Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lëvdatat e Tij janë për të Dërguarin, familjen dhe shokët e vet…
Në këtë temë do të përmendim disa nga dispozitat që flasin për rregullat fetare rreth faljes së xhumasë nëse në të njejtën ditë i bie të falet bajrami.
Pa marrë parasysh cili bajram (ai i Fitrit apo i Kurbanit) nëse ndodhë që t`i bie ditë bajrami në ditën e xhuma atëherë pasohen këto rregulla:
1-Bajrami është farz
Namazi i Bajramit sipas shumicës së dijetarëve është obligim kolektiv (farz kifaje) dhe nuk duhet anashkaluar faljen e tij pa marrë parasysh a bie ditën e Xhuma apo në ditët tjera dhe atë nuk duhet lënë pa falë.
2- Bajrami ndodhë të bie në një ditë me xhumanë
Ndodhë dhe është shumë e arsyeshme që dita e Bajramit të bie edhe në ditën e xhuma dhe kjo nuk është në kundërshtim me rregullat fetare, përkundrazi është pjesë e rregullave të fesë që të ndodhë edhe kjo. Andaj nuk duhet menduar se ato nuk lejohet të bashkohen në një ditë.
3- Falja e Bajramit e liron besimtarin nga falja e xhumasë
Nëse bajrami falet atëherë ai grup i muslimanëve që e kanë falë bajramin lirohen nga obligimi i faljes së xhumasë. Kjo sipas mendimit të shumicës së dijetarëve ashtu si edhe e përmend Ibën Tejmie (Fetava, vëll. 24 fq. 210-211). Këtë mendim ata e bazojnë në argumentet e shumta të transmetuara nëpër hadithe të sakta profetike, prej të cilëve do të veçonim:
-Zejd ibën Erkami transmeton se Muaviu e kishte pyetur a ka prezantuar ndonjëherë me Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, kur janë bashkuar në të njejtën ditë festa e Bajramit dhe ajo e Xhumasë? Po, I tha ai. Si vepruat? “Pejgamberi e fali namazin e Bajramit pastaj na la të lirë në faljen e Xhumasë duke thënë: Kush të dojë le të prezantojë” Shënon Ebu Davudi, Nesaiu, Ibën Maxhe, Darimiu, Hakimi, Ahmedi. Hadithi është i saktë sipas Hakimit, Dhehebiut, kurse Neveviu thotë se është hadith i mirë-hasen)
-Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur ishte bashkuar bajrami me xhumanë kishte thënë: “Sot u bashkuan për juve dy bajrama, andaj kush dëshiron të prezantoj në faljen e xhumasë le të vijë. Unë do të jem prezent” (Ebu Davudi nr. 1073, Ibën Maxhe, Hakimi, Bejhekiu. Hadithi është i saktë)
Transmetime të tilla përmenden edhe nga shumë sahabë të cilët e kishin praktikuar këtë vepër pas vdekjes së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, e që transmetohen nëpër librat e fesë. Prej tyre përmendet Abdullah ibën Zubejri i cili kishte falë namazin e Bajramit e pastaj nuk kishte dalë për namaz të xhumasë. Në atë kohë Abdullah ibën Abasi ishte në Taif të cilit kur i treguan për këtë rast tha: “E ka qëlluar praktikimin e sunetit” (Ebu Davudi) kurse në transmetimin e Ibën Huzejmes në fund shton se Abdullah ibën Zubejri kishte thënë: “Kështu e kam parë të vepronte Omer ibën Hatabin”
-Në sahihun e Buhariut dhe tek Muvetai i Malikut përmednet se Othman ibën Afani kur kishte falë bajramin (duke qenë halife) në fund të ligjëratës në hutbe tha: “O ju njerëz sot u janë bashkuar dy festa andaj kush dëshiron nga banorët e shkretëtisës (nomadët) mund të presë për faljen e xhumasë e kush të dojë mund të kthehet tek shtëpitë e tyre (që ishin shumë larg dhe nuk mund të ktheheshin edhe një herë në xhami për namaz të xhumasë) le të kthehet sepse unë i jap leje për një veprim të tillë” transmetime të tilla përmenden edhe nga Aliu.
4-Ai që ka falë bajramin a duhet ta falë drekën apo jo?
Falja e bajramit e liron muslimanin nga falja e xhumasë por nuk e liron edhe nga falja e namazit të drekës në shtëpi. Prandaj kujdes të mos e leni drekën pa e falë.
5-Më mirë të falësh drekën apo xhumanë në këtë ditë?
S`ka dyshim se falja e xhumasë është më e dobishme dhe shpërblimi do të ishte më i madh megjithatë nëse besimtari dëshiron të pushojë, apo të shëtisë, apo sheh ndonjë punë tjetër më të rëndësishme që ta bëjë në atë kohë atëherë e ka të lirë të mos prezantoj në xhami.
6-Imami çfarë duhet të bëjë, të prezantoj në xhami apo jo?
Rregulli i të liruarit nga prezantimi në xhuma për ditën e bajramit vlenë vetëm për xhematin por jo edhe për imamin. Kjo bazuar në argumnetin e lartpërmendur në të cilin Pejgamberi, sal-lalahu alejhi ue selem, thotë: “Unë do të jem prezent-(në namaz të xhumas)”. Imami prezanton për arsye se dikush nga xhemati mund të vijë në xhami e kështu të mos mbesin pa imam dhe të ketë kush tua falë namazin e xhumasë.
7-Ai që nuk ka falë bajramin patjetër duhet falë xhumanë
Rregulli për mosfaljen e namazit të xhumasë vlen vetëm për ata besimtarë të cilët kanë marrë pjes në faljen e Bajramit e jo edhe për ata të cilët, për shkaqe të caktuara, nuk e kanë falë namazin e bajramit.
8- Nëse nuk ka sa duhet xhemat për xhuma çfarë të bëjë imami?
Për tu bërë obligim xhumaja kërkohet prezenca e xhematit. Rreth numrit të xhematlinjve sa duhet të jenë prezent për tu konsideruar si xhemat dhe për tu obliguar xhumaja dijetarët kanë disa mendime, duke filluar nga tre persona e lart. Dikush në këtë treshe e futë edhe imamin kurse disa tjerë nuk e fusin imamin. Sido që të jetë, neve nuk kemi qëllimin e shtjellimit të kësaj pike por themi se nëse në xhami nuk ka prezantuar numri i duhur i xhematit (secili dijetar bazuar ë mendimin e vet për numrin e xhematit) atëherë namazi i xhumasë bie edhe nga imami dhe nga personat tjerë që kanë prezantuar në xhami dhe ata në vend të xhumasë e falin namazin e drekës bashkë me imamin.
9-Pse lirohet xemati nga xhumaja?
Për arsye se qëllimi i xhumasë është mbledhja e njerëzve, këshillimi I tyre, afrimi i muslimanëve mes vete, festimi javor. Kështu me faljen e bajramit të gjitha këto qëllime janë arritur dhe nuk ka nevoj të rëndohet xhemati edhe një herë për së dyti, përveç për ata që nuk ishin prezent në bajram.
10-Nëse dita e xhuma i bie të jetë dita e dytë e bajramit a të falim xhumanë?
Rregulli i lirimit nga detyrimi për faljen e xhumasë vlenë vetëm nëse ndodhë që dita e parë e bajramit t`i bie në ditën e xhuma dhe nuk vlen assesi edhe për ditët tjera të bajramit. Kështu nëse ndodhë që dita e xhuma të jetë dita e dytë e bajramit atëherë nuk kemi të drejtë të mos prezantojmë në namaz të xhumasëpor gjithsesi duhet marrë pjesë në këtë namaz javorë.
11-A lejohet prera e Kurbanit në ditën e xhuma?
Po lejohet prerja e kurbanit në ditën e xhuma nëse kjo ditë është Bajram dhe nuk ka kurrfar argumenti fetarë që e ndalon prerjen e kurbanit para xhumasë apo pas saj. Prandaj bindja e disa njerëzve se nuk lejohet prerja e kurbanit para namazit të xhumasë është bindje e gabuar dhe e pa mbështetur në asnjë argument të saktë fetarë.
Allahu e di më së miri!
Pregaditi: Lulzim MEHMET Susuri