[Only admins are allowed to see this image]Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183).
I respektuari xhemat, të jesh musliman do të thotë të jetosh në kënaqësi të shumta, në radhë të parë duke qenë rob i denjë i Allahut, për shkak se ta kesh Allahun në anën tende, do të thotë, gjithashtu, të jesh njeriu më i pasur dhe më i pushtetshëm në botë. Sipas një hadithi kudsi, thotë Muhammedi a.s. se Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O robi im! Më kërko Mua që të më gjesh. Nëse më gjenë Mua, dije se ke gjetur gjithçka. E nëse më humbë Mua, dije se ke humbur gjithçka.”
Pastaj, kënaqësi tjetër e këtyre ditëve është ndjesia jonë që ka krijuar pritja e Muajit të shenjtë të Ramazanit. Ja, kanë ngelë edhe ca ditë që të vijë midis nesh muaji më i bekuar, muaji i Kur’anit, muaji i Udhëzimit dhe i zhvillimit shpirtëror, muaji i revizionit tonë.
Ardhja e tij vetëm se ka filluar të nuhatet, e ne, ndonëse për njëmbëdhjetë muaj rreshtë, të preukupuar me kenaqësitë e kësaj bote, kemi harruar ta mbushim shpirtin me aromën e adhurimit që ofron sofra e Allahut në Ramazan.
Të nderuar vëllezër e motra, Ramazani vjen për të na pastruar dhe forcuar. Ai vjen, gjithashtu, për të na mësuar se të shesësh të ardhëshmen me të tashmen, dhe t’ia kthesh shpinën botës së amshueshme, duke u marrë vetëm me atë që është kalimtare, nuk është mençuri, por budallallëk.
Me rastin e kësaj hutbeje, do të doja që pjesën vijuese ta përmbledh me një prononcim të dijetarit të shquar Abdullah Drazit, i cili, duke biseduar me Hënën e Ramazanit, shprehet: “Eja, o Hënë e re e Ramazanit, eja dhe, për besimtarët, le të jetë ardhja jote mëshirë, përparim dhe vëllazërim. Eja, e sillu njerëzve argumentin e së vërtetës, në vend të argumentit të forcës, e vendos ligjin e pajtimit dhe të butësisë, në vend të ligjit të brutalitetit dhe dhunës. Eja dhe mbushe tokën me shkëlqim dhe paqe, pasi që është kapluar nga padrejtësia, dhuna dhe errësira. O hënë e re e Ramazanit, me dritën tënde dritëso tërë botën muslimane, dhe tek bijtë e saj lësho shkëndijat e frymëzimit me të cilat do të udhëhiqet në çdo vend dhe në secilin moment. Hënë e bekuar e Ramazanit, hyr në shtëpitë e Allahut dhe mbushi ato plotë nur e dritë, kurse dyert e tyre mbaji të hapura ditën dhe natën, ashtu që, në asnjë moment, të mos ngelin të boshatisura, pa namazlinj, pas lexues të Kur’anit, pa udhëzues dhe pa to që kërkojnë të udhëzohen. Vështroji vendtakimet e muslimanëve, vendtakime të pafrytshme dhe të parregullta, ku asnjë bisedë e hajrit nuk del prej tyre. Kërko prej tyre, në radhë të parë, të agjërojnë prej përtacisë, bisedave të pahijshme dhe të kota. Kalo pak nga tregjet dhe pazaret, në të cilat, shpesh, ndodhin grindje, zënka e mashtrime. Eja e ringjall marrëveshjen e imanit, ashtu që muslimanët të ulin nivelin e lakmisë. Hyr në vendbanimet e muslimanëve dhe jepu atyre atmosferën e ramazanit, duke i kujtuar, që të gjithë, për rëndësinë dhe dobinë e edukimit prej shpirtit të Kur’anit fisnik…”
Shumë i respektuari xhemat, Ramazani i ngjanë pranverës, ashtu sikurse pranvera i jep hijeshi dhe gjallëri natyrës, ashtu edhe muaji i agjërimit ngjall, me vlera e virtyte, jetën e bujshme të besimtarit.
Tani është koha që ta gjejmë Allahun dhe të ulemi rreth sofrës së Tij. Kush jeton me Allahun sa është shëndosh e mirë, ai nuk do të brengoset kur një ditë do të takohet me Të. Sa keq për ata që kur do t’u vijë momenti i dorëzimit të shpirtit, do ta dëshirojnë atë që edhe Kur’ani e përshkruan: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, ai thotë: O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që po e lë. Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë.” (El-Mu’minun, 90-100). Apo siç thotë në një sure tjetër: “Prandaj jepni prej të mirave që u kam dhënë Unë, para se t’i vij vdekja ndonjërit, e të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, e të jepja lëmoshë dhe të bëhesha prej mirëve.” (El-Munafikunë, 10).
Andaj, vëllezër e motra, është momenti i fundit që ne t’i ndezim shkëndijat e besimit dhe ta përgatisim vetveten për ta pritur sa më këndshëm dhe me plotë dashuri muajin e bekuar të Ramazanit, e t’i themi: Eja e lëshoi rrezet hyjnore në dritaret e hapura të zemrave tona!
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 06.06.2014, nga imami hfz. Mehas Alija).
(Breziiri)