Kur’ani dhe shkencatNë librin e shenjtë islam:Kur’anin, përshkruhen fenomene shkencore të zbuluara kohëve të fundit. Kur’ani është një libër i cili besohet se i është shpallur profetit Muhammed para 1400 vjetëve dhe se nuk ka ndryshuar përmbajtjen deri në ditët e sotme. Në kohën e shpalljes së tij, njohuritë shkencore ishin shumë të pakta krahasuar me ato të sotmet të cilat kanë arritur në një shkallë mjaft të lartë.
Megjithatë, në Kur’an janë gjetur përshkrime të dukurive natyrore , të cilat medoemos e bëjnë njeriun të mendojë i mahnitur: A është e mundur ?!
Përveç mrekullive shkencore që përshkruhen në Kur’an, në këtë libër gjenden edhe fjali të cilat e lavdërojnë mësimin shkencor. “Ajetet e Kur'anit bëjnë qartë dallimin në mes të atyre që dinë dhe të atyre që nuk dinë, atyre që i kanë kontribuar shkencës dhe që nuk i kanë kontribuar”(1). Ndërsa profeti i fesë islame Muhammedi, ka bërë krahasimin në mes të ngjyrës së lapsit të shkencëtarit dhe gjakut të shehidit(2). Pra, në këtë fe i jepet një rëndësi shumë e madhe shkencës, gjë që ka ndikuar në formimin intelektual të besimtarëve muslimanë.
Ja se si iu përgjigjet materialistëve njëri nga intelektualët islamë për fuqinë e magnetit kur thotë se kjo fuqi nuk shihet, por shihen efektet e saj. “Pra si ta shohim Allahun, në këtë botë?!”(3) – krahason ai.
Formimi intelektual i besimtarëve islamë ka ndikuar që të zbulohen shumica e argumenteve kur’anore që kanë përmbajtje shkencore, sepse pa i njohur të dhënat shkencore si do të mund të zbulohej se ato përshkruhen në Kur’an, dhe anasjelltas?
Në vazhdim do të jepen shembuj konkret të përshkruarjes së dukurive shkencore në Kur’an dhe për ndikimin e këtij fenomeni te shkencëtarët jomuslimanë.
Lëkura si qendër e ndjeshmërisë
Siç u tha edhe më lart, faktet e ndryshme shkencore të zbuluara kohëve të fundit përshkruhen në Kur’an. Një nga këta shembuj ka të bëjë me qendrën e ndjeshmërisë e cila gjendet në lëkurë.
Prof. Taxhatan Taxhasun, përgjegjës i anatomisë dhe embriologjisë në Universitetin : Shajgn Maj dhe dekan i fakultetit të mjekësisë në këtë universitet, është një nga shkencëtarët të cilët u bënë musliman me të mësuar për përmbajtjen shkencore në Kur’an. Konvertimi i tij në fenë islame u bë për shkak të disa vargjeve kur’anore të cilat iu lexuan atij në Riad të Arabisë Saudite:
“...Sa herë që atyre t’u digjen lëkurat, ne ua ndërrojmë me lëkurë të tjera që ta shijojnë dënimin...(En Nisa, 56)”.(4)
Prof. Taxhason duke folur për këto vargje tha se ato flasin të vërtetën , sepse nëse lëkura digjet plotësisht, ndjeshmëria humbet. Për këtë arsye në vargje thuhet se lëkurat do të ndërrohen me të tjera, në mënyrë që mëkatarët ta shijojnë dënimin. “Kjo do të thotë se që para 1400 vjetësh në Kur’anin e shenjtë aludohet në atë se qendra e ndjeshmërisë gjendet në lëkurë.”- shprehet ai.(5)
Më pas prof. Taxhasan filloi të bënte pyetje lidhur me fenë islame dhe Kur’anin të cilin e studioi 3 vjet me radhë. Pas kësaj kohe ai u kthye në Riad për të deklaruar se bëhet besimtar musliman.
Pengesa mes dy deteve
Në mes dy deteve ekziston një pengesë e cila nuk i lejon ata që të përzihen. Deri vonë jo vetëm që nuk dihej për këtë fenomen, por askush nuk mendonte për ekzistencën e diçkaje të tillë. Por, zbulimet e kohës së fundit tregojnë se detet nuk kanë përmbajtje të njëjtë . Ata kanë shkallë të ndryshme temperature , kripe dhe dendurie. Fotografitë e bëra përmes satelitëve në vitin 1942 në mes të detit Mesdhe dhe oqeanit Atlantik dëshmuan qartë ekzistimin e një pengese mes tyre.
