Gratë muslimane që i mësuan burrat e tyre !
Unë e ndiej tronditjen tuaj kur lexuat titullin ”Gratë muslimane që i mësuan burrat e tyre”.
- Kjo goditje ka shumë të ngjarë të vijë për shkak të gjendjes së dobët që sot haset tek shumë muslimanë.
Gratë muslimane sot nuk mund t’í mësojnë burrat e tyre për shkak se:
1. Ato nuk i kanë ato njohuri që t’u mësojnë burrat e tyre vazhdimisht.
2. Burri nuk dëshiron të mësojë nga gruaja e tij (pasi ndihet i turpëruar “si të mësoj unë nga gruaja ime?").
3. Njëra palë apo të dyja palët janë tepër të zëna për të ndarë kohë për t’u ulur së bashku dhe të mësojnë për dinin¹ e Allahut.
4. Njëra palë apo të dyja palët nuk kanë interes ose kanë një interes minimal për studimin e Islamit.
Megjithatë, muslimanët e djeshëm ishin shumë më të ndryshëm nga muslimanët e sotëm.
Ishte një kohë kur të dy, si burri edhe gruaja, do të uleshin së bashku me një dashuri të përbashkët për njohuritë e këtij dini.
Ata që i njohin njohuritë islame e dinë se dijetarët islamë udhëtonin për muaj të tërë në ndjekje të një hadithi të Pejgamberit a.s.
Për njerëzit e tillë, martesa me një grua dijetare ishte një nga bekimet më të madhështore në këtë botë dhe një burim i respektit dhe nderit.
Si atëherë është e mundur që disa i etiketojnë studiuesit (dijetarët) e Islamit si patriarkalë dhe keqpërdorues të femrave?
Mjerisht, gjersa bota sillet, injoranca përhapet, kurse modernistet (nga “feministet islame”) bëjnë thirrje për riinterpretim të jurisprudencës islame në tërësi, duke pretenduar se Islami që hasim sot është rezultat i opinioneve, mendimeve dhe ideve mashkullore.
Ky libër është
-për të gjithë ata që besojnë se është degraduese që të mësohet nga gruaja.
-për të gjithë ata që thanë se femra nuk kishte rol në përhapjen e dijes islame.
-për të gjithë ata që thonë se Islami është një keqpërdorues i femrave dhe religjion patriarkal.
-për të gjitha ato gra që kërkojnë ta ndryshojnë jurisprudencën islame duke pretenduar se është andocentrik.
Unë ju sfidoj për të lexuar më tej.
- Fatimah bin-at Mundhir ibn al-Zubejr al Awam
Esma është një figurë e njohur në historinë islame jo vetëm për shkakun se ishte vajza e Ebu Bekrit dhe motra e Aishes, por sepse ishte një grua e bindur e sahabit Zubejr ibn al 'Awami.
Roli i saj në përkrahjen e Pejgamberit a.s është shembull i gjallë që sfidon çdo kohë në analet e historisë islame.
Ajo u emërua me nofkën “Dhat at Nitakajn”, gruaja me dy rripa, për shkak të një rasti në të cilin ajo përdori dy rripat e brezit me qëllim që t’i dërgojë ushqim Pejgamberit a.s dhe të atit të saj, Ebu Bekrit.
Ata ishin larguar nga Meka për në Medinë pasi ishin përndjekur nga armiqtë dhe për këtë shkak ishte detyrë e Asmas që t’u dërgojë ushqim atyre me shkallën më të lartë të fshehtësisë, madje në fund të shtatzënisë asaj iu desh të ngjitet deri në kodrën Theur.
Për ju që nuk e njihni gjeografinë e kësaj kodre, sa për ilustrim edhe të rinjtë mbeten pa frymë nga ashpërsia e kodrës.
Çfarë e detyroi Esmën me foshnjën e saj të palindur që të ndërmarrë një udhëtim kaq të rrezikshëm?
A nuk ishte për tjetër gjë veçse dashurisë së thellë për Pejgamberin a.s dhe babanë e saj Ebu Bekrin?
Kur Ebu Xhehli erdhi te shtëpia e Ebu Bekrit, ishte i tërbuar dhe i zemëruar.
Ai e pyeti Esmën se ku gjendej babai saj dhe i Dërguari fisnik, por ajo qëndroi e fortë dhe u përgjigj se nuk e dinte vendndodhjen.
Pastaj Ebu Xhehli e goditi me shpullë, kurse ajo qëndronte e fortë dhe nuk qau, duke qëndruar me një zemër të mbushur me dashuri për këtë din.
Dashuria e saj nuk mbaroi me vdekjen e Resulullahut, por ajo e inspiroi këtë dashuri në zemrat e fëmijëve dhe nipave të saj.
Një mbesë e tillë që përfitoi shumë nga shoqëria e Asmës ishte Fatimah al Mundhir : Allahu xh.sh. e kishte zgjedhur Fatimen që të jetë dritë, madje edhe në ditët e sotme nëpër librat e hadithit.
Fatimah bint al Mundhir është e respektuar si një nga tabiaa’at kryesore të asaj kohe dhe ishte e njohur si një fakihah (juriste islame) dhe ishte e martuar me Hishaam 'Urwah ibn al-Zubejrin.
Hishami ishte një dijetar dhe transmetues i madh dhe nga studentët kryesorë të tij ishin Imam Ebu Hanifja, Imam Maliku, Shubah dhe Sufjan Etheurij.
Hishami nuk kishte përfituar shumë hadithe të Pejgamberit a.s. sikurse kishte marrë dije Fatimah nga Asma, porse Hishami e pyeste gruan e tij që t’ia mësonte atij dijen e saj mbi hadithet e Pejgamberit a.s dhe këto dije Hishami i mbante në mend dhe ua përcillte studentëve dhe shokëve të tij.
Shumë transmetues kanë transmetuar nga Fatimah, si p.sh Muhammed ibn Ishaku (autor i një libri shumë njohur të sires) dhe shumë të tjerë. Burri i saj, Hisham al-Zubajr ibn al 'Awami, është figura kyçe në transmetimin e haditheve prej Fatimes.
Më poshtë janë vetëm disa nga shembujt më të mëdhenj dhe të pranuar njëzëri në librat e hadithit, në të cilët Hishami transmeton drejpërdrejt nga gruaja e tij Fatimah.
1. Hishami transmeton nga gruaja e tij Fatimah e ajo nga gjyshja e saj Asma, e cila kishte thënë: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kam një vajzë të martuar (e cila është një nuse), por ajo ka një sëmundje (Hasbah), që i janë rralluar flokët e saj.
A mundem që t’i bashkangjes flokë të tjera në fijet e flokut?” I Dërguari i Allahut tha: “Mallkimi i Allahut është mbi atë që vepron kështu (i shton flokët në këtë mënyrë) dhe mbi atë që e kërkon këtë.”
Ky hadith është transmetuar në:
• Sahih al Buhari
• Muslim
• Al-Nes'aiu
• Ibn Maxheh
2. Hishami transmeton nga Fatimah , e ajo nga Asma , e cila kishte thënë: “Ne e kemi ngrënë mishin e njërit prej kuajve tanë në kohën e Pejgamberit."
Ky hadith është transmetuar në:
• Sahih al Bukhari
• Muslim
• Al-Nes'aiu
• Ibn Maxheh.
3. Hishami transmeton nga Fatimah e ajo nga Asma e cila kishte thënë: “I Dërguari i Allahut më ka thënë mua: “Jepni [nga pasuria juaj], shpenzoni [nga ajo] dhe paguani [nga pasuria] mos u lidhni me të, përndryshe Allahu do ta mbajë atë mbi ju dhe mos e numëroni [atë], se përndryshe Allahu do të kërkojë llogari nga ju."
Ky hadith është transmetuar në:
• Sahih al Buhari
• Muslim
• Al-Nes'aiu
4. Gjithashtu Hishami transmeton nga ajo një hadith të gjatë të gjetur në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit, në lidhje me faljen e namazit me rastin e zënies së diellit (eklipsit diellor).
Shumë libra, të cilët janë konsideruar si burimet më të besueshme të njohurive islame, përmbajnë hadithe me zinxhir transemtues që mbartin emra femrash e që janë prova të mjaftueshme që burrat muslimanë pa asnjë turpërim apo siklet transmetojnë nga gratë e tyre haptazi.
Po të mos ishte Hishami , i cili mësoi nga Fatimah e ajo nga Asma , ne sot do ishim të privuar nga perlat e urtësisë të marra nga deti profetik.
Përktheu dhe përshtati: Bintus Sabeel