Pasi fituan shumicën e votave në zgjedhjet egjiptiane, disa kandidatë nga partitë islamike kanë mesazhe të reja për turistët: mirë se vini, por nuk ka pije alkoolike, bikini ose plazhe të përziera për meshkuj dhe femra
Një kthesë e tillë e Egjiptit në destinacionin turistik islam mund të jetë çelës për prosperitetin ekonomik, pasi ekonomia është shkatërruar në masë të konsiderueshme në trazirat politike të këtij viti.
“Turistët nuk duhet të pinë alkool kur vinë në Egjipt, pasi që atë, në masë të madhe, e kanë në shtëpi”, i tha të dielën kandidatja e Vëllazërisë Muslimane, Azza el Jarf, turmës së mbledhur. “Ata vijnë për t’i parë qytetërimet e lashta, e jo të pinë alkool”, tha ajo gjatë fushatës “Ta nxisim turizmin”.
Pas suksesit të arritur në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhe 29 nëntor, Vëllazëria muslimane dhe partia selefiste El-Nur janë nën presionin e mediave dhe opinionit që të definojnë qëndrimet e tyre për shumë çështje, e në veçanti për ato që kanë të bëjnë me ligjin Islam, lirinë personale, të drejtat e grave dhe të pakicave, të ekonomisë dhe turizmit.
Partia Al-Nur kërkon ligje të rrepta islame në Egjipt, derisa Vëllazëria Muslimane publikisht deklaron se nuk përpiqet të imponojë pikëpamjet e tyre për stilin e duhur islam të jetesës në Egjipt.
Hallall turizëm
Një zëdhënës i partisë Al-Nur në takimin në Aswan tha: “Nuk do t’i mbyllim tempujt, nuk do t’i urdhërojmë turistët të mbulohen apo t’ju kufizojë lirinë e tyre.”
Kreu i Vëllazërisë Muslimane, Saad el-Katatni, gjithashtu tha se turizmi nuk është vetëm ajo çka hanë, çka pinë ose çka vesh.
“Ne nuk kemi asgjë me plazhet,” i tha ai për ‘Al-Ahram’.
Por, në gusht ai tha se Egjipti është vend fetar, dhe nuk ka vend në plazhet publike për bikini.
Edhe të tillët si Sheikh Yasser Bourhami, person me ndikim në mesin e selefive, angazhohen për idenë e kufizimeve të turizmit.
Bourhami këtë e quan ‘turizëm hallall’.
” Hoteli me pesë yje, pa alkool, plazhe për gratë-motrat të ndara nga burrat, ku të dyja palët mund të kënaqen në pushime pa mëkate”, tha Bourhami në një intervistë në ‘TV Dream’.
“Turistët nuk kanë nevojë të notojnë në bikini dhe ta prishin rinin tonë”, tha ai./IGJ/