Ibni Haxheri ka përmendur se, para Islamit, jobesimtarët vajzat e veta i kanë varrosur në dy mënyra:
- E para, burri e ka urdhëruar gruan e vet që, kur të vinte koha e lindjes, lindja të bëhej afër një grope. Në qoftë se do t'u lindte djalë, e linin të jetonte; në qoftë se do t'u lindte vajzë, e hidhnin në gropë.
- E dyta, kur vajza i mbushte gjashtë vjet, burri i thoshte gruas së vet që ta parfumonte dhe ta zbukuronte vajzën, gjoja se do t'i vizitonin disa të afërm. Pastaj, largohej me vajzën në shkretëtirë, derisa të vinte te ndonjë pus dhe i thoshte vajzës që të shikonte në pus, ndërsa ai e shtynte nga pas dhe e shkelte. (Fet'hul-Bari)
Kurse, Islami e ka konsideruar vajzën si begati të madhe dhe dhuratë të çmuar nga All-llahu i madhëruar:
"Vetëm i All-llahut është pushteti i qiejve dhe i tokës. Ai krijon çka të dojë. Kujt të dojë, Ai i dhuron vetëm femra ose vetëm meshkuj, ose i dhuron çift, meshkuj e femra, dhe kë të dojë e lë pa fëmijë (steril). Ai është i dijshëm dhe i fuqishëm". (Esh-Shura, 49/50).
Dhe, nga pejgamberi transmetohet të ketë thënë:"Ai i cili ka një vajzë dhe nuk e varrosë atë për së gjalli, nuk e nënçmon dhe nuk i jep përparësi djalit ndaj saj, All-llahu do ta futë në xhenet". (Transmeton Ahmedi)
Ukbete Bin Amir ka thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut të thotë:"Kush i ka tri vajza dhe bën durim në rritjen e tyre, si dhe i vesh e i mbath nga pasuria e vet, ato do të jenë për të shpëtim nga zjarri". (Transmeton Ibni Maxheh)
Pejgamberi, në një hadith tjetër, thotë:"Kush i rrit dy vajza, derisa ta arrijnë moshën madhore, unë dhe ai, në Ditën e Gjykimit, do të jemi si këta dy gishtërinj (dhe ka bashkuar gishtërinjtë e vet)". (Transmeton Muslimi)
Imam Ahmedi ka transmetuar se pejgamberi ka thënë:"Kush i rrit dy apo tri vajza, ose i rrit dy apo tri motra, derisa ta arrijnë moshën madhore, ose ai vdes duke u përkujdesur për to, unë dhe ai do të jemi si këta dy gishtërinj (dhe i bëri bashkë gishtin tregues dhe tjetrin pranë tij). (Musnedi i Ahmedit)
Xhabiri bin Abdil-lah ka thënë se i Dërguari i All-llahut ka thënë:"Kush i ka tri vajza dhe i strehon ato, iu siguron ushqim dhe i mëshiron, për të bëhet obligim hyrja në xhenet. Njëri nga të pranishmit pyeti:'Po ai i cili ka dy vajza?' I dërguari i All-llahut tha:'Po, edhe ai, i cili ka dy vajza". (Transmeton Buhariu, në Edebul-Mufred)
Transmeton Aisheja se një beduin erdhi tek pejgamberi dhe i tha atij:"Ju i puthkeni fëmijët e juaj?! Ne nuk i puthim". Atëherë, pejgamberi i tha:"Unë nuk kam asgjë në dorë, nëse All-llahu ka larguar mëshirën nga zemra jote". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)