Duke udhëtuar në kohët e kaluara por fisnike të myslimanëve, sot do të shkoj shumë larg, në kohën dhe vitet në të cilat në Tokë ende ishte gjallë i Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s.
Zemra e tij e mbushur me dashuri ndaj Allahut dhe gjithë besimtarëve numëronte rrahjet e fundit të saj. Sytë më të bukur që lotuan me lotët më të vlefshëm që njeh historia, të mbuluar me kapakët e rënduar nga temperatura dhe ethet që e kishin kapluar robin më të mirë të Allahut, sytë e mbushur me dritë vezulluese, sepse nuk kishin shikuar në atë që Allahu kishte ndaluar, për herë të fundit i viziton personat e dashur.
Zemrat e sahabëve ishin të tendosura dhe gati nuk dilnin nga krahërorët e tyre, të mbushura nga burimi i pastër për shkak se po largohet miku më i mirë i tyre.
Gati nuk kishin menduar asnjëherë që do t’i lërë mësuesi i tyre më i mirë.
Kishin menduar se do të mbeten pa nënë e baba, por me mbet pa modelin më të bukur, shëmbëlltyrën më të përkryer dhe dashurinë e zemrës më fisnike e bujare, për këtë asnjë moment nuk kishin menduar.
Por, këto ditë të rënda dhe të lodhshme me vete sollën edhe këto mendime, për zemrën të padëshpëruar dhe gati të papranueshme. Në këto ditë vape të verës në Mekë mbizotëronte një heshtje e jashtëzakonshme, lodhja nuk ndihej ndërsa tregtarët pak vëreheshin, sikur çdo gjë ndjellte sprovën më të madhe.
Sahabët në xhami presin mikun e tyre më të madh, mësuesin, shokun, vëllanë, imamin dhe udhëheqësin. E dinin që Muhammedi s.a.v.s. ishte i sëmurë, por dëshironin shërimin e tij. I mbështetur në mesin e dy miqve të tij, duke u dridhur në xhami hyri Muhammedi s.a.v.s., i sëmurë, por i dashuruar në xhami, në namaz, prandaj vizita e shtëpisë së Allahut nuk ndalej.
Pasi mori pak fuqi, Pejgamberi s.a.v.s. u ngrit dhe iu drejtua masës:
“O njerëz, e di që jeni të brengosur për atë që do të vijë kur do t’u lë dhe shkoj te Zoti im. A thua ndonjë i dërguar i Allahut ka mbetur përherë me pasuesit e tij? Jo. Sikur ndonjëherë të kishte mbetur edhe unë do të mbetesha me ju. Por, unë jam vetëm njeri i rëndomtë, i vdekshëm sikur gjithë njerëzit tjerë. Të gjithë e kemi fundin tonë. Vetëm Allahu është i përhershëm. Ai përcakton fillimin dhe fundin e jetës sonë. Çdo gjë është në pushtetin Tij. Çdo gjë ndodh me dëshirën e Tij. Ai është mbi çdo send.”
Mund të paramendoni se çfarë ndodhi pas këtyre fjalëve. Zemrat u mbushën me pikëllim dhe brengë, me pikëllim për shkak të paralajmërimit të shkuarjes nga dynjaja e njeriut më të mirë të historisë, brenga ngase nuk do të jetë ai që do të jepte këshillat më të bukura, ai i cili thërriste në rrugën e drejtë dhe largonte në mënyrë të bukur nga e keqja, nuk ka më ruajtës të komunitetit dhe individit. Si të mbetesh në rrugë të drejtë kur të lë ky këshillues kësisoj?!
Filloi vajtimi. Dënesje, por jo të zakonta. Dënesjet për më të dashurin, dënesjet nga të cilat lëkundeshin trupat, sytë e skuqur si gjak, këmbët e këputura, ndërsa zemrat zhyteshin gjithnjë e më shumë në brengë. Pyesnin kur dënesjet dhe vaji do të ndalen, dhe a ka mundur të ndalen.
Fjalët nga goja e bekuar përsëri dolën: “Mesazhi im i fundit është që të besoni fuqishëm në një Zot dhe të bëni vepra të mira. Pasoni rrugën e Kuranit, rrugë të cilën Zoti u përcaktoi. Nëse nuk veproni kështu do të bini në hidhërimin e Allahut dhe do të mposhteni.
Pasha kohën!
Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. (El - Asr, 1-3)
Vëllezër, koha e kthimit tim te Zoti im është afër. Ai më së miri e di momentin e vdekjes sime. Unë dëshiroj me shpirt të pastër të shkoj para Allahut të madhërishëm. Nëse dikën e kam lënduar, nëse dikujt i kam mbetur borxh ose nëse dikën e kam goditur, le të thotë tani, le të marrë të drejtën e tij tek unë dhe le ta paguajë llogarinë e tij. Asnjëherë nuk jam hakmarrë ose ndaj dikujt kam treguar urrejtje. Asnjëherë nuk kam dëshiruar dikën ta dëmtoj ose t’i bëj keq. Por, nëse kjo ka ndodhur, lirisht thuani.
Kërkoni kompensimin dhe mos lejoni që me borxhin apo hakun tuaj të shkoj para Allahut të madhërishëm!”
