Urime të gjithëve muaji i shenjtë i Ramazanit
Falenderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut subhanehu ve te’ala. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin alejhi selam, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata të cilët e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëllezër dhe motra, anëtarë dhe vizitorë të Forumit -islami eshte drite, shpejt kaluan ditët, dhe shpejt kaluan orët, dhe Allahu subhanehu ve te’ala na e mundësoi që ta arrijmë këtë muaj të shenjtë të këtij viti. Muaji në të cilin filloi zbritja e Kur’anit Famëlartë, në të cilin hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, në të cilin shumëfishohen shpërblimet, në të cilin gjendet një natë vlera e së cilës është sa njëmijë muaj, muaji në të cilin falen mëkatet dhe gabimet.
Allahu subhanehu na e obligoi agjërimin e këtij muaji duke thënë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare-183)
Gjithashtu Muhamedi salallahualejhiveselem kur flet për vlerën e këtij muaji të shenjtë thotë: Ka thënë Allahu subhanehu ve te’ala: “Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngre zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm!”. Dhe, pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti i Muahmmedit, aroma e pakëndshme që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek All-llahu se sa era e miskut. Agjëruesi i përjeton dy gëzime: kur të hajë iftar gëzohet dhe kur ta takojë Zotin e vet gëzohet për agjërimin e vet (për shpërblimin)”. (Buhariu dhe Muslimi)
Gjithashtu ka thënë: “Çdo rob që agjëron një ditë në rrugë të All-llahut, All-llahu e largon fytyrën e tij nga zjarri (i xhehennemit) në një distancë sa ecë njeriu shtatëdhjetë vjet.“ (Buhariu dhe Muslimi)
Dhe ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim në All-llahun dhe me shpresë në shpërblimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara dhe kush falet në natën e Kadrit me besim në All-llahun dhe me shpresë në shpërbëlimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara.“ (Buhariu dhe Muslimi)
Andaj, duke e ditur vlerën e këtij muaji të shenjtë, lusim Allahun subhanehu ve te’ala që të na e mundëson ta shfrytëzojmë atë, ashtu siç Ai është i kënaqur. Lusim Allahun subhanehu ve te’ala që ta kalojmë këtë muaj në adhurim ndaj Tij, në namaz dhe lexim të Kur’anit, në falje dhe mëshirë vëllazërore, në ripërtrim të pendimit dhe kërkimit të faljes, në dhënie lëmoshë dhe në përkrahje të të varfërve dhe jetimëve. Amin