Nëse 99 herë veprojmë mirë, por vetëm një herë veprojmë gabim, njerëzit do të na fajësojnë për gabimin e vetëm, dhe do t’i harrojnë 99 të mirat – kështu janë njerëzit. Mirëpo, nëse 99 herë veprojmë gabim, dhe vetëm një herë veprojmë mirë, Allahu do të na i falë 99 gabimet, dhe do të na e pranojë veprën e vetme të mirë – ky është Allahu.
Atëherë, pse po vrapojmë pas njerëzve, dhe po ikim nga Allahu ?!
Është e dinjitetshme që ndonjëherë të dorëzohemi dhe në qetësi të tërhiqemi, sepse qëndrimi ynë me ata që nuk e dinë vlerën e dinjitetit, e rrënojnë dinjitetin tonë. Fjalët tona kanë nevojë për avokat; ne i shqiptojmë me pafajësi, kurse të tjerët na i kuptojnë në mënyrë të poshtër.
Gabojnë ata kur thonë: “Bota ka ndryshuar!” – bota nuk ka ndryshuar, bota nuk është e mençur për të njohur dhe për të ndryshuar. Zemra, morali, natyra dhe parimet e njerëzve ndryshojnë.
Nuk kam gjetur përshkrim më të mirë për jetën, sesa ai që thotë se, jetën e përbëjnë përvojat, nëse nuk mëson nga goditja e parë, atëherë e meriton goditjen e dytë. Nëse nganjëherë të pyesin, pse ti je i pikëlluar, bëju i sinqertë dhe thuaj: “Sepse unë bëj pak istigfar dhe pak e hapi Kuranin…”
Njëri namaz i yti me siguri do të jetë i fundit, pas së cilit do të largohesh nga kjo botë, andaj kujdesu për secilin namaz dhe kryeje në formën më të mirë, sepse ti nuk e di se cili do të jetë i fundit. Sa të mirë janë pleqtë, harresa i përfshinë në të gjitha gjërat, përveç dhikrit për Allahun.
Ne të gjithë jemi bosh se kemi shumë mangësi, po mos të ishte mbulesa e Allahut, e cila quhet ”sitr”, qafat tona do të thyheshin nga turpi i fuqishëm.
Thuaj Elhamdulil-lah, kur e ke më vështirë, por edhe kur je më mirë, kur je në pikëllim, në gëzim, në zemërim dhe në heshtje…
Thuaj Elhamdulil-lah, me gjithë zemër dhe përsërite vazhdimisht, kështu kurrë nuk do të rrëzohesh, pavarësisht nga situata.
Elhamdulil-lah.
Askush për ne nuk është më i mëshirshëm se Allahu.
Allahu na i pranoftë lutjet, na ruajtë nga fatkeqësitë dhe na lartësoftë në Tokë dhe në qiej! Amin! (Ali Tantavi, r.h.)
Përkthim: Miftar Ajdini