Në xhami një heshtje e rëndë. Dëgjoheshin vetëm dënesjet e sahabëve të cilët më kot mundoheshin ta ndalin vajin. Në të njëjtin moment ndienin pikëllimin e pafund për gjendjen e Pejgamberit s.a.v.s., por edhe mahnitje dhe krenari për këto fjalë të fuqishme dhe fisnike.
Askush as që kishte paramenduar që në pyetjen e tij dikush mund të paraqitej.
Njeriu me emrin Ukash u ngrit dhe tha: “I Dërguar i Allahut, më ke borxh tre dërhem.”
Ata që ishin prezent nuk mund t’u besonin veshëve dhe syve të tyre. E shikonin me urrejtje, por për shkak të respektit ndaj Pejgamberit s.a.v.s. nuk thanë asgjë. Në këto fjalë, Pejgamberi s.a.v.s. buzëqeshi butësisht dhe në vërejtjen e Ukashit ia ktheu: “Të besoj Ukash, por ma kujto kur ndodhi kjo.”
Ukashi tha: “Një ditë t’u afrua një i varfër dhe kërkoi ndihmë, e ti nuk pate të holla pranë vetit dhe huazove nga unë tre dërhem. Ende nuk m’i ke kthyer.”
Pejgamberi s.a.v.s. urdhëroi Aliun r.a. t’i sjell tre dërhem dhe t’ia jep Ukashit. Sahabët nuk mund të besonin në këtë që po shikonin. Pyeteshin nga kjo trimëri dhe guxim i Ukashit ta maltretojë Pejgamberin e sëmurë dhe të molisur.
Por, Pejgamberi s.a.v.s. përsëri pyeti a i ka mbetur kujt borxh apo dikën në njëfarë mënyrë e ka dëmtuar. Përsëri u paraqit Ukashi: “I Dërguar i Allahut, njëherë kur kalëronim me deve pranë Taifit, padashje më ke goditur me kamxhik në gjoks dhe kjo më ka shkaktuar dhembje shumë. Dëshiroj kompensim për këtë goditje!”
Në mesin e sahabëve u bë çrregullim i vërtet. Me zë akuzonin Ukashin, ndërsa Omeri r.a. mezi u përmbajt për ta goditur këtë sahab.
Mirëpo, Pejgamberi s.a.v.s. u ngrit i qetë dhe urdhëroi Aliun r.a. t’ia sjell kamxhikun.
“A thua do ta godasësh Pejgamberin?” “Më godit njëqind herë mua për një goditje që të ka bërë Pejgamberi!” T’i jap 100 deve t’ia bësh hallall Pejgamberit!” Si nuk ke turp Ukash çfarë bën!” - bërtisnin ata që ishin prezent, por ai nuk u vinte veshin fjalëve të tyre dhe ishte këmbëngulës në dëshirën e tij.
Kur Aliu r.a. i solli kamxhikun Ukashit, me kërkesën e re i ngriu zemrat e gjithë atyre që ishin prezent, saqë disa deshën ta vrasin.
Kërkoi sa vijon: “O i Dërguar i Allahut, kur ti më pate goditur, gjoksi im ishte i zhveshur, andaj zbulo edhe ti gjoksin tënd që me nder ta marr hakun tim!”
Muhammedi s.a.v.s. pa vërejtje dëgjoi dhe zbuloi gjoksin e tij. Sahabët të çuditur shikonin duke mos besuar se a thua vërtet po ndodh kjo. Kur të gjithë prisnin goditjen, Ukashi u hodh në gjoksin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe filloi ta përqafojë duke qarë dhe duke thënë: “O i dashuri i Allahut, gjatë kam pritur ta përqafoj gjoksin tënd të bekuar. Pasha Allahun, jam gati të vdes për ty nëse duhet!”
Ah, ah, ah! Të gjithë qanin. Dënesjet shponin zemrat, rrëke lotësh rridhnin.
Dashuria e vërtet u zbulua para njerëzve, dashuria e Ukashit ndaj Pejgamberit s.a.v.s. Për çfarë ka qenë të inskenojë ky sahab për të arritur dëshirën më të madhe në dynja për të përqafuar gjoksin e bekuar të Pejgamberit s.a.v.s.
Ky është tregimi për këtë dashuri. Ndërsa neve nuk na mbetet pos që t’i përqafojmë këto hadithe të shkruara në libër, ta përqafojmë sunnetin e tij dhe ta ruajmë në praktikën tonë.
Ishin këto ditët e fundit të jetës së krijesës më të zgjedhur të Allahut, Muhammedit s.a.v.s. i cili shfrytëzoi çdo moment të mundshëm që të na këshillojë që paqja, drejtësia dhe nderi janë ideale të pacënueshme kah duhet të orientohemi. Na mësoi se secila e drejtë e çdokujt duhet respektuar, edhe nëse ne nuk e dëshirojmë.
Me madhështinë e tij na tregoi në modestinë dhe përulësinë më të madhe.
Në realitet, tërë jeta e tij është një burim i pashterur nga i cili gjenerata dhe gjenerata pas tij shuan etjen dhe fisnikëruan jetët e tyre.
Të bëhemi edhe ne si ata dhe t’i ujitim shpirtrat tanë të etur.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi