Në kohën e hilafetit të Ebu Bekrit r.a ndodhi një thatësi e madhe dhe filluan të duken shenjat e krizës për ushqim. Një ditë Ebu Bekri u lut: “O Zot, mos i bëj banorët e Medinës të vuajnë për ushqim sonte!”
Tregohet se pa perënduar dielli, në horizont u duk karvani i Othmanit r.a me njëmijë deve. Sa hyri në shtëpi, të gjithë tregtarët e Medinës shkuan tek ai. Kur i pa ai, i habitur i pyeti: “Çfarë dëshironi?” Ata thanë: “Është thatësirë e madhe dhe jemi në prag të zisë. Kemi ardhur t’i blejmë ushqimet tua, që t’ua shesim banorëve”. Atëherë u tha të
hyjnë brenda.
Othmani i pyeti: “Sa më ofroni për mallin që kam sjellë?” tregtarët u përgjigjën: “Mallrat që zakonisht shiten dhjetë ne do t’i blejmë me dymbëdhjetë.” Othmani tha: “Dikush më ka ofruar më shumë.” Tregtarët thanë: “Mallin që shitet me dhjetë ne do ta blejmë me katërmbëdhjetë.” Othmani u përgjigj: “Dikush më ka ofruar më shumë.” Tregtarët thanë: “Mallin që shitet për dhjetë, ne do ta blejmë për pesëmbëdhjetë.”
Othmani u përgjigj: “Më vjen keq, por dikush më ka ofruar më shumë.” Të habitur tregtarët e pyetën: “Kush qenka ky që të ka ofruar më shumë?” Othmani u përgjigj: “Dikush tjetër më ka ofruar që mallin që shitet për
një derhem ta blejë për dhjetë derhem.” Tregtarët thanë: “Për Zotin, këtë nuk mund ta bëjmë.” Othmani pyeti: “Nuk Mundeni?” –“Jo” i thanë. Atëherë Othmani tha: “O tregtarë! Çohuni se një mijë devetë e mbushura
me ushqime, i kam dhënë sadaka për banorët e Medinës. Ia kam shitur Atij (Zotit) që më ka ofruar më shumë.”
Mesazhi
Kështu ishin të parët tanë, të cilët e kishin shkelur me këmbë koprracinë. A mendojmë ndonjëherë se a do të ishim në këtë gjendje nëse biznesmenët dhe tregtarët e mëdhenj musliman të ndërgjegjësoheshin dhe të ndiqnin shembullin e Othmanit r.a? Sot shohim se sa më shumë të shtohen të ardhurat nga tregtia, aq më shumë shtohet makutëria dhe koprracia. Kurse për Othmanin dhe shokët tjerë të të dërguarit s.a.v.s ishte e kundërta: Sa më shumë u shtoheshin të mirat aq më shumë u shtoheshe bujaria dhe zemërgjerësia. Dhe mu për këtë ata ishin mbretërit botës.