Ramazani, shans për rininë
Falënderimi i takon Allahut, i Cili e bëri Ramazanin sezon për shpërblime dhe përfitime. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i dashur, këto fjalë t’i drejtoj ty siç ia drejton njeriu fjalët vëllait të vet, apo atij që e do, si ai që është një këshilltar i mirë për shokun e tij. Të lutem, vëllai im, më dëgjo me vëmendje, hape gjoksin tënd dhe pranoji fjalët e mia. Mos shiko të metat e atij që të këshillon, por shiko atë tek e cila të fton; nëse është e mirë, merre e nëse është diçka tjetër, mos e merr.
Vëlla i dashur! Çfarë ke përgatitur për veten tënde në muajin Ramazan, në këtë muaj madhështor, në të cilin hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, në të cilin lidhen shejtanët, në të cilin Allahu liron robërit e Tij të mirë prej zjarrit? Vëlla i dashur, çfarë ke përgatitur për këtë muaj?
A ke vendosur të pendohesh me një pendim të sinqertë? A ke vendosur që të bësh kthesë, që t’i japësh fund çdo mëkati dhe gabimi dhe të hapësh një faqe të re me Zotin e qiejve dhe të tokës? A ke një plan adhurues ditor në këtë muaj? Me çfarë do t’i presësh ditët dhe netët e këtij muaji të bekuar?
Këto janë disa pyetje të cilave patjetër duhet t’ua gjesh përgjigjet, përgjigje të sinqerta, dhe të jesh i hapur me veten tënde, që ky muaj të mos vijë e të kalojë pa ibadet.
Fillo duke u penduar
Vëlla i dashur, nuk kam për qëllim që këshilla ime të jetë akuzë për ty kur them se duhet të fillosh nga pendimi, pasi pendimi është fillimi dhe mbarimi i rrugës. Pendimi është një gradë e lartë për të cilën ka nevojë çdo njeri i cili është nisur në rrugën drejt Allahut.
Pendimi, pra, nuk qenka vetëm për ata që bëjnë mëkate, siç mendojnë shumica e njerëzve. I Dërguari i Allahut, që është zotëria i adhuruesve, thotë: “O ju njerëz, pendohuni tek Allahu, sepse unë pendohem tek Allahu në ditë më shumë se 100 herë.” (Transmeton Muslimi)
Kur Allahu i thirri robërit e Tij që të pendohen, i thirri me emrin e imanit dhe tha: “Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Nur, 31) Ne të gjithë jemi me mëkate dhe gabime; kush prej nesh nuk gabon, kush prej nesh nuk bën mëkat, kush nesh nuk bën gjynah ndaj Allahut?
Allahu është Ai i Cili i fal mëkatet, shtrin dorën e Tij natën që t’ia pranojë pendimin mëkatarit ditën dhe shtrin dorën e Tij ditën që t’ia pranojë pendimin mëkatarit natën, gëzohet për pendimin e tyre dhe gëzohet që njerëzit pendohen për veprat e tyre të këqija. Për këtë, Allahu ka hapur derën e pendimit për mëkatarët dhe nuk e mbyll atë gjersa të lindë dielli nga perëndimi, siç thuhet në hadithet e të Dërguarit të Allahut.
Vëlla i dashur! Pendimi është një çështje e lehtë, nuk është diçka e vështirë dhe nuk ka lodhje në të. Pendimi është ndalesë, vendosmëri, pengim nga mëkatet dhe gabimet, pendim për mëkatet që ke vepruar më herët, vendosmëri që të mos kthehesh në atë mëkat në të ardhmen.
Rëndësia e kohës
Vëlla i dashur! Nëse bëhesh pishman për atë që ka kaluar, i lë gabimet dhe mëkatet në të ardhmen, je i obliguar që të kujdesesh për moshën tënde, që të rregullosh kohën që ke para vetes. Nëse ti e humb moshën tënde, ke humbur lumturinë tënde dhe shpëtimin tënd, por nëse kujdesesh për të me ato që cekëm më herët, ke shpëtuar dhe ke fituar një kënaqësi dhe një begati. Imam Ibnu El-Xhevziu ka thënë: “Shumica e njerëzve, nëse nata është e gjatë, e kalojnë atë me biseda të padobishme, ose në leximin e librave që nuk sjellin dobi. Nëse dita është e gjatë, e kalojnë atë me gjumë, nëpër bregdete apo nëpër tregje. Të paktë janë ata të cilët e kanë kuptuar ekzistimin e tyre. Ata të cilët e kanë kuptuar këtë janë në një përgatitje të madhe për udhëtim. Shpejtoni në sezonet e punës para se të kalojnë!”
