Shohim që valë zemërate shpërthejnë me ose pa shkak, të cilat tek zemrat e sëmura shndërrohen në valë mllefi dhe urrejtje, me të cilat njeriu kalon gjithë jetën e vet, i tërheq zvarrë kudo që shkon, e fillon dhe e përfundon bisedën me to, i hedh benzinë zjarrit që të mos shuhet.
Ka mundësi, që rreshtat shkollore, partiake, xhematore etj..., në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, shndërrohen në vatrat dhe mjediset ideale për lindjen dhe ushqimin e emocioneve të tilla negative. Ato janë të gatshme edhe për mikpritjen e banorëve të rinj, që ti bashkëngjiten homologëve të tyre, të cilët duhet të prevalojnë në mexhlise, faqe interneti dhe mediat që bazohen kryekëput në sharje, ironizime dhe përdhosje të tjerëve. E gjitha kjo, maskohet me maskën e perfeksionimit absolut të vetes, punës së palodhur dhe me qëndrimet e personave që ndajnë të njëjtat ide, edhe pse gjuha e shprehur nuk përkon fare me maskën.
Në raste konflikti dhe mospajtimi, nuk ka gjë më të keqe sesa kokëfortësia dhe inati, gjë e cila e bën njeriun të verbër ndaj të metave të veta dhe meritave të tjerëve. Gjuha e tij shndërrohet në një aparat regjistrues, duke përsëritur pothuaj të njëjtat fjalë. Ai nuk e pranon kritikën dhe korrigjimin, pasi – sipas tij – këto nuk kanë bazë. Për të, korrigjimi është rrënim dhe argumenti këtu sado i fortë të jetë, nuk i drejtohet më logjikës dhe nuk e respekton arsyen. Ai tashmë vetëm sa stimulon më shumë fanatizmin, nxit bojkotin mes palëve dhe rrit mendimin e keq mes tyre.
“Ka ndonjë njeri, fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar.” (Bekare, 204)
Ibnu Abas, thotë se ajeti flet për personat e dhënë pas debateve shterpë, ata që do të kundërshtojnë për gjithçka që u thua.
Hasan Basrij, mendon se ajeti flet për ata që rrejnë në atë që thonë.
Këtyre tipareve mund tu vishet edhe xhelozia e sëmurë, e cila e bën personin të zhytet thellë e më thellë në qorrsokakun e tij, duke u bazuar tek ndjesia e tij e brendshme se po e bën me sinqeritet dhe për besnikëri ndaj vlerave morale apo fetare.
E gjitha kjo ndodh për shkak të ekzagjerimit në mendimet e këqija ndaj të tjerëve, ngritjes së gjykatave të inkuizicionit dhe rrethimit total të tyre, ndërkohë që me veten tregohet tolerant, injoron shkarjet dhe dredhitë e saj.
I thashë një personi të tillë:”Të shoh që e sulmon në mënyrë të sistemuar filanin, duket sikur mezi pret çastin që të rrëshqasë e ti hidhesh në grykë dhe ta demaskosh, dukesh sikur ke nxjerrë shpatën dhe e ke mprehur mirë e mirë. A kjo është frymë e cila të mundëson të ndjekësh asnjanësinë ndaj gabimit apo të vërtetës?
A nuk na ka thënë profeti Muhamed a.s:”As mos i besoni ithtarët e Librit, as mos i përgënjeshtroni, por thoni:”Kemi besuar tek Zoti dhe në atë që na është shpallur neve dhe juve!”
Ndërsa në një transmetim tjetër, Profeti a.s thotë:”Mos i pyesni ithtarët e Librit për asnjë gjë, pasi ata nuk mund t’ju udhëzojnë juve, ndërkohë që kanë humbur për vete. Në të kundërt, ose do të besoni diçka të pavërtetë, ose do të përgënjeshtroni diçka të vërtetë.”
Nëse kjo kërkohet në lidhje me rrëfenjat e kohëve të shkuara, të cilat nuk bazohen në argumente fetare, çfarë mund të themi për mendime, thënie dhe shprehi që mund të jenë të drejta, pak a shumë të drejta ose shumë pak të drejta.
Një shpirt kaq i dhënë pas hedhjes së fajit tek të tjerët dhe ironizimit të tyre, të dëmton ty të parin, sepse ai ndërton mure brenda trurit tënd, mure që të privojnë nga të mirat e të tjerëve. Tek njerëzit e besueshëm, mund të mos gjesh përveçse gjërat që tashmë i di dhe i posedon, kështu nuk ka gjëra të reja në jetën tënde. Ku është dielli i cili çdo ditë lind në një horizont të ri? Ku është lumi i cili nuk lejon që një dorë të zhytet dy herë në të njëjtin ujë? Ku është adhurimi i Zotit derisa të vijë vdekja?
A nuk është dija esenca e adhurimit, zanafilla e tij dhe zanafilla e çdo urdhërese? “Lexo në emrin e Zotit tënd, i cili krijoi” (Alak, 1)
Për këtë njeri, urrejtja ndaj të cilit ka lëshuar rrënjë në zemrën tënde, a mendon se do të të bëhej qejfi nëse do të përfshihej nga një skandal, apo të përhapeshin për të thashetheme?
Vallë si do të ndiheshe nëse e sheh në një pozicion të keq në të cilin ka rrëshqitur, ose në një pozicion të fabrikuar magjishëm nga teknologjia? A do të mërziteshe dhe hidhëroheshe për të? A do të dhembte zemra për faktin se një mysliman ka shkarë kaq keq, ose se është akuzuar padrejtësisht? A do të viheshe menjëherë në mbrojtje të tij dhe të nderit të tij, me shpresë se Zoti do të mbrojë ty nga zjarri ditën e Kiametit?
Apo do e shohësh si shans të vyer dhe të fërkosh duart plot gëzim, se ajo që ke thënë gjithmonë ja ku doli, se ti ke intuitë të mprehtë dhe i kupton gjëra që ata mediokrit me besim të dobët, nuk i kuptojnë dot, ata që të kanë kundërshtuar dhe refuzuar linjën tënde?
Kam frikë, se do të biesh pre e llojit të dytë, do të bëhet qejfi pasi do të përzihen emocionet negativedhe do të triumfojë ndjesia e xhelozisë dhe shfryrjes... si të ishe i pagabueshëm vetë.
Është diçka që e kam hasur praktikisht gjatë përvojës time, e kam parë me sytë e mi në ngjarje dhe raste reale përreth meje. Kam parë se ata që duan ti lëndojnë njerëzit, i akuzojnë dhe ngrenë pusi kundër tyre, nuk u shkon gjatë dhe bien në pusitë e ngritura, ose persona të tjerë sillen me ta me të njëjtën monedhë. “Zoti nuk i bën padrejtësi robërve të Tij” (Fusilet, 64)
Ç’të bësh do të gjesh. Megjithatë, ajo që ia vlen të thuhet në këtë rast, është se ndëshkimi i kësaj bote, është më i lehtë se ai i botës tjetër.
Hatib Bagdadij, thoshte:”Epshi nuk luftohet më mirë sesa me arsyen. Vetë arsyeja, nuk maturohet veçse falë konsulencës. Urrejtja nuk fitohet siç fitohet nga mendjemadhësia dhe planet nuk janë të suksesshme siç janë me durim.”
Kaq do të mjaftonte për ta frenuar veten dhe për të hequr dorë nga insistimi në rrjepjen e lëkurës së tjerëve, si dhe për të hequr dorë nga mendimi i keq për ta, duke ia lënë vendin reflektimit rreth vetes dhe të metave personale. Njeriu, pas një farë kohe, mund ta gjejë veten të përfshirë në një mendim të cilin më parë kushedi sa e ka refuzuar. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Vetë profeti Muhamed a.s, lutej dhe thoshte:”O Ti që i ke në dorë zemrat tona, forcoje zemrën time në fenë Tënde!” “O Ti që ke në dorë zemrat tona, ktheji ato nga rruga e bindjes Tënde!”
Asnjëherë Profeti a.s nuk lutje që Zoti t’ia forcojë zemrën në mendimet e tij personale, por thoshte:”Pasha Zotin, sa herë që betohem për diçka dhe konstatoj se një mendim tjetër është më i drejtë, e shlyej betimin dhe veproj sipas mendimit tjetër që është më i drejtë.” (Buharia dhe Muslim)
Problemi i një grupacioni nga vëllezërit tanë, është se në çështjen e “Menhexhit – linjës dhe metodës së ndjekur” nuk e bëjnë dot diferencën mes parimeve të përgjithshme dhe të pandryshueshme të sheriatit dhe mes çështjeve dytësore ku hyn ixhtihadi dhe ka hapësira për diversitet në mendime. Ata e pranojnë një njeri për shkak se përkon me ta në çështjet dytësore, para çështjeve dhe parimeve madhore. Ata nuk e vërejnë qëndrueshmërinë e tij në parimet esenciale të cilat në fakt përbëjnë menhexhin, aq sa vërejnë tematika që kanë të bëjnë me faktin se ai ka ndryshuar mendim në një çështje politike, mesele fikhu, mendim rreth jetës apo në një çështje të ftesës.
O Zot na udhëzo në udhën e mbarë, na i trego pikat tona të dobëta, na ruaj nga mendimet e këqija për çdo mysliman, na ndihmo që për myslimanët të dëshirojmë çdo të mirë! O Zot na ndihmo që gabimet e tjetrit të mos i trajtojmë me fanatizëm, të mos na bëhet qejfi që ai gabon dhe rrëshqet! O Zot na ruaj që të mos gëzohemi për thashethemet që thuhen për të tjerët! Ti o Zot e di çdo gjë që fshehin zemrat tona!
Përktheu: Elmaz Fida