QEFINI I HAZRETI EBU BEKRIT
Një ditë, pas vdekjes së Resulullahut, Bilali Habeshi shkoi përpara derës së nënës së besimtarëve Aisha Siddika Radiallahu anha dhe trokiti. Nga brenda dëgjoi zërin e Aisha Siddika që thoshtë duke qarë.
- Kush troket në derën e zemrës që është duke u djegur nga zjarri i ndarjes?
- Ndihmësi i Resulullahut Bilali...Si jeni pas ndarjes nga Resulullahu?
- O Bilal! E si ndjehet peshku kur e kanë nxjerrë jashtë ujit? Sot pashë në ëndërr Resulullahun që po ecte bashkë me engjëjt. E pyeta se ku po shkonin. Më tha se po shkonin të prisnin shpirtin e babait tim Ebu Bekrit.
Hazreti Bilali shkoi pranë hazreti Ebu Bekrit dhe i tregoi endrrën që kishte parë Aishja. Hazreti Ebu Bekri tha:
- Betohem mbi Allahun se mbrëmë të njejtën ëndërr pashë edhe unë. Shko dhe thërrite bijën time Aishen të më shohë edhe një herë të fundit!
Gjatë kësaj bisede futet brënda Aishja dhe thotë:
- Baba të kam sjellë një qefin të pastër.
- Bija ime lëre atë qefin! Më bëni për qefin ato rroba që kisha veshur ditën që u bëra musliman! Sepse shpeshherë qaja nga frika që të vjen nga dashuria për Allahun dhe i fshija sytë tek ato rroba. Mbase për hir të atyre lotëve Allahu teala më mëshiron.