Gjithashtu ai ka thënë: “Duhet që njeriu ta dijë vlerën e kohës së tij, që të mos humbë asnjë moment në diçka që nuk të afron tek Allahu, t’i japë përparësi asaj që është më e vlefshme dhe fjalëve e veprave të mira. Nijeti i tij le të jetë gjithmonë i pranishëm në ato vepra të cilat ka mundësi t’i kryejë trupi. Shumë prej selefëve shpenzonin edhe momentet më të vogla. Është transmetuar nga Amir b. Abdu Kajsi, se një njeri i ka thënë atij: “Ndalu pak të bisedojmë diçka.” Ai i tha: “Ndale diellin, edhe unë ndalem.” Kanë shkuar te njëri prej të parëve tanë mirë në momentet e vdekjes, ndërsa ai falej. E qortuan për këtë. Atëherë u tha: “Tani do të mbyllet faqja ime.” Nëse njeriu e kupton seriozisht se me të vërtetë vdekja e ndërpret nga puna, punon ato vepra nga të cilat pason shpërblimi pas vdekjes së tij.”
Pamje nga përpjekjet e selefëve
Vëlla i nderuar, këta janë disa shembuj të ndritshëm, të cilët na tregojnë për përpjekjet e selefëve në adhurimin e Allahut dhe në respektimin e Tij. Nëse i shikon, ndoshta do të shtohet ambicia jote për adhurimin e Allahut.
I Dërguari i Allahut është falur derisa i janë ënjtur këmbët. E pyetën për këtë dhe ai tha: “A të mos jem rob falënderues?” (Muttefekun alejhi)
Ebu Bekri ishte prej atyre që qanin shumë, e në veçanti gjatë namazit dhe leximit të Kuranit.
Në fytyrën e Omerit gjendeshin dy vija të zeza nga të qarit e shumtë.
Uthmani e përfundonte Kuranin në një rekat.
Aliu qante në mihrabin e tij, gjersa i lagej mjekra nga lotët dhe thoshte: “Ti oj dynja mashtro dikë tjetër, sepse unë të kam shkurorëzuar tri herë.”
Katadeja e përfundonte Kuranin çdo javë, ndërsa në Ramazan e përfundonte çdo tri ditë, ndërsa në dhjetë netët e fundit e përfundonte Kuranin çdo natë.
Sufjani qante me lot gjaku prej frikës.
Seid bin Musejjibi ishte i lidhur me xhaminë; për dyzet vite rresht atij asnjëherë nuk i ka humbur namazi me xhemat.
Ramazani shans për të rinjtë
Tregtarët e kësaj bote nuk lënë pa bërë asnjë përpjekje dhe nuk lënë pa ndjekur asnjë rrugë e formë që i çon te fitimi e gjithashtu nuk lënë t’u ikë asnjë shans për të fituar. Ti, vëlla i dashur, përse nuk bën tregti me Allahun, përse nuk garon në vepra të mira, që të fitosh një shpërblim të madh prej Allahut, të fitosh një çmim të lartë nga ana e Allahut?
Vëlla i nderuar, Ramazani është njëri prej shanseve më të mëdha, në të cilin të devotshmit duhet të përgatiten dhe nuk duhet të jenë të pakujdesshëm në gjuetinë e këtij shansi. Ky është muaj i faljes, muaji i fitimit të xhenetit, muaji i lirimit nga zjarri për atë që ka zemër të shëndosh dhe i drejton gjymtyrët e tij, për atë i cili nuk e humb kohën e tij në atë që i bën dëm apo në atë që nuk ka dobi.
Vëlla i dashur, ja disa çështje të cilat të ndihmojnë në përfitimin e momenteve të këtij muaji dhe në ndërtimin e këtij muaji me vepra të mira.
