshojnë për të keq, duke u shoqëruar me shokë të këqij, duke u marrë me alkool, drogë dhe dukuri tjera negative, me çka edhe i bëhet e pamundur gruas të jetojë me një njeri të tillë. Kjo si dukuri është më shumë e theksuar tek meshkujt sesa tek femrat, ani pse ndodhë tek të dy palët.
4)Papjekuria e çifteve dhe problemet ekonomike. Edhe varfëria është parë si shkak i shkurorëzimit, sidomos në rastet kur partnerët nuk janë të përgatitur shpirtërisht për tu ballafaquar me sfida të këtilla të jetës. Kjo reflekton edhe papjekurinë e tyre për martesë, respektivisht për të bashkëndarë përgjegjësitë dhe për të kuptuar gjënë më të shtrenjtë në jetën e tyre, e që është qëndrimi bashkë me njëri tjetrin. Jo rrallë vërehen ankesat e gruas se kjo familje bleu këtë e këtë ndërsa ne jo, se ata bënë këtë gjë ndërsa ne jo. Por, mund të jetë edhe tek burri, i cili, për shkak të presionit të varfërisë, mund të ndërmerr veprime ndër më të çoroditurat, në mesin e të cilave edhe këtë.
5)Paragjykimet për njëri tjetrin dhe marrja me thashetheme dhe përgojim të fjalëve. Mungesa e një raporti të ndërsjellë në jetë, bën që partnerët, për njëri tjetrit, ndonëse janë më të afërmit dhe e njohin veten më së miri, t’iu besojnë fjalëve të huaja, gjë që për pasojë mund të ketë edhe shkurorëzimin.
Shkaqet, siç thamë dhe më parë, janë dhe të ndara. Në raport me burrin, ato kryesisht konsistojnë me këto gjëra:
1)Mungesa e madhe dhe e gjatë e burrit në shtëpi. Nuk i intereson fare çështja e gruas apo e fëmijëve, nuk dihet kur del e kur kthehet. Më shumë nuk është në shtëpi sesa që është.
2)Mos dhënia e hakut – mosinteresimi për gruan dhe fëmijët. Shumë burra ani pse janë martuar dhe kanë krijuar familje, ata nuk çajnë kokën fare për ta, për çka jo rrallë herë gruaja detyrohet të punojë, apo edhe fëmijët e vegjël duhet të kujdesen për vetën e tyre.
Ndërsa në raport me gruan, shkaqet që i atribuohen asaj si fajtore e prishjes së jetës martesore janë:
1)Kur gruaja përzihet në punët e burrit dhe tenton që të mbisundojë mbi të. Ajo, jo vetëm aspektin financiar, por edhe raportet e burrit me familjen dhe farefisin duhet t’i menaxhojë. Ajo dëshiron ta zhvesh burrin nga çdo lloj autoriteti apo ndikimi në familje. Allahu na ruajt nga gra të tilla!
2)Rebelimi i gruas dhe mosdëgjueshmëria e saj. Ajo bënë çka të do, vepron si të do, del kur të do, kthehet kur të do, nuk pyet askënd për asgjë.
E, nëse shkaqet kanë këtë ndarje dhe klasifikim, atëherë pasojat kanë vetëm klasifikimin e parë: të përgjithshme. Pasojat nuk i vuan vetëm njëra, por të dy palët. Edhe burri, edhe gruaja. Por jo vetëm këta. Janë dhe fëmijët ata që, në të vërtetë, e pësojnë më së keqi. Me shkurorëzim fiket vullneti për një martesë të re, hapen rrugët për dëfrim seksual të paligjshëm, përhapen amoraliteti dhe trafikimi me qenie njerëzore, shkatërrohet ardhmëria e fëmijëve…
Le të mendojnë mirë bashkëshortët para se të marrin këtë vendim të rëndë. Sigurisht, zgjidhje ka shumë dhe secila prej tyre është më e mirë se shkurorëzimi. Natyrisht se për këtë temë kam shumë për të folur, dhe ia vlen të flitet e të shkruhet shumë, por kësaj radhe mjaftohemi me kaq dhe deri në javën e ardhme, selam alejkum./gazetaditore