Jemeni shprehet optimist në mbështetje të KosovësKosovë [color:da2c=#666]
Jemeni shprehet optimist në mbështetje të Kosovës Ambasadori i Jemenit në Kajro, Prof. Dr. Abdulvelij Al Shumejri, priti në një takim kortezie, Prof. Dr. Beqir Ismailin. Takimi u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Jemenit në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.
Dialogu mes Ambasadorit të Jemenit dhe Prof. Ismailit u përqendrua tek zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe u vu theksi në numrin e shteteve që e kanë njohur tashmë pavarësinë.
Ambasadori Prof. Dr. Abdulvelij Al Shumejri tha se Qeveria e Jemenit e mbështet Kosovën në të gjitha sferat e jetës.
“Jemeni i dëshiron Kosovës një të ardhme të ndritur me më shumë përparim dhe prosperitet në të gjitha fushat”, u shpreh Al Shumejri.
Më pas Ambasadori i Jemenit në Kajro, Prof. Dr. Abdulvelij Al Shumejri, ka paraqitur ndjenjat dhe konsideratën e tij më të lartë për punën dhe përpjekjet e Prof. Dr. Beqiri Ismailit, i cili ka punuar me përkushtim dhe besnikëri për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, duke siguruar informacionin e nevojshëm gjeo-politik, libra dhe hulumtime që sqarojnë çështjen e Kosovës.
“Këto informacione dhe përpjekje për të sqaruar pozicionin e Kosovës para dhe pas luftës së fundit”, u shpreh Ambasadori, “kanë ndihmuar Qeverinë e Jemenit ta vlerësojë drejt dhe me rigorozitet çështjen e Kosovës dhe ta mbështesë atë në arenën ndërkombëtare”.
Në fund të takimit Prof. Dr. Ismaili falënderoi ambasadorin Al Shumejri për kontributin që vendi i tij ka dhënë ndaj popullit të Kosovës dhe kërkoi njohjen e Kosovës nga Qeveria e Jemenit.
Alba Press-Kajro