Agjërimi është ibadet e nuk është traditë
Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Ai që agjëron Ramazanin me iman të plotë dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që i ka bërë më herët.” (Muttefekun alejhi)
Kuptimi i fjalës së të Dërguarit të Allahut “me iman”, ka kuptimin “me besim në Allahun dhe në atë që ka përgatitur Allahu prej shpërblimit për agjëruesin”. Ndërsa fjala e të Dërguarit të Allahut: “duke llogaritur në shpërblimin e Allahut”, ka kuptimin “duke kërkuar shpërblimin e Allahut, nuk e bën këtë për sy e faqe e as për t’u dukur para të tjerëve, as për të kërkuar pasuri e as pozitë, por e bën vetëm për Allahun”.
Agjërimi është begati, duhet falënderuar Allahu për këtë begati
Paramendo, vëlla i nderuar, ata të cilët i ka nxënë vdekja para se të hyjë ky muaj. Veprat e tyre janë ndërprerë, fletushkat e tyre janë mbyllur, nuk kanë mundësi të përfitojnë asnjë të mirë e as të veprojnë ndonjë vepër të mirë, edhe nëse është e lehtë.
Ndërsa ty Allahu ta ka zgjatur jetën, gjersa të ka mundësuar ta përjetosh këtë muaj të madh. Të ka lehtësuar, që të fitosh këto shpërblime të mëdha. Për Allahun, kjo është një begati e madhe, për të cilën duhet të jemi mirënjohës dhe ta falënderojmë Allahun që na e ka bërë të mundur një gjë të tillë.
Gjumi ditën dhe zgjimi natën
Vëlla i dashur, nëse e kalon ditën e Ramazanit në gjumë, ndërsa natën i zgjuar në lojëra dhe dëfrime, je ndaluar nga shpërblimi i Ramazanit dhe ke dalë nga Ramazani me rezultat zero. Për Zotin, Ramazani ka disa ditë të caktuara dhe disa net që dëshmojnë për ty. Ato, posa vinë te ne, fillojnë të largohen, prandaj, Allahu të mëshiroftë, angazhohu në këto ditë dhe net me adhurim, që të fitosh nesër kënaqësinë dhe begatinë prej Allahut. Kujdesu që mos të të nxërë Ramazani e të jesh në pakujdesi. I Dërguari i Allahut thotë: “I humbur qoftë ai i cili hyn në muajin e Ramazanit, pastaj largohet Ramazani nga ai para se atij t’i falen mëkatet.” (Transmeton Tirmidhiu, Hakimi dhe e ka vërtetuar Albani)
Leximi i Kuranit
Ramazani është muaj i Kuranit. Të parët tanë (selefët), kur hynte muaji i Ramazanit, angazhoheshin në leximin e Kuranit dhe i jepnin përparësi ndaj çdo ibadeti, saqë është transmetuar nga disa prej tyre se e përfundonin leximin e Kuranit çdo natë. Angazhohu me seriozitet, Allahu të mëshiroftë, në leximin e Kuranit në këtë muaj, lexoje atë rrjedhshëm, me meditim dhe përkushtim, duke iu përmbajtur rregullave të leximit sipas mundësisë që ke.
Gjallërimi i natës me namaz
Namazi i natës është një traditë (sunet) e fortë edhe jashtë Ramazanit, ndërsa në Ramazan është edhe më i fortë. Ai është namazi i teravive, të cilin njerëzit e falin në xhami ditëve të Ramazanit. Duhet të kujdesemi për të dhe ta plotësojmë së bashku me imamin. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush falet me imamin derisa ai të largohet, i shkruhet atij namazi i natës.”
Sadakaja
Sadakaja në Ramazan ka një vlerë të veçantë për dallim nga muajt e tjerë. Kur hynte Ramazani, i Dërguari i Allahut ishte më i mirë sesa era që sjell të mira. Kujdesu për sadakanë në këtë muaj dhe bëhu fisnik në atë që ke.
