Në hapje të Konferencës Ndërfetare, që ka filluar dje në Pejë dhe e cila po zhvillohet si pjesë e Javës së Tolerancës, ku kanë marrë përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe personalitete të ndryshme është thënë se gjatë tërë historisë Kosova ka qenë vend multietnik, multifetar dhe ka ruajtur karakterin e dialogut dhe mirëkuptimit fetar.
Në fjalën e saj presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, tha se Kosova posedon një traditë unike të tolerancës ndërfetare, traditë e cila shprehet në vlerat arkitektonike, në trashëgiminë tonë kulturore, në objektet e kultit dhe është një testament dëshmues i jetesës sonë të përbashkët përgjatë shekujve.
“Ne si shoqëri, kemi një traditë të ruajtjes së trashëgimisë sonë unike të cilën e konsiderojmë një pasuri tonën të përbashkët. Diversiteti fetar, kulturor dhe kombëtar i Kosovës, është vlera jonë më e madhe. Mbrojtja e drejtave të të gjithë qytetarëve është gdhendur në Kushtetutën tonë. Toleranca dhe bashkëjetesa paqësore janë përforcuar si bindje dhe besim në vendin tonë”, tha presidentja e Kosovës.
Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se diversiteti fetar në Kosovë shpesh ka shërbyer për të ndërtuar ura bashkëpunimi, por edhe është keqpërdorur për të krijuar ndarje nga elitat e ndryshme politike.
“Për këto arsye, dialogu ndërfetar është një komponent kryesor në ndërtimin e paqes dhe bashkëkzistencës ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe fetare. Për këtë arsye kjo konferencë është shumë e rëndësishme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe për tërë rajonin”, ka thënë ministri Hoxhaj duke shtuar se Kosova është një shembull i tolerancës fetare në rajon, duke theksuar faktin se që nga deklarimi i pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka ndërtuar një shtet dhe shoqëri multientike.