Edhe sot vazhduan protestat e kultivuesve të duhanit. Nën bllokadën e
bujqve është rruga Prilep-Manastir ndërsa komunikacioni është ndërprerë
edhe nga Prilepi për në Kërçovë. Kultivuesit e duhanit, të pakënaqur nga
çmimet blerëse që kompanitë po u vlerësojnë duhanin, thonë se problemi
nuk mund të zgjidhet nga ministri i bujqësisë. Ata kërkojnë që
drejtpërdrejtë të angazhohet kryeministri. Sot Gruevski tha se i
mbështet, dhe i porositi madje blerësit se do të përballen me masa
qeveritare nëse tentojnë të manipulojnë bujqit. Lideri i VMRO DPMNE-së
pohon se pas protestave qëndron opozita, e cila dëshiron të fitojë pikë
politikë nga problemi i bujqve.
“Një pjesë e tyre janë prodhues
duhani, por pjesa më e madhe e tyre nuk merren me kultivimin e duhanit,
ndërsa janë përfshirë mes prodhuesve të duhanit që të mund të ndikojnë
më shumë, të bllokojnë rrugët, kalimet kufitare, të bëhen incidente,
duke sjellë në rrezik edhe atë që e meritojnë prodhuesit e duhanit, ajo
është subvencioni. Ato i bindin të mos e dorëzojnë duhanin për blerje,
ndërsa e dinë se në pajtim me ligjin, nëse nuk dorëzohet duhani për
blerje, pastaj nuk do të mund të paguhet subvencioni”, deklaroi Nikolla
Gruevski, kryeministër.
Nga LSDM dolën me me përgjigje: ”Në vend që
Gruevski t’u thotë kur do të plotësojë atë që ka premtuar, ai jo vetëm
që i akuzon kultivuesit të duhanit, por përsëri i gënjen se u ka
siguruar çmim më të madh blerës për duhanin e tyre. Dje i rrihte
kultivuesit e duhanit, tani kërcënon se nuk do t’ua jep subvencionet që u
takojnë në përputhje me Ligjin”, thuhet në reagimin e LSDM-sw.
Nga
ministria e bujqësisë sot thonë se të gjitha ndërmarrjet blerëse kanë
qenë të gatshme në mënyrë të drejtë, të bëjnë vlerësimin e cilësisë së
duhanit dhe të mos e ngadalësojnë blerjen. Për çdo rast, për bujqit e
pakënaqur është hapur numër telefonik falas në të cilin mund të
paraqesin parregullsitë. Ndërkaq, dje kultivuesit e revoltuar bllokuan
kalimin kufitar me Greqinë, Mexhitlia, duke u përleshur edhe me
policinë. Bujqit kërkojnë që çmimi mesatar i duhanit të jetë mbi 180
denarë. Nga blerja e tanishme çmimi sillet prej 134 deri 171 denarë për
një kilogram duhan. Parashikimet janë se çmimi mesatar do të rritet nga
fundi i sezonit të blerjes, për shkak se atëherë jepet duhani më
cilësor. Sipas informatave zyrtare deri tani janë blerë rreth 1.6 mijë
tonë duhan nga gjithsej 25 mijë tonë të prodhuara këtë vit.
Jane Dimevski