Gjykata ka refuzuar kërkesat e drejtoreshës aktuale të televizionit
A1, Aneta Koçishki dhe të ish drejtorit Darko Perushevski që të mbrohen
në liri. Hedi Ramkovski, djali i pronarit të televizionit A1 Velija
Ramkovski për të cilin është lëshuar fletë arrest, ende është i
pakapshëm për policinë e cila edhe për të ngriti padi penale sikurse
edhe për 23 të dyshuarit tjerë në lidhje me kompanitë në rrugën “Pero
Nakov” pa numër. Nga Gjykata thonë se ende nuk ka flet arrest
ndërkombëtarë për shkak se MPB-ja nuk ka prova nëse ai ka braktisur
vendin. Ndërkohë, hetimi është duke u zgjeruar edhe nëpër kompani tjera.
Nuk është definitiv as numri i të dyshuarve e as numri i veprave penale
për të cilat ngarkohen të arrestuarit në aksionin “Rrjeta“, thonë nga
MPB-ja. Nuk përjashtohet mundësia për kallëzime dhe arrestime të reja
për shkak se deri më tani janë kontrolluar vetëm 30% e provave të
sekuestruara. Në hetimin për paratë e zhdukura ku shteti dyshon se janë
diku 17 milionë euro, janë kyçur edhe shërbimet për luftë kundër krimit
financiar nga vendet tjera të rajonit. Zëvendës drejtori i policisë
financiare të Kroacisë për Alsat nuk deshi as të konfirmojë e as të
përgënjeshtrojë nëse po hetojnë ndonjë kompani kroate për këtë rast.
“Ne konkretisht jemi në kontakte të shpeshta me shërbimet e policisë
financiare të Maqedonisë, por kjo është e tëra që mund të them. Nuk mund
të ju them nëse po punojmë në këtë lëndë, e as për atë nëse punojmë për
ndonjë lëndë tjetër” tha Denis Buterin, zëvendës drejtori i policisë
financiare të Kroacisë.
Të premten inspektori i Drejtorisë së Ardhurave Publike, Goran
Trajkovski deklaroi se është konfirmuar se në një kompani në Kroaci janë
derdhur 200 mijë euro ndërsa për kompensim nuk është fituar asgjë.
Njerëzit e parë të policisë financiare thanë se në hetime janë kyçur
edhe shërbime të shteteve tjera. Sot nuk arritëm të kontaktojmë me
autoritetet kosovare për të konfirmuar nëse edhe atje po zhvillohen
hetime për kompani që kanë lidhje me “Pero Nakov PN” sipas të dhënave
nga regjistri qendror i Maqedonisë, , kompania “A1 plus” e cila është
pjesë e hetimeve, është transferuar në një adresë në Gjilan. Policia
është në kërkim të shtetasve të huaj që kanë kallëzime penale në rastin
“Rrjeta“. Nëse ka nevojë përmes Interpolit do të lëshohet fletë arrest
ndërkombëtarë.