Suhejl ibn Amr dhe familja e tij ishin në një udhëtim. Gjatë rrugës, sulmohen nga disa banditë dhe kaçakë, të cilët u marrin të gjithë ushqimet që kishin me vete. Mandej, ata ulen diku aty pranë dhe fillojnë ta konsumojnë në sy të tyre. Vetëm kapoja i bandës ishte ulur mënjanë dhe qëndronte pa ngrënë. I çuditur Suhejl ibn Amri iu afrua dhe e pyeti: “Nuk të shoh zotrote të shijosh ushqimin që na morët! Përse vallë?” Kapoja iu përgjigj: “Sepse agjëroj!!!” Suhejli e pyeti sërish, këtë herë gjithë habi: “Plaçkit njerëzit dhe agjëron?! Kjo qenka për të vënë duart në kokë!” Kapoja i bandës ia ktheu: “Dëgjo or mik! I kam mbyllur shumë dyer me Zotin, kjo e agjërimit është dera e vetme që e kam lënë të hapur. Ku i dihet, ndoshta ndonjë ditë, do e përdor që të hap edhe dyert e tjera.” Pastaj u ngrit dhe urdhëroi bandën të niseshin.
Dy vite më vonë, ai e sheh kapon e bandës pranë Qabes, ishte kapur pas mbulesës së saj dhe i rridhnin lot. Suhjeli iu afrua dhe e pyeti nëse ishte kapoja e bandës që i kishte plaçkitur dikur dhe ai pohoi. “Çfarë ngjau me ty o mik?! Të shoh krejt ndryshe tani!”
Kapoja iu përgjigj: “Kush e lë hapur qoftë dhe një derë të hapur me Zotin, do e shkelë ndonjë ditë pragun e saj, për të hapur dhe dyert e tjera.”
Mos i mbyllni të gjitha dyert me Zotin! Çfarëdo gjynahu të jesh duke bërë, lëre një portë mirësie të hapur me Zotin! Ku i dihet, kjo portë, sado e vogël të jetë, mund të bëhet shkak që të hapen të gjitha portat e tjera të mirësisë!