Vajza ime e dashur, falënderoj All-llahun që na ka bekuar me një fe, që dashurin tonë e ka bërë adhurim për t'u afruar më afër Tij, paqja dhe selamet e All-llahut qofshin mbi edukatorin, mësuesin, të dashurin tonë, Muhamedin i cili na ka mësuar çdo gjë, madje si të duam për hirë të All-llahut, fryti më i mirë i dashurisë është këshilla, andaj dëgjoje Muadhin i cili tregon dhe thotë: Më mori Pejgamberi alejhi selam për dore pastaj më tha: O Muadh, pasha All-llahun, unë ty të dua, andaj të këshilloj: “O Muadh, mos e le pa thënë pas çdo namazi: All-llahumme e'inni ala dhikrike ve shukrike ve husni ibadetike. O Zoti im më ndihmo të të përmendi Ty dhe të të falenderoj, (po ashtu më ndihmo) që sa më mirë Ty të të adhuroj”.
Kështu është dashuria e sinqertë dhe e çiltër, dashuria është pasuria dhe gjeneratori më madhështor për të ngritur vetveten në shkallët e ubudijes (robërisë dhe nënshtrimit) njashtu kjo është vëllazëria e vërtetë.
Bija ime e çmuar, vendosa të shkruaj dhe t'i përgjigjem kërkesës tënde me një përgjigje të detajuar, e me lejen e All-llahut të përfitojnë të gjithë e në mesin e tyre unë dhe ty.
Të lumtë bija ime, besoj se All-llahu i Lartësuar ta ka dashur të mirën, siç thuhet perceptimi dhe diagnoza e sëmundjes është gjysma e shërimit. Momentin që ke ndjerë mangësi ndaj vetvetes dhe se zemra jote është gafile dhe e shkujdesur nga All-lllahu i Lartësuar është një lajm dhe myzhde e mirë.. Ti je nënshtruar për të ndjekur rrugën e udhëzimit.
Bija ime e nderuar, problemi jonë është – All-llahu të na i fal gjynahet – islam i trashëguar (gjenetik), jemi kalitur duke kryer shumicën e adhurimeve si traditë, atëherë kur të lejon All-llahu të udhëzohemi fillojnë në vetvete kryengritja dhe debati i brendshëm që asnjëherë nuk skadojnë, kjo është fillimi i rrugës në fenë e vërtet. A ke dëgjuar çfarë ka thënë Shejkh Islam Ibën Tejjmije? Ky person që nami dhe librat e tij kanë arritur në lindje dhe perëndim dhe njëkohësisht është njëri prej individëve më të njohur dhe më të famshëm pas Profetit alejhi selam dhe shokëve të tij.
“Betohem në All-llahun e Lartësuar se vazhdojë të rinovojë islamin tim në çdo kohë, ngaqë ende nuk jam nënshtruar ashtu siç duhet”! Ata që janë si ne, çfarë duhet të thonë ata!
Mëkati -nuk kam qëllim ndonjë mëkat të veçantë- por përfshin të gjitha shkujdesjet e zëmrës, kthimi dhe lakmia nga kjo botë, momentin që ti largohesh nga ky mëkat, largohesh me paaftësi dhe e gëlltit dhimbjen e humbjes, e nëse ti je e durueshme dhe bënë sabër atëherë shumë shpejt e vëren se zemra jote largohet nga e keqja... e nëse ti qëndron, lufton e më pas duron do të vëresh se mëkati aspak nuk ka vend në zemrën tënde. Përkundrazi përshpejton në bamirësi dhe adhurim, duke e tretur vetveten për të kërkuar kënaqësinë e All-llahut të Plotfuqishmit. Kjo është rezistenca ... kjo është faza më e gjatë në të cilën All-llahu i provon të sinqertit në pendimin e tyre, nëse vazhdon me rezistencë në zemrën tënde herë pas here fryn flladi i ëmbëlsisë së besimit, e ditë pas dite fillon ta shijosh ëmbëlsinë e besimit, në këto momente shejtani hap rrugë tjera jashtë atyre që je mësuar e këto janë shumë më të rrezikshme se ata të mëhershmet e këto janë sëmundjet e zemrës, nëse ti je durimtare duke kërkuar mbrojtje dhe strehim tek i Madhëruari dhe ta mbrosh zemrën tënde me roje të fortë atëherë ti je ajo që kërkon të jesh me lejen e All-llahut.
