Drejtësia është boshti qëndror i profetësisë. Profetësia lëviz në orbitën e drejtësisë. Çdo fjalë e dalë nga goja e profetit ka pamjen e diçkaje të vërtetuar për drejtësinë e saj, sepse profetët nuk bëjnë kurrë ndonjë deklaratë kontradiktore. Kur'ani bën fjalë për këto karakteristika të profetëve duke na folur neve për madhështinë e tyre.
"Përkujto në libër edhe Ibrahimin. Vërtet ai ishte një pejgamber i drejtë!" (Kur'ani, Merjem: 41).
Me fjalë të tjera, i thuhet Hz. Muhammedit (s.a.v.) të kujtojë në Levhi Mahfudh ose në Kur'an që është e vërteta e palëkundshme ose kopja e tij, Ibrahimin si një profet me fjalë, sjellje e mendime të drejta.
"Përkujtoju në këtë libër edhe Ismailin. Ai ishte njeri që e mbante fjalën, ishte i dërguar dhe profet."
(Kur'ani, Merjem: 54).
"Kujto në libër edhe Idrisin. Ai ishte një pejgamber shumë i drejtë. Ne e lartësuam atë në një pozitë të lartë."
(Kur'ani, Merjem: 56-57).
Duke përcjellë fjalët e shokut të burgut të Jusufit, Kur'ani bën fjalë përsëri për të njëjtat karakteristika: "O Jusuf, o ti i drejti..." (Kur'ani, Jusuf: 46)
E si të mos jenë të përgatitur me drejtësi ata, kur Allahu edhe njerëzit e zakonshëm i do që të jenë të drejtë dhe në Kur'an i ngre lart të drejtët:
"O ju që besuat! Kinie frikë Allahun dhe bëhuni bashkë me të drejtët!" (Kur'ani, Tevbe: 119).
"Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që i besuan Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që nuk dyshuan dhe që luftuan në rrugën e Allahut me pasurinë dhe shpirtrat e tyre. Vetëm ata janë të drejtë!"(Kur'ani, Huxhurat: ).
Besnikët janë të denjë për lavdërim
Besnikët që janë burra të fjalës, ngrihen lart në Kur'an: "Mes besimtarëve ka sa e sa burra që e mbajtën fjalën e dhënë, nga të cilët dikush dha jetën duke e çuar premtimin në vend e dikush pret atë ditë. Ata në asnjë rast nuk e ndryshuan qëndrimin." (Kur'ani, Ahzab: 23).
Po, virtyt është ai që ta pranojnë dhe vërtetojnë edhe armiqtë! Ja, pra, vërtetimi i drejtësisë së tij nga armiku më i tërbuar i tij i asaj dite!
Ishte koha kur Profeti po u bënte thirrje sunduesve përreth. Një letër i kishte dërguar edhe perandorit të Romës, Heraklitit. Perandori e lexoi letrën gjer në fund. Pastaj thirri Ebu Sufjanin që ndodhej atë radhë në Damask dhe midis tyre u zhvillua kjo bisedë:
- Cilët e respektojnë atë më shumë, të pasurit apo të varfërit?- Të varfërit.- A ndodhi që të kthehet pas ndonjëri prej atyre që e kanë besuar?- Deri tani, jo.- Ata që e ndjekin, shtohen apo pakësohen?- Çdo ditë shtohen nga pak.- A keni dëgjuar ndonjëherë që të ketë gënjyer?- Jo, asnjëri prej nesh s'e kemi dëgjuar ndonjëherë që të ketë gënjyer! Ja, pra, Herakliti i tronditur nga ndikimi i letrës pas përgjigjeve të marra nga Ebu Sufjani, armiku më i pamëshirshëm i muslimanëve, tha kështu:- Nuk mund të mendohet që njeriu që nuk ka thënë kurrë gënjeshtër për njerëzit, të gënjejë për Zotin!
Mundësoi: Bujamin Salija
Ky tekst është marurë nga adresa zyrtare: www.al.fgulen.com
Shkruarë nga M.Fethullah Gulen