Le të bien të gjitha gjethet nga drunjët
se nuk mund të duket bota më e trishtuar
se kur ranë vetullat e Jakubit nga malli për Jusufin.
Le ta ngjyrosë vjeshta jetën e kësaj bote
me të gjitha ngjyrat se ngjyrën e e fytyrës së Jusufit
në momentin e hedhjes nga vllezërit në pus,
nuk ka vjeshtë që mund ta pikturojë.
Le të lëshojnë retë e zeza shi sa të duan mbi tokë
se një pikë loti nga sytë e Jakubit në këmishën e grisur të Jusufit
është më e rëndë se të gjitha retë e ngarkuara me shi.
Le t’i zbardhojë dimri malet sa të dojë,
deri në orën e fundit të ekzistencës së universit,
se një thinjë në kokën e Jakubit është më e ftohtë
se të gjithë dimrat e jetës bashkë.
Le të lëshojë pranvera me trëndafilat e saj
çfardo arome se aromën që ndjeu Jakubi nga këmisha e Jusufit,
nuk ka pranverë që do ta sjell mbi dhe.
Le ta djegë e pjekë vera tokën me diellin përcëllues
sa të dojë se nuk mund t’ia kalojë nxehtësisë së verave të thata
të atij që ëndërronte i lirë por nuk e dinte kuptimin e ëndërrave të veta pa Jusufin e robëruar.
Le të dehen nga bukuritë e kësaj bote gratë e të gjitha pallateve
se dehja e grave nga bukuria e Jusufit të cilat prenë gishtrinjtë
në vend të frutave që mbanin në dorë, është më shumë se dehje.
Mbase më mirë që i prenë duart,
se po të jetonin më gjatë në praninë e bukurisë,
do t’i harronin edhe emrat, do t’i prisnin edhe zemrat!
•Fatmir MUJA•
Tue 5 May 2020 - 18:38 nga Admin