Dita e xhumasë është ajo ditë për të cilën Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Dita më e mirë që ka lindur dielli është dita e xhumasë”. Ibën Kajimi ,All-llahu e mëshiroftë thotë: “Prej udhëzimit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ishte madhërimi i kësaj dite, fisnikërimi i saj, dhe dallimi i saj me adhurime në krahasim me ditët tjera.” Ibën Kajimi, All-llahu e mëshiroftë, numëroi më shumë se tridhjetë veçori dhe vlera për këtë ditë të madhe, dhe prej tyre do t’i cekim disa më kryesore.
1. Dita e xhumasë është ditë feste që përsëritet. Në këtë ditë ndalohet agjërimi ndarazi prej ditëve tjera, kështu që me këtë kundërshtohen krishterët dhe jehuditë, dhe i jepet mundësi muslimanit që të forcohet për disa adhurime të posaçme të kësaj dite si, namazi, lutjet, e tjerë.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Me të vërtetë dita e xhumasë është ditë feste, dhe ditën e festës mos e bëni ditë agjërimi, përveç nëse ia bashkëngjitni një ditë para ose pas.”
2. Dita e xhumasë është dita e “tepricës”, dita kur i shfaqet All-llahu azze ue xhel besimtarëve në Xhennet. All-llahu azze ve xhel thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” Kaf 35. Enes ibën Malik, radijallahu anhu, thotë: “I paraqitet All-llahu azze ue xhel besimtarëve në Xhennet çdo xhuma.”
3.Dita e xhumasë është prej ditëve më të mira. Pejgamberi, sal-lallllahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Dita më e mirë që ka lindur dielli është dita e xhumasë”.
4. Në këtë ditë ka një orë në të cilën pranohet duaja. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sellem, thotë: “Në këtë ditë gjendet një orë, nëse e takon një rob musliman duke u falur dhe kërkon prej All-llahut azze ve xhel diç, All-llahu ia jep atë”.
5. Në këtë ditë pëlqehet veprimi i veprave të mira. Pejgamberi, sal-lallllahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Ai i cili i vepron këto pesë vepra brenda dite, All-llahu azze ve xhel e shënon prej banorëve të Xhennetit: Viziton të sëmurin, prezanton në xhenaze, agjëron këtë ditë, shkon në xhami për faljen e namazit të xhumasë, dhe liron një rob.” Sqarim: Agjërimi që ceket në këtë hadith është agjërimi i cili bie në këtë ditë pa qëllim veçimi të kësaj dite, siç e ceka më lartë.
6.Kjo ditë është dita kur do të ndodhë Kiameti. Pejgamberi, sallall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “S’do të ndodhë Kiameti përveçse në ditën e xhuma.”
7- Kjo ditë është dita kur falen mëkatet. Transmeton Selman el Farisij, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallllahu alejhi ve sellem, ka thënë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes njerëzve (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar All-llahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t`i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”
8. Ai i cili shkon për ta falur namazin e xhumasë duke ecur në këmbë, ka shpërblim të madh. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sellem, thotë: “Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme, dhe shpejton sa më herët që është e mundshme, e shkon në këmbë e jo duke kalëruar, pastaj i afrohet imamit, e përcjell hutben me vëmendje pa kurrfarë lëvizje të palejueshme (më gjymtyrë ose megojë) do të ketë shpërblim sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur tërë vitin.”
9. Xhumaja deri në xhumanë tjetër është shkak për faljen e mëkateve mes tyre, dhe për tri ditë të tjera shtesë. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Ai i cili pastron trupin ditën e xhuma, pastaj niset për ta falur namazin, i falë ato që është i detyruar t’i falë, e dëgjon hutben me vëmendje, pastaj falet me imamin, All-llahu azze ve xhel ia fal mëkatet nga kjo xhuma deri në xhumanë tjetër, dhe për tri ditë të tjera shtesë.“ Mëkatet e përmendura në këtë hadith janë mëkate të vogla, ashtu siç ka transmetuar Ibën Maxhe nga Ebu Hurejra fjalët e mëposhtme: “Për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha”.
10- Vdekja e një muslimani ditën apo natën e xhumasë, është prej shenjave të përfundimit të mirë. Pejgamberi, sall-all-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Ai i cili vdes ditën apo natën e xhumasë, i shmanget sprovës së varrit.”
11.- Dhënia e lëmoshës në këtë ditë është më e mirë se në ditët tjera. Ibën Kajimi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Lëmosha e kësaj dite krahas ditëve tjera javore, është si lëmosha e muajit Ramazan krahas muajve tjerë.” Pastaj tha: “E shihja ibën Tejmijën, All-llahu e mëshiroftë, se kur dilte prej shtëpie për ta falur namazin e xhumasë, merrte me vete bukë apo çka gjente në shtëpi dhe e jepte si lëmoshë fshehurazi.” Këto ishin disa prej veçorive të kësaj dite të madhe, dhe po të kishte kjo ditë vetëm një nga veçoritë që i cekëm, do të ishte e mjaftueshme për muslimanin në rast se e praktikonte dhe kujdesej për të.
Marur nga Revista "Ikre" Revist e Medreses Isa Beu
Autorë: Arben Lutfiu III-A