Unioni Kombëtar i Studentëve Turq, ka nisur një fushatë për mbledhjen e firmave për një peticion, në të cilin do të kërkohet hapja e muzeut Aja Sofja për kryerjen e ritualeve fetare për besimtarët, ashtu siç ka qenë më parë. Unioni në fjalë e ka nisur këtë fushatë nën moton “Le të hapet Aja Sofia, profecia e profetit Muhamed a.s, amaneti i sulltan Mehmetit dhe simboli i Turqisë”. Kjo moto do të shpërndahet në të gjitha krahinat dhe qytetet e vendit.
Sipas deklaratës së Unionit në fjalë, fushata do të shtrihet në të gjithë Turqinë. Ajo ka nisur me 24 nëntor, ditën kur xhamia e Aja Sofias u kthye në muze në vitin 1935. Pritet që fushata të vazhdojë deri në 29 maj të vitit të ardhshëm, ditën në të cilën sulltan Fatihu mori Stambollin dhe e shndërroi Aja Sofian në xhami, në vitin 1453. Po atë ditë, firmat e mbledhura do i dërgohen këshillit të ministrave. /ardhmeriaonline/