Emri i tij është Lukman ibnu Baura. Ai ishte skllav i zi nga Abisinia. Buzët i kishte të trasha, vrimat e hundës të gjera, me shtat të shkurtër, me hundë të shtypur dhe me këmbët e çara. Megjithatë, këto të meta nuk ia ulnin aspak statusin që gëzonte tek Zoti, pasi e kishte nderuar me urtësi dhe dije. Thotë Zoti në Kuran:”
Ne i dhamë Lukmanit urtësi.”Thuhet se nga zezakët, katër kanë qenë më të mirët:”Lukman ibnu Baura, Bilal ibnu Rebah, mbreti Nexhashi dhe Mehxha (skllavi i hazreti i Omerit).”
Tregohet se për herë të parë, urtësia e tij u shfaq kur padroni i tij humbi lojën e tavllës. Ai luante shumë kumar dhe gjatë lojës, kishte premtuar se nëse humbet do të pinte të gjithë ujin e lumit. Kur humbi, kundërshtari i tha:”Hajde tani, pije të gjithë ujin e lumit!”
Padroni i thotë:”Më kërko çfarë të duash tjetër se nuk e pi dot!”
Kundërshtari i përgjigjet:”Dua të gjithë pasurinë tënde ose në të kundërt të nxjerr sytë!”
Pronari i thotë:”Më jep afat një ditë!”
Kundërshtari pranoi.
Pronarin e kaploi dëshpërim i madh për çfarë kishte ndodhur. Ndërkohë, vjen Lukmani me një deng dru në krahë, të cilët i hodhi diku larg dhe u kthye tek padroni i tij, i cili herë pas here i hidhte ndonjë fjalë kuturu dhe priste përgjigjet plot urtësi të skllavit të vet. Pasi Lukmani u ul, vuri re dëshpërimin e padronit të vet dhe e pyeti:”Çfarë ka zotëria im që është mërzitur dhe dëshpëruar kaq shumë?!”
Padroni i ktheu shpinën dhe nuk i foli.
Lukmani e pyeti për herë të dytë dhe të tretë, por sërish padroni nuk i jepte përgjigje. Duke mos marrë përgjigje, Lukmani i tha:”Më trego se ndoshta ta zgjidh unë hallin!”
Padroni i rrëfeu gjithçka që kishte ngjarë dhe lukmani i tha:”S’ke përse dëshpërohesh se ta zgjidh unë këtë çështje!”
“E si e zgjidh ti?!” e pyeti i çuditur padroni.
Lukmani iu përgjigj:”Nesër, kur të vijë ai zotëria dhe të kërkojë të pish ujin e lumit mes dy brigjeve të tij, i thuaj:”Ma ndal pak rrjedhën që ta pi ujin mes dy brigjeve!” Sigurisht që ai nuk mundet dot ta ndalë rrjedhën! Kështu ti do të dalësh pa u lagur nga kjo mesele!”
Padroni e kuptoi që skllavi i tij kishte të drejtë dhe u qetësua. Po atë ditë, ai i fali atij lirinë.
Këto janë disa nga porositë e Lukmanit që ia jepte të birit të tij:
O bir! Bëj kujdes dhe mos merr borxh, sepse ai është poshtërim ditën dhe pagjumësi natën!
O bir! Më parë, njerëzit flisnin për punët e mira që bënin, kurse sot flasin për punë të mira që nuk i bëjnë.
O bir! Ruhu nga lypja pasi të nxjerr bojën!
O bir! Gënjen kush thotë se e keqja del me të keqe. Nëse pretendon se kjo është e vërtetë, le të ndezë një zjarr përbri një tjetri dhe prit të shohësh nëse e fikin njëri-tjetrin apo jo! Në fakt, është e mira ajo që e largon të keqen, ashtu siç fik uji zjarrin.
O bir! Mos e zvarrit pendimin, sepse vdekja vjen papritur!
O bir! Nëse je duke u falur, kujdes me zemrën tënde! Nëse je duke ngrënë, kujdes me gojën. Nëse je në shtëpinë e dikujt tjetër, kujdes me shikimin. Nëse je mes njerëzve, kujdes me gjuhën.
O bir! Largoje xhelozinë sepse ajo prish besimin tënd fetar, dobëson shpirtin dhe sjell veç pendim!
O bir! Fillesat e para të nevrikosjes janë çmenduri, fundi pendim!
O bir! Butësia është maja e urtësisë.
O bir! Ruhu nga shokët e ligj, sepse janë si shpata, e bukur në pamje por e shëmtuar në vepra.
O bir! Mos e kërko dijen për tu mburrur para dijetarëve, për të vënë në lojë mendjelehtët apo për tu dukur në mexhlise! Nëse sheh një popull që përmendin Zotin, ulu me ta, sepse nëse je i ditur do tu bësh dobi me dijen, e nëse je i paditur do të mësosh prej tyre. Ndoshta Zoti i sheh me syrin e rahmetit të Tij dhe i fal të gjithë, kështu të përfshin dhe ty rahmeti i Zotit.
O bir! Mos i shoqëro Zotit rivalë, pasi kjo është padrejtësi e madhe.
O bir! Ushqimin tënd mos e hanë veçse njerëzit e devotshëm dhe për tu këshilluar këshillohu vetëm me të diturit.
O bir! Mos debato me një ngatërrestar, mos u bëj mik me një zullumqar dhe mos u shoqëro me një të akuzuar!
O bir! Unë jam penduar për fjalët që kam thënë, por nuk jam penduar asnjëherë për heshtjen.
O bir! Nëse dëshiron të bësh mik një person, zemëroje më parë! Nëse sillet me drejtësi në gjendje nervozizmi mirë, në të kundër ruhu prej tij!
O bir! Kush e ruan sekretin e tij, ka në dorë të zgjedhë.
O bir! Mos u bëj i ëmbël se të gllabërojnë, por as i hidhur se të pështyjnë jashtë.
O bir! Çdo popull ka një qen, prandaj mos u bëj qeni i miqve të tu! Këtë këshillë ia dha të birit kur ky i fundit nisej për një udhëtim.
O bir! Shembulli i një gruaje të ndershme është si shembulli i kurorës mbi kokën e mbretit. Kurse shembull i gruas së ligë është si shembulli i një barre të rëndë mbi shpinën e një plaku të ligsht.
Perktheu: Elmaz Fida