Profesori Haj, një nga dijetarët më të shquar të oqeanologjisë në Amerikë, poashtu i pohon shpjegimet e lartcekura. Kur atij iu lexuan vargjet kur’anore: “Ai i lejoi dy detet që të puqen mes vete. Ndërmjet atyre të dyve është një pengesë që ata nuk e kapërcejnë”,(6) ai deklaroi: “Besoj se vërtet këto janë prej Zotit”.(7)
Profesori Haj nuk është i vetmi i cili mbeti i mahnitur me shpjegimet e Kur’anit lidhur me fenomenin në fjalë. Ndër të tjerët vlen të përmendet edhe oqeanografi francez Jasque Yves-Coustau te i cili poashtu ndikuan argumentet kur’anore deri në atë masë saqë ai u bë musliman pas dëgjimit të tyre.
Kodrat si shtylla
Shkenca bashkëkohore ka zbuluar se malet kanë formë të shtyllës, gjë e cila ishte veç më e cekur në Kur’an që para 1400 vjetëve. “Futja e maleve në brendi të tokës, është, shumëfish më e madhe se ajo që është mbi sipërfaqen tokësore.”(8)
Me këto të dhëna pajtohet edhe prof. Sijavej, një ndër dijetarët më të njohur të hidrologjisë dhe gjeologjisë në Japoni, e në botë. Ky njeri ishte një ateist i cili e injoronte çdo fe. Por, kur prof. Ez-Zendani ia lexoi atij ajetin kur’anor: “Dhe malet i bëmë shtylla” (En Nebe, 7), (9) ai tha se “është gati e pamundur që të besoj si të vërtetë atë që the”(10). Por, me gjithë befasinë dhe mrekullimin e tij të cilat edhe ai vetë i pranon, nuk ka të dhëna se ai u bë ndonjëherë besimtar i fesë islame.
Hekuri
Në Kur’an shkruan se hekuri është një element i zbritur, e jo i krijuar në tokë. Këtë të vërtetë e ka zbuluar shkenca me anë të mjeteve teknike më bashkëkohore.
Lidhur me zbritjen e hekurit në tokë është përgjigjur prof.Amstrong , astronom në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai argumentoi se për ndërtimin e elementit të hekurit nevojitet fuqi 4 herë më e madhe se fuqia e sistemit tonë diellor. Sipas dijetarëve “hekuri është element i huaj , i ardhur në Tokë...”(11)- shprehet ai.
Me të dëgjuar shpjegimin që jepet në Kur’an: “Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë...(El Hadid,25)”,(12) profesor Amstrongu tha: “Ky libër përputhet plotësisht me astronominë bashkëkohore”(13). Megjithatë, personi në fjalë nuk iu përgjigj pyetjeve që iu parashtruan më pas, me arsyetimin se dijetarët duhet të jenë të pavarur në disa pyetje të caktuara.
Kështu ai iu shmang edhe mendimeve reale të tij, gjë që ndodhë edhe me shumë shkencëtarë të tjerë për të mos e humbur namin në botën e mëparshme në të cilën kanë jetuar. Megjithatë, edhe te këta të fundit ekziston ndikimi, sado i vogël që mund të duket. Këtë e dëshmojnë edhe fjalët e lartcekura që i ka thënë prof. Amstrongu lidhur me përputhjen e Kur’anit me astronominë.
Përfundim:
Përshkrimi e fakteve shkencore në Kur’an paraqet një mrekulli për të gjithë njerëzit që kanë njohuri shkencore. Në veçanti ndikim i jashtëzakonshëm shfaqet tek shkencëtarët jomuslimanë të cilët nuk kanë pasur njohuri të mëparshme për përmbajtjen shkencore të Kur’anit. Ky ndikim mund të jetë aq i madh saqë në shumë raste të pranohet feja islame. Në raste më të rralla , përkundër mrekullimit, mund të mbizotërojë frika nga përjashtimi shoqëror si pasojë e shkëputjes nga normat dhe traditat e mëparshme. Në këto raste zakonisht injorohen të gjitha faktet të cilat kanë përmbajtje fetare. Këtë e vërtetojnë shembujt e paraqitur në këtë punim. Pa marrë parasysh besimin e mëtutjeshëm religjioz të tyre , që të gjithë ata kanë shprehur befasi, (gjë që tregon se nuk kanë qenë të informuar lidhur me Kur’anin), dyshim për atë që iu thuhet ( tepër e çuditshme për të qenë e vërtetë), dhe mrekullim ( nga kishin ardhur këto njohuri para 1400 vjetëve ).
Ky ndikim aq i madh i fenomenit për të cilën u fol lë gjurmë të pashlyeshme në trurin e shkencëtarëve jomuslimanë dhe është një element jashtëzakonisht i fortë për përhapjen e fesë islame në botë