Çdoherë rikujtoje fjalën e të Madhëruarit, ku thotë: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë”, njeriu gjithmonë është në luftë me nefsin (epshin) derisa t’i del shpirti, pra përderisa ti je në luftë All-llahu i Lartësuar me begatin e tij do të udhëzon. A nuk ka thënë I Plotfuqishmi: “Ata sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona”. Mundohu që gjithmonë të realizosh kushtin “Ata që luftojnë për çështjen Tonë” do të përfitosh begatin e tij, “Ata sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona”.
All-llahu i Madhëruar ka premtuar dhe premtimi i Tij është hakë (I vërtetë), në hadith kudsi të cilin e transmeton Buhariu: Unë jam ashtu siç më parafytyron robi. Jam me të kur më përkujton. Nëse më kujton në vehte, edhe Unë e kujtoj në vehte; nëse më kujton në tubime, Unë e kujtoj në tubime edhe më të mira, nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, i afrohem një pash, dhe nëse më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi."
Ende nuk beson! Çdoherë që t’i afrohesh tek All-llahu me ibadete, bindje, nënshtrim apo me largimin nga mëkatet apo me bamirësi ndaj krijesave apo duke ua larguar një dëm apo me çfarëdo lloj adhurimi a sa të shumta janë, i Lartësuar shpejton më shpejtë se sa ti lëvizë, ti hap shumë porte të bamirësisë dhe adhurimeve dhe të largon shumë të këqija dhe sherre, dhe Ai do të jetë me ty mu ashtu siç ka premtuar. “Atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie, dhe këmba e tij me të cilën ecë. Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtetë Unë do ta strehoj atë.”
Për hir të All-llahut më trego... Si do të jetë halli i një robi që gjithë gjymtyrët e tij i lëvizë All-llahu drejt kënaqësisë së Tij ??!
Bija ime e çmuar, shpesh ndodhë që ne të preokupohemi me shumë çështje ndërsa i harrojmë vetveten tonë, harrojmë ta njohim vetveten, hyrjet dhe daljet, dobësitë dhe anët e forta, gjerat pozitive dhe negative, avantazhet dhe disavantazhet...Pas gjithë kësaj dëshirojmë të përmirësohemi dhe të ngrihemi në lartë!.
Shpirti (epshi), bija ime është sikurse fëmija, kanë nevojë për një ekuilibër mes butësisë dhe vrazhdësisë, dëshiron të shpërblehet, ka nevojë për ta ndëshkuar, nuk do të përmirësoj askush përveç se ti me lejen dhe suksesin që ta jep Krijuesi Jot. Ti je individi që më së miri e njeh vetveten tënde dhe ata se çfarë e bëri All-llahu të dashur prej veprave të mira dhe e ka sprovuar me të meta dhe gjynahe.
Vajza ime, ekzistojnë ca veti negative të përbashkëta tek gjithë shpirtrat, nëse njeriu përpiqet dhe jep mund maksimal i përmirëson apo mund ta zbut vrazhdësinë e tyre. Këto veti e dashur nëse e studion me dinjitet Kur'anin do t'i gjesh, libri i All-llahut është udhërrëfyesi i jotë për njohjen e vetvetes e në të njëjtën kohë është shërim i sëmundjeve tuaja. Madje megjithëse është diagnozë dhe shërim në të njëjtën kohë është përforcues i optimizmit...Ai është nur, shërim, udhëzim dhe pishtar.
Çdo shpirt posedon dashuri, urrejtje, besnikëri dhe armiqësi, krenari dhe nënçmim, forcë dhe dobësi, aktivitet dhe dembelizëm, apati dhe energji...Ai i cili i njeh këto dhe e din se çfarë kërkon All-llahu prej tyre, do ta kanalizon çdo karakter dhe veti në vendin e duhur, e kush nuk është i kujdesshëm dhe e anashkalon njohjen e vetvetes dhe këtyre vetive, nuk do t'i kanalizon në vendin e duhur e as nuk e din se çfarë kërkon All-llahu.
Bija ime, eja së bashku të shohim se si nefsi është përmendur në Kur'anin Famëlartë dhe Sunetin e të Dërguarit e tij.. që ta mësojmë dhe njohim vetvetet tona nga Krijuesi jonë që na ka krijuar, sepse Ai është më i ditur për ne se vet ne.
