Nëntë ditë para dhe dita e bajramit
Një ndër gjykimet që i jep Feja, e që ka të bëjë me kohën, është gjykimi për disa kohë përkatëse. Gjykimi për ate se cilat kohë janë më të vlefshme apo të dalluara, që në to të kryhen ritet fetare dhe në cilat kohë kryerja e adhurimeve sjell shpërblim më të madh.
Kohët e dalluara sipas fesë janë një koncept të cilin për ta sqaruar më mirë do përdorim edhe terme ekonomike, do shërbehemi me fjalor tregtie dhe biznesi. Por do duhet edhe krahasuar këtë koncept me koncepte nga fusha e marketingut modern. Gjithsesi duke gjetur leje për shembullim të këtillë në Kur’anin Fisnik, ku Allahu i Lartmadhëruar, në ajetin e dhjetë të kaptinës Saff, thirjen besimtarëve për në besim dhe vepra të mira e emërton si “…tregti me të cilin do të shpëtoni nga dënimi i ashpër”. Kjo thjesht për qëllime sqarimi, ngase jo rallë ndodh që disa koncepte dhe terme ekonomike na janë më të njohura se shumë koncepte tradicionale, të cilat edhe pse shpesh i jetojmë, nuk i njohim dot. Ashtu ne sot dijmë shumë për strategjitë e ndryshme të marketingut, aspekte të veçanta të shumëfishimit të shitjes në sezonë dhe të ngjajshme kurse nga ana tjetër dijmë shumë pak mbi gjëra që i besojmë, veprojmë apo si në rastin e Bajramit, edhe i festojmë. Duke sjellur kësisoj shembujsh do mundohemi që të sqarojmë ca gjëra për tajmingun e adhurimeve dhe të informojmë për një sezonë të begatshme: ditë dhe netë të mëdha, në të cilat shpërblimi i për adhurimet e kryera gjatë kësaj kohe shumëfishohet dhe në të cilat fitimi gjithsesi është i madh.
Sezona e begatshme në fjalë, këta ditë të mëdha janë; dhjetë ditët e muajit të dymbëdhjetë të kalendarit lunar. Gjegjësisht nëntë ditët para dhe dita e Kurban Bajramit. Ky muaj i quajtur si DhulHixhe, i emërtuar sipas ritit të haxhit që kryehet në këtë muaj, është edhe muaji i fundit i kalendarit sipas të cilit muslimanët llogarisin kohët e tyre të dalluara. Dhjetë ditët e para të këtij muaji janë ditët më të mëdha në vitin islam. Për vleftën e këtyre ditëve më së miri flet fakti se Zoti betohet në to në ajetin e dytë të kaptinës Fexhr. Komentatorët më të hershëm të Kur’anit, gjenerata e parë, vet shokët e Pejgamberit; Ibën Abbas dhe të tjerë thonin se këto “dhjet” janë, dhjetëshi i parë i muajit Dhulhixhe. Veçim edhe më të qartë të vleftës së këtyre dhjet ditëve kemi në traditën e të Dërguarit, paqja qoftë mbi te, ku ai në thënie, të verifikuar nga dijetarë islam si autentike, thotë: "Nuk ka ditë në të cilat vepra e mirë është më e dashur tek Allahu sesa në këto dhjetë ditë…”.
Fakti se këto ditë mbesin të pashënuara nëpër takvimet e institucioneve që sipas definiconit duhet të mirren me rregullimin e jetës fetare nuk e zhbëjnë aspak vleftën e këtyre ditëve por vetëm se i vëndojnë institucionet e këtilla në pozitë të kundërt me definicionin e tyre. Pozitë kjo që disa instanca të këtij institucioni këtu tek ne, në Maqedoni, e kanë rezervuar që moti së pari me mosveprimin e tyre; duke mos e aktualizuar as tani pas Marrëveshjes së Ohrit, çështjen e rregullimit ligjor për haxhinj që daton që nga koha e Jugosllavisë moniste. Dhe së dyti me veprimet e tyre që nuk janë veçse pengim dhe si të tilla vetëmse çregullim të jetës fetare. Mundimet të cilat i përjetuan ata të cilët zgjodhën të kryejnë ritet e Haxhit, pak më lirë dhe jashta monopolit, me rrugë tokësore sivjet, ishin të padurueshme edhe për më durimtarët prej muslimanëve. Haxhinjtë duhet uruar për rrugë të mbarë dhe pranim të këtij adhurimi të madh, kurse institucionit përkatës, që moti të dalur jashta definicionit, hiç më pak se një restart!
Momentet më kyçe në këtë tajming të adhurimeve janë të shumta kurse i pari gjithsesi është vizita e bërë Qabes e njohur si haxhillëk. Kjo është edhe një prej kushteve esenciale të Islamit por vetëm për ato që i plotësojnë kushtet për ta kryer ate. Obligohet kryerja vetëm një herë në jetë edhe ate muslimanit dhe muslimanes së/të moshërritur, të pasur aq sa të ket siguruar furnizim për shtëpinë e tij deri sa të kthehet dhe që ka rrugë të lirë deri në Mekke. Vendndodhja e besimtarit pranë Qabes është element që shton edhe më shumë shpërblimin për kryerjen e cilit do qoftë adhurim prej adhurimeve dhe të çdonjë vepre të mirë në përgjithësi.
Veprim permanent i muslimanit gjatë këtyre ditëve duhet të jetë përmendja e emrit të Allahut dhe lutjet. Kurse gjatë ditëve të Bajramit si shtesë edhe shqiptimi i tekbireve. Ky veprim rentabil e ka koston tejet të vogël; kërkon vetëm vullnet dhe përpikshmëri.
Moment tjetër kyç e që mund të analizohet edhe nga aspekti i socializimit me të tjerë dhe në të cilin ka shumë interaktivitet është therrja e kurbanit. Ky veprim fetar kërkon që të flijojmë diç nga pasuria jonë; një dele apo dash për një kryefamiljar apo një lopë për shtatë kryefamiljarë, por në këmbim të kësaj ne fitojmë shumë në vlera unike si ndihmesa njëri-tjetrit, mbajtja e lidhjes farefisnore dhe ndihmë të varfërve dhe nevojtarëve.
Ditë e veçantë në këto ditë të dalluara është dita e Arefes, dita para bajramit. Agjërimi, kjo pritje tejet profitabile, është i pëlqyeshëm gjatë nëntë ditëve të këtij muaji. Por agjërimi i ditës së arifes, një ditë para bajramit, sipas një garancioni nga Pejgamberi është shansë për të fituar një shpërblim të papërsëritshëm: shlyerje të mëkateve të vitit që kalon dhe të atij që vjen!
Vet përjetimi i një kësisoj sezone është mirësi dhe begati, çdo gjë që bëhet prej veprave të mira gjatë këtyre ditëve të vlefshme është një depozitim i shpërblimeve për ditën e fundit të madhe të njeriut. Përkujtojmë veten dhe të tjerët se shkalla e rizikosë në këtë gjë llogaritet në bazë të vet faktit se ne asnjëherë nuk dijmë se cilat janë dhjet ditë tona të fundit e as se cili bajram, bajrami i jonë i fundit në këtë botë kalimtare. Zoti më faltë, gjithve na mëshiroftë dhe na i pranoftë veprat tona të mira. Për hajr bajramin!