Në kartën e tij të identitetit shkruan se Hasan Gezeri (121) ka lindur më 01.07.1892. dhe jeton në fshatin Ulus, në qytetin Siirt të Turqisë
Në një intervistë me gazetarin e agjencisë Anadolia në gjuhën kurde, Gezeri i moshuar, por shumë vital, thotë se ka dhjetë fëmijë, pesë djem e pesë vajza, 213 nip e stërnip dhe disa stërstërnip numrin e të cilëve as vetë nuk i di.
Gezeri, i cili aktualisht jeton me të birin e tij më të vogël, Abdullahun shtatëdhjetëvjeçar, të gjitha obligimet dhe nevojat personale i kryen në mënyrë të pavarur, dhe përkundër moshës, pa vështirësi praktikon edhe agjërimin e Ramazanit.
Shembulli i pazakontë i jetëgjatësisë, Gezeri u lind në fshatin Eruh. Tërë jetën e tij e ka kaluar si bari në kërkim të kullotave më të mira për kopenë e tij.
"Ishim në fshat, tani jemi në qytet, kemi shitur gjithë bagëtinë tonë. Të mbyllur në muret e heshtur, në zhurmën e qytetit presim fundin e jetës. E kam vështirë t’i kujtoj ndodhitë e viteve më të hershme, por e mbaj mend se jam rritur në varfëri dhe punë të vështira fizike. Jetën e kam kaluar duke u kujdesur për bagëtinë dhe duke mbijetuar në natyrë me të gjitha begatitë e saj. Për jetëgjatësinë time ndoshta sadopak kanë meritë gruri, misri, elbi dhe djathi. Gjithmonë kam pirë shumë qumësht. Jeta e sodit nuk më pëlqen aspak. Do të doja që ta kthej atë kohë" thotë Gezeri.
Stërgjyshi Gezeri i përcjell ngjarjet e sotme në botë, atë e nervozojnë konfliktet dhe luftërat. Ai thotë se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe se janë të krijuar të jetojnë së bashku në harmoni, ndërsa gjakderdhjet e sodit dhe luftërat nuk janë asgjë tjetër pos mallkimi i njerëzve modern.
Djali më vogël i Gezerit, Abdullahu (70), thotë se është i lumtur që jeton në një familje të madhe, dhe se vëllai i tij më i vjetër ka 20 fëmijë, është e pamundur t’i numërosh të gjithë brezat e rinj të cilët janë nga trungu familjar, në majën e të cilit gjendet babai i tij i moshuar.
Mbesa dymbëdhjetë vjeçare Dilsah është përkthyesja e gjyshit në shtëpi, sepse gjyshi nuk e flet turqishten moderne.
"Unë jam krenar për gjyshin tim. Jeta aspak nuk e ka përkdhelur, por ai ende falë namazin, agjëron dhe kryen të gjitha nevojat e veta", thotë Dilsah.
Ky është edhe një nga shembujt e rrallë të jetëgjatësisë, por sipas të dhënave jozyrtare nga Wikipedia, njeriu më i vjetër në botë ishte kinezi Li Ching-Yuen (197), i cili jetoi në periudhën 1736-1933, ndërsa e dyta në atë listë është turku Zaro Aga ( 157) nga Bitlisi, i cili jetoi në periudhën 1777-1934
Nga ana tjetër, njeriu më i vjetër, sipas Librit të rekordeve të Guinisit është Jireomon Kimura (116) nga Japonia, i cili vdiq në qershor të këtij viti.