Bija ime ky është çelësi...nëse e kap me dorën e bindjes të hapet porta dhe rruga për ta njohur vetveten nëpërmjet librit të All-llahut. All-llahu i Lartësuar thotë:
“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtetë, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të Dështojë”. [Shems 7-9]
All-llahu e përsosi, ia tregoi rrugën e hairit dhe devotshmërisë, e paralajmëroi nga degjenerimi dhe shkatërrimi, i dhuroi shkallët e pastrimit..që të arrij lumturin dhe harenë, nëse njeriu din se si ti ngjitet në shkallë, duke e ndriçuar errësirën e humbjes dhe lajthitjes, dhe din se si ta frenon vetën kur errësira e paraqet vetën si nur dhe dritë!
Suksesi është proces që aq sa më shumë jep mund dhe sakrificë aq është me e këndshme shija e saj... arritje me përpjekje tek ajo është me e kënaqshme dhe më e shijshme, madje sikur të vinte suksesi me një pjatë prej ari, pa mund dhe sakrificë nuk do të gëzoheshe e as që do të kënaqeshe me këtë të arritur.
Gëzimi i zemrës sime...Omeri r.a pasi që e mori hilafetin dhe filluan çlirimet e tokave hyri në zemrën e tij diçka prej vetëpëlqimit: I thirri njerëzit të mblidhen, pasi që u mblidhen u ngjit në minber, falënderoi dhe lavdëroi All-llahun dërgoi salavate mbi të Dërguarin e tij tha: “O ju njerëz, unë isha një çoban që u kujdessha për bagëtitë e halleve të mija nga fisi Beni Mahzum për një grusht hurmash apo një grusht rrushi të thatë”...pastaj zbriti prej minberit ndërsa Abdurahman ibën Aufi i tha: “O udhëheqës i besimtarëve, nuk ligjërove përveç se e nënçmove vetën tënde!
Mjerë për ty o Abdurahman, u vetmova me vetën time dhe shpirti filloi të bisedon me mua dhe më tha: Ti je udhëheqës i besimtarëve, kush është më i mirë se ju, andaj dëshirova ta njoftoj se kush është.
A dashura ime, kujdesu për zemrën tënde sepse zemra është vendi ku shikon All-llahu i Lartësuar, kujdesu dhe mbroje zemrën tënde që mos të shikon All-llahu gjera që nuk e donë...mos të venitet vullneti për mbrojtjen, ruajtjen e zemrës tënde, kontrollin dhe edukimin e nefsit tënd ngaqë ne në ketë botë jemi në sprovë ...mos u habit e as mos u mashtro.
Mos harro shpirti im i vogël, se rruga për tek All-llahu i Lartësuar arrihet me zemra e jo me këmbë. Aliu radiallahu anhu thotë për Ebu Bekrin radiallahu anhu: “Nuk na ka tejkaluar Ebu Bekri me shumë namaz dhe agjërim, por besimi u rrënjosua thellë në zemrën e tij, dhe këshillonte krijesat".
Si është bindja dhe besimi juaj tek All-llahu i Lartësuar? Sa herë e kujton qëndrimi para All-llahut i Lartësuar, tmerret e ditës së gjykimit dhe vështirësive? Gjithnjë mbaje në mend se All-llahu i Lartësuar do të na pyes për gjithçka të imët dhe të madhe, kujtoje atë ditë ku All-llahu i Lartësuar thotë: “Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt”. [Kehf 49]
E dashur u zgjatë tema shumë..çështja është tejet delikate e si mos të jetë kjo, është historia e jetës, ndalem këtu duke shpresuar për të shtuar ndonjë herë tjetër, po e mbaroj këtë temë me fjalët e Ibën el-Xheuzi i cili i ka thurë, por si një gjerdan prej tyre:
“Prej gjërave më të impresionuara është lufta me epshin, ngaqë ka nevojë për një provoj fantastike, disa prej tyre e lanë të lirë andaj i shpiu në atë që e urren, të tjerët e ndaluan nga gjithçka dhe e privuan nga haku i vet andaj i bënë padrejtësi. Prej gjurmëve të padrejtësisë është se ca prej tyre e abuzuan në mënyrën e të ushqyerit e kjo ndikoi në dobësinë e trupit dhe në mos kryerjen e obligimeve, e disa të tjerë e kënaqen me begati, andaj edhe u degjenerua dhe e shpiu në mos kryerjen e obligimeve”.
Përktheu: Abdyl FUGA