Dhënia iftar agjëruesit
Vëlla i nderuar, kujdesu që t’i japësh iftar agjëruesit, të ushqesh të varfrit dhe të mjerët. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush i jep një agjëruesi iftar, ka shpërblimin e njëjtë me atë që agjëron.” (Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu, i cili e ka vërtetuar)
Lidhja me xhaminë
Vendet më të mira të tokës janë xhamitë. Kujdesu gjithmonë, veçanërisht në këtë muaj, që të falesh me xhemat në xhami, të presësh namaz pas namazi dhe të mos lësh diçka nga namazet vullnetare, sepse ato në këtë muaj zëvendësojnë farzet, kurse namazet vullnetare obligojnë dashurinë e Allahut ndaj robit të Tij. Allahu ka thënë në hadithin kudsij: “Ende vazhdon robi im të afrohet tek Unë me gjëra vullnetare, gjersa ta dua atë.” (Transmeton Buhariu)
Umreja në Ramazan
Umreja në Ramazan ka vlerë të madhe. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Umreja në Ramazan barazohet me një haxh”, ose ka thënë: “një haxh me mua.” (Transmeton Buhariu)
Dhjetë netët e fundit
Vëlla i dashur, kujdesu që angazhimi yt në ibadet në dhjetë netët e fundit të jetë më i veçantë sesa herëve të tjera. Kur hynin dhjetë netët e fundit, i Dërguari i Allahut e zgjonte familjen e vet, e gjallëronte natën, ishte më serioz dhe e shtrëngonte izarin e tij.
Nata e Kadrit
Kërkoje natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit e në veçanti në netët tek të tyre. Gjallëroji këto net me ibadet, me namaz, me leximin e Kuranit, me dhikër, me dua dhe me ibadete të tjera, sepse shpërblimi i ibadeteve në këtë natë është më i vlefshëm sesa një mijë muaj në të cilët nuk është nata e Kadrit.
Ulja e shikimit
Ulja e shikimit, ky urdhër i Allahut, është një ibadet të cilin pak njerëz e veprojnë.
Dhikri
Bëhu prej atyre që e përmendin Allahun në çdo moment. Ata që e përmendin Allahun kanë fituar edhe këtë botë, edhe ahiretin.
Duaja
Lutja është ibadet. Ajo është argumenti më i fortë se njeriu ka nevojë për Zotin e tij dhe se ai është i nevojshëm për të në çdo moment. Allahu lutjen e ka quajtur ibadet në fjalën e Tij: “Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehenem." (Gafir, 60). Ku je ti vëlla i dashur në lidhje me këtë ibadet?
Itikafi
Itikafi është të ndenjurit në xhami me qëllim vetmimi për t’i bërë ibadet Allahut. Mos i humb ditët e itikafit dhe kohën e tij mos e harxho në lojëra dhe në fjalë boshe.
Ushqimi dhe pija
Kujdes ndaj ushqimit të tepërt, sepse të çon drejt lodhjes dhe përtacisë në ibadetet e Allahut.
Gjërat e ndaluara nga të cilat duhet të largohesh
Largimi nga duhani në ditët e Ramazanit është argumenti më i fortë për vendosmërinë tënde. E përse vëlla i dashur nuk e ndal edhe në ditët dhe netët jashtë Ramazanit?
Kujdes se mos dëgjosh muzikë, sepse ajo prish zemrën, mbjell në të poshtërim dhe pakëson xhelozinë.
Bëje muajin e Ramazanit një shans për t’u larguar nga shikimi i serialeve të ndryshme, i filmave dhe programeve të padobishme. Kujdes se mos bësh shaka dhe qesh shumë, sepse këto të dyja sjellin ngurtësimin e zemrës dhe moskujdesjen ndaj përmendjes së Allahut. Mos u shoqëro me njerëzit e këqij, të cilët e kalojnë kohën e tyre shkel e shko. Nëse shoqërohesh me tas, bëhesh si ata.
Vendet më të këqija të tokës janë tregjet, prandaj kujdesu të mos gjendesh në to pa pasur nevojë. Vetmimi dhe përzierja me gra të huaja është prej shkaqeve më të mëdha të prishjes dhe të së keqes. Ki kujdes prej kësaj.
Ki kujdes ndaj gjuhës, sepse ajo dobëson shpërblimin e agjërimit. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush nuk e lë fjalën e kotë, punën me të dhe injorancën, Allahu nuk ka nevojë për të që ai të lërë ushqimin dhe pijen e tij.” (Transmeton Buhariu)
Dhe në fund, Allahut i takon falënderimi, ndërsa përshëndetjet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe mbi shokët e tij!