Thuaj: I mbështetem Zotit të agimit,
Prej dëmit të çdo krijese që Ai e krijoi.
Dhe prej errësirës së natës kur ngryset plotësisht.
Dhe prej dëmit të atyre që lidhin dhe fryejnë nyja.
Edhe prej dëmit të smirëkeqit kur sipas smirës vepron.
Ata (krerët) thanë: “Ndale atë dhe vëllain e tij, e dërgo nëpër qytete tubues (të magjistarëve).
Të sjellin çdo magjistar të dijshëm (të aftë).
Magjistarët erdhën te faraoni, e thanë: “ Ne do të kemi shpërblim në qoftë se dalim fitues!”
Ai (faraoni) tha: “Po, dhe ju do të jeni prej të afërmve të mi”.
Ata (magjistarët) thanë: “O Musa, (zgjidh) ose do të hedhish ti, ose ne po hedhim?”
Ai (Musai) tha: “Hidhni ju”! E kur hodhën ata (shkopinj e litarë), magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe sollën një magji të madhe.
E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): “Hidhe shkopin tënd!” Kur qe, ai gëlltiste atë që kishin magjepsur.
Atëherë u dëshmua e vërteta dhe u zhduk ajo që kishin përgatitur.
Aty u mundën ata (magjistarët dhe faraoni) dhe u kthyen të poshtëruar.
E magjistarët u hodhën (u përulën) në sexhde.
Dhe se ka pasur burra prej njerëzve, që kërkonin ndihmë prej disa xhinëve dhe ashtu ua shtonin atyre edhe më shumë arrogancën.
Dhe se ata (njerëzit) kanë menduar, siç keni menduar edhe ju, se All-llahu nuk ka për ta ringjallur askë.
Ata thanë: “O Musa, do të hedhësh ti apo ne po hedhim të parët?”
Ai (Musai) tha: “Jo, hidhni ju!” Kur ja, atij iu duk se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj).
E Musai ndjeu në vete njëfarë frike.
Ne i thamë atij: “Mos kr frikë, është më se e sigurt se ti do të jesh triumfues!”
Tani hidhe atë që e ke në dorën tënde të djathtë (shkopin), që t'i gëlltisë ato që i bënë ata, sepse ajo që bënë ata nuk është asgjë tjetër pos mashtrim magjistari, e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.
Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: “Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musait!”
(E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që e thonin djajt në kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pafé, djajt ishin të pafé, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t'i thonin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!” E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejën e All-llahut me atë askujt nuk mund t'i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin, ata se për ç'ka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe.
E sikur të kishin besuar ata dhe sikur të ishin ruajtur (prej mëkateve), po të dinin, shpërblimi prej All-llahut do të ishte shumë më